Smith takon Veliun: Policia shqiptare do ta ketë përherë mbështetjen e SHBA!
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu priti në një takim zv/ambasadorin e SHBA në Tiranë, Demian Smith.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, priti në një takim prezantues, zv/ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, z. Demian Smith.
Burime zyrtare bënë me dije se Zv/ambasadori Smith shoqërohej nga znj. Karen Riley, shefe e Zyrës Rajonale të Sigurimit të Shërbimit Diplomatik në Ambasadën Amerikane në Tiranë dhe Argron Zotria, nga zyra e sigurimit të Ambasadës.
“Veliu i uroi zv/ambasadorit, suksese në detyrë dhe e siguroi atë se bashkëpunimi mjaft i shkëlqyer i deritanishëm mes strukturave të Policisë së Shtetit dhe Ambasadës Amerikane në Tiranë do vijojë të forcohet akoma më tej në interes të sigurisë dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Po kështu sipas deklaratës zyrtare, gjatë takimit prezantues, Drejtor Veliu njohu zv/ambasadorin Demian Smith, me rezultatet e arritura së fundmi nga strukturat e Policisë së Shtetit në drejtim të parandalimit dhe goditjes së kultivimit të kanabisit dhe trafikimit të drogave të forta, si dhe me operacionet e përbashkëta me partnerët dhe me agjencitë ligjzbatuese amerikane, për të goditur e çmontuar grupet kriminale që veprojnë në fushën e krimit të organizuar dhe terrorizmit.
“Smith përgëzoi Drejtor Veliun, për rezultatet e arritura nga Policia e Shtetit dhe e siguroi atë se Policia e Shtetit do ta ketë përherë mbështetjen e SHBA-së në luftën e përbashkët në interes të të dy vendeve dhe më gjerë”, thuhet më tej.
Në fund të takimit, Veliu garantoi zv/ambasadorin Smith se Policia e Shtetit është e fokusuar dhe e vendosur vetëm në drejtim të zbatimit të ligjit dhe vetëm të ligjit.