Pesë leksione jetike që kam mësuar nga intervistimi i mbi 100 sipërmarrësve
Ja cilat janë 5 leksionet më të rëndësishme që kam mësuar nga intervistimi i më shumë se 100 sipërmarrësve.
Nga Nicole Bernard ,“Entrepreneur”
Sipërmarrja mund të jetë një veprimtari që në momente të caktuara mund të të bëjë të ndjehesh i vetmuar. Është tepër e vështirë t’u shpjegosh ulje-ngritjet e mëdha shpirtërore njerëzve që nuk i kanë përjetuar ato. Kur hapa biznesin tim të parë, e drejtoja atë me bashkëshortin tim.
Pra kisha dikë me të cilin të shkëmbeja idetë, të shfryja dufin apo të festoja sukseset. Por në vitin 2016 isha e vetme kur hapa agjencinë time të marketingut dixhital. Nuk kisha askënd pranë për të ndarë ide të reja emocionuese apo për t’i kërkuar këshilla kur ishte e nevojshme.
Doja një komunitet, mbështetje. Doja të mësoja se nuk isha e vetme (ose e çmendur) në atë që po përpiqesha të bëja. Kështu më lindi ideja e krijimit të një podkasti. Ishte viti 2017, por gjërat u konkretizuan vetëm në verën e vitit 2019. Të them të drejtën, kisha frikë që ta filloja.
Nuk doja të dilja nga zona ime e rehatisë, dhe të krijoja diçka që mund të kritikohej, përqeshej, ose më e keqja nga të gjitha: diçka për të cilën nuk interesohej askush. Derisa e bëra. Dhe tani që shoh listën e sipërmarrësve teksa po shkruaj këtë artikull, nuk mund të mos buzëqesh. Shumë madje. Kam pasur privilegjin të intervistoj mbi 100 sipërmarrës nga SHBA-ja, Kanadaja, Britania e Madhe dhe Zelanda e Re! Ndërkohë kam disa biznesmenë në radhë nga Australia, India dhe vende të tjera të mrekullueshme në të gjithë globin. Dhe historitë e tyre janë të pabesueshme.
Një nga të ftuarat e mia të para pësoi një emboli pulmonare, dhe nuk ishte e sigurtë se si do të ishte e ardhmja e saj, apo nëse do të arrinte të dilte nga spitali për të parë sërish vajzat e saj. Atje në spital ajo vendosi të bëjë atë që donte vërtet në jetë. Dhe biznesi i saj po lulëzon.
Një tjetër e ftuar u diagnostikua me kancer, e mposhti sëmundjen dhe vendosi të ndiqte ëndrrën e saj të përjetshme për të hapur biznesin e saj. Dhe ajo po e realizon atë (në fakt ka 2 biznese të suksesshme).
Të ftuarit ishin në fakt duke ndjekur shkallët e karrierës në korporata të ndryshme. Por kjo gjë nuk ishte e përshtatshme për taa. Prandaj ata hoqën dorë nga pagat e tyre të qëndrueshme dhe ndoqën zemrat e tyre duke ngritur sipërmarrjet e tyre. Dhe nuk e kthejnë më kokën pas.
Kam mësuar shumë nga të ftuarit e mi gjatë dy viteve të fundit, gjë që ka çuar në një rritje të jashtëzakonshme të biznesin tim. Ja cilat janë 5 leksionet më të rëndësishme që kam mësuar nga intervistimi i më shumë se 100 sipërmarrësve.
- Ndihuni rehat me të qenit në një situatë jokomode
Kjo është shumë e rëndësishme. Dhe nuk mendoj se është ndonjëherë e lehtë. Ju thjesht duhet që të mësoheni të bëni gjëra jashtë zonës suaj të rehatisë. E mbani mend atë që ju thashë më lart se m’u deshën 2 vjet për të krijuar podkastin tim? Epo, në fund e kuptova se thjesht duhej të ecja përpara me projektin.
Gati i anullova 5 intervistat e para pasi kisha shumë frikë t’i realizoja ato. Por i realizova.
Gjërat nuk ishin të përsosura. Unë kërkova në Google se si t’ia filloja, si ta modifikoja dhe si ta shpërndaja një podkast. Shumë njerëz qeshin kur u them emrin e podkastit tim.
Por e dini çfarë? Unë kam krijuar të ardhura, referenca dhe kam një biznes të suksesshëm. Ka qenë një përvojë që nuk mund ta imagjinoja kurrë, dhe është diçka që tani e pres me padurim çdo javë.
- Rëndësia e sistemeve, rutinave dhe delegimit të punëve
Sipërmarrësit që shoh se kanë më shumë sukses, janë ata me sisteme dhe rutinë të punëve. Ata kanë qëllimet e tyre dhe kanë marrë kohën e tyre për të menduar, krijuar dhe vënë në punë sisteme pune që i mbështesin në arritjen e këtyre qëllimeve.
Këtu mund të përfshihen një shumëllojshmëri gjërash të ndryshme bordi drejtues, detyra marketingu apo të natyrës administrative. Asnjë biznes nuk është i njëjtë, por këta pronarë kanë marrë kohë për të vlerësuar biznesin e tyre, dhe për të prodhuar procese që i ndihmojnë ata të kursejnë kohë, para dhe energji, gjë që bën të mundur edhe ngritjen e një biznesi të suksesshëm.
- Sipërmarrësit janë elastikë dhe marrin përsipër rreziqe
Edhe para ardhjes së pandemisë, sipërmarrësit ishin tashmë të përgatitur shumë mirë në përshtatjet e nevojshme në biznesin e tyre. Shumë njerëz nuk ishin të përgatitur për recesionin ekonomik të vitit 2008, por një nga të ftuarit e mi e la punën dhe hapi biznesin e tij gjatë asaj kohe, dhe po korr ende sot frytet e atij investimi!
Disa menduan se kjo ishte një vetëvrasje, por ai u shpërblye për mundin. Edhe pse shumë sipërmarrës duhet të marrin disi shpejt vendime të tilla, kjo nuk do të thotë se ata nuk i peshojnë rreziqet e përfshira. Ata duhet t’i analizojnë gjërat në të gjitha këndet dhe në fund të mbështeten tek intuita e tyre. Ndonjëherë kjo e fundit mund të duket kundër-produktive, por mund të japë në fund rezultate shumë të mira.
- Sipërmarrësit mësojnë vazhdimisht
Qoftë nga sipërmarrës të tjerë, libra, kurse apo nga YouTube, 95% e sipërmarrësve që intervistova thanë se mësojnë vazhdimisht. Ata gjejnë kohë që të mësojnë gjëra që u interesojnë. Ajo që më ra në sy është se ata konsumojnë shumë përmbajtje që gjendet në rrjet, por gjithsesi nuk e humbasin fokusin e tyre. Ata e dinë se në rrjet ka 1 milion gjëra. Mësojnë rreth tyre, por nëse nuk përshtaten me biznesin e tyre, ecin përpara. Ata nuk lejojnë që diçka t’i pengojë në atë që po bëjnë.
- Sipërmarrësit duan më shumë
Ata duan të ndihmojnë më shumë, duan të jenë më shumë me familjen e tyre, duan më shumë liri financiare, duan më shumë kohë për të bërë gjërat që duan. Ata janë të gatshëm të bëjnë gjëra që të tjerët nuk do t’i vlerësojnë shumë. Pra të gjitha këto kanë të bëjnë me mentalitetin.
Filloni të kultivoni tek vetja një mentalitet suksesi dhe rritja juaj do të ndodhë shumë më shpejt! Nisni ta vendosni veten në situata të pakëndshme dhe do të rriteni, ju premtoj! Në fillim do të jetë kaotike, e papërsosur dhe e frikshme. Por kur ta kthenin kokën pas, do të jeni shumë të lumtur që e keni filluar!
Filloni të krijoni sistemet dhe proceset tuaja të punës për të thjeshtuar biznesin tuaj. Kërkoni praktikantë dhe filloni t’u delegoni detyrat që mundeni. Jini të vetëdijshëm se jeni shumë të fortë. Dhe që mund të përshtateni me rrethanat apo të dilni nga çdo situatë e vështirë. Merrni atë që ju nevojitet nga ky artikull, zbatojeni atë në biznesin tuaj, dhe lëreni mënjanë pjesën tjetër. Asnjëherë mos ndaloni së dëshiruari më shumë!
Përgatiti në shqip: Business Mag