Biden-Morrison mbrojnë aleancën ShBA-Australi-Britani
Presidenti amerikan Joe Biden dhe Kryeministri australian Scott Morrison thanë të martën se marrëveshja e re mes këtyre dy vendeve dhe Britanisë është në interes të aleancave globale.
Presidenti amerikan Joe Biden dhe Kryeministri australian Scott Morrison thanë të martën se marrëveshja e re mes këtyre dy vendeve dhe Britanisë është në interes të aleancave globale.
“Parteriteti ynë është në linjë me të gjitha demokracitë e tjera në botë dhe kemi shumë punë për të bërë“, tha zoti Biden gjatë një takimi bilateral me kryeministrin e Australisë.
“Këtu nuk bëhet fjala vetëm për parteritetin tonë, pasi prej tij (partneriteti) përfitojnë edhe të tjerë, qofshin ata miqtë tanë nga Asociacioni i Kombeve të Azisë Juglindore ose Evropës apo në vende tjera me të cilat ndajmë interesa të ngjashme”, tha zoti Morrison gjatë takimit.
Këtë javë, udhëheqës botërorë janë mbledhur në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Më vonë gjatë ditës së sotme (e martë) Presidenti Biden pritet të takohet në Shtëpinë e Bardhë edhe me Kryeministrin britanik Boris Johnson. Të premten zoti Biden do të zhvillojë takime të veçanta me kryeministrat e Australisë, Indisë dhe Japonisë, në kuadër të një iniciative të përbashkët me këto vende ku trajtohen çështje të sigurisë.
Ministrat e Jashtëm evropianë shprehën solidaritetin e tyre me Francën, e cila reagoi pasi Australia anuloi një kontratë për nëndetëse me Parisin në favor të aleancës së re të sigurisë me Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë.
Njoftimi erdhi nga shefi i politikave të jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borell, pas diskutimeve lidhur me ngërçin diplomatik.
“Shpallja e aleancës së mbrojtjes mes këtyre tri vendeve javën që shkoi, përkoi me ditën kur ne po prezantonim strategjinë tonë të Indo-Paqësorit. Sigurisht ne u kapëm në befasi nga ky njoftim që erdhi së bashku me anulimin e kontratës së nëndetëseve me Francën nga qeveria australiane. Pas diskutimeve, nga ministrat e jashtëm kjo vlerësohet si zhgënjyese. Ata shprehën solidaritet të qartë me Francën sepse kjo marrëveshje bie ndesh me thirrjet për bashkëpunim më të madh me Bashkimin Evropian në Indo-Paqësor”, tha zoti Borell.
Javën që shkoi, Presidenti Joe Biden njoftoi aleancën e re që përfshinë Britaninë, një marrëveshje që i siguron Australisë të paktën tetë nëndetëse me energji bërthamore duke zëvendësuar 12 modele konvencionale me naftë që do të ndërtoheshin nga Franca.
Marrëveshja mes Francës dhe Australisë kapte vlerën e 70 miliardë dollarëve.
Parisi reagoi duke thirrur ambasadorët e saj nga Shtetet e Bashkuara dhe Australia.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha se Presidenti Biden do të zhvillojë një telefonatë me homologun francez, Presidentin Emmanuel Macron.
Ajo nuk pranoi të thotë nëse administrata Biden do të bëjë ose jo ndonjë kompensim ndaj Francës./VOA