Si e ndërlikon të ardhmen e Europës ngritja e Kinës

Përpjekja e pandalshme e Pekinit për t’u transformuar në një fuqi globale, e vendos atë në një konkurrencë të drejtpërdrejtë me SHBA-në. Kjo gjë ka ndikuar në marrëdhëniet e dyja kombeve me fuqitë rajonale si Rusia dhe Turqia, dhe këto efekte do të vazhdojnë të ndihen në të gjithë Evropën.


Nga James Jay Carafano, Silviu Nate & Oana-Antonia Colibasanu, 19FortyFive

Përpjekja e pandalshme e Pekinit për t’u transformuar në një fuqi globale, e vendos atë në një konkurrencë të drejtpërdrejtë me SHBA-në. Kjo gjë ka ndikuar në marrëdhëniet e dyja kombeve me fuqitë rajonale si Rusia dhe Turqia, dhe këto efekte do të vazhdojnë të ndihen në të gjithë Evropën.

Përgjatë kufirit, nga Baltiku në Ballkan, fërkimet me Kinën vetëm sa do të shtohen. Diplomacia ekonomike e Kinës, është mekanizmi më ambicioz në politikën e fuqive të mëdha. Nën nismën e Brezit dhe Rrugës, Pekini krijoi mekanizmin 17+1 (tani 16+1, që kur Lituania u tërhoq në maj të këtij viti) me vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore që shtriheshin midis Detit Baltik, Detit të Zi dhe atij Adriatik.

Investimet kineze janë fokusuar kryesisht në infrastruktura të tilla si transporti, energjia dhe sektorët e telekomunikacionit. Gjatë viteve 2009-2019, kjo nismë ka gjeneruar investime në masën 13.5 miliardë dollarë (2/3 e tyre gjatë 5 viteve të fundit).

Kjo shifër përfshin jo vetëm investimet e huaja direkte, por edhe kredi për zhvillim, grante, bashkime kompanish apo blerje të kompanive lokale nëpërmjet marrëveshjeve afatgjata të koncesionit. Por vërshimi i madh i parave kineze, ka ngritur jo pak shqetësime.

Kohët e fundit, Mali i Zi u bë viktima e radhës “kurthit të borxheve”,që ndodh kur një vend merr një hua të madhe nga Kina, pa pasur domosdoshmërisht parasysh një analizë paraprake kosto-përfitim në raport me borxhin publik.

Sot, Mali i Zi i detyrohet Pekinit mbi 1 miliardë dollarë, një borxh që është 1/5 e madhësisë së ekonomisë së vendit. Edhe vende të tjera në rajon si Bosnje Hercegovina, kanë marrë hua kineze, që janë përkthyer në një borxh të rëndësishëm në nivel kombëtar.

Praktika të tilla, jo vetëm që e zgjerojnë ndikimin ekonomik kinez në Evropë, por ato minojnë politikat fiskale të matura si dhe praktikat e qeverisjes së mirë. Për shkak se prania e Kinës menaxhohet përmes marrëveshjeve ndërqeveritare, në këtë aktivitet nuk ka kompani të mëdha kineze të dukshme.

Këto të fundit kontrollojnë më pak se 1 për qind të qarkullimit të përgjithshëm ekonomik në kuadrin e platformës 17+1, e cila është një terren shumë pjellor për korrupsionin. Përveç marrjes së mbështetjes direkte nga qeveria kineze, investitorët privatë kinezë kanë edhe trajtim preferencial në tenderat e prokurimit publik, duke qenë ofertuesit e vetëm për projektet e infrastrukturës.

Për Pekinin, ky korrupsion shndërrohet në një “prioritet” konkurrues për kompanitë kineze. Në Evropë, Kina po bën biznes me demokracitë e dobësuara. Mënyra e saj e të bërit biznes, e minon konkurrencën e tregut të lirë me Perëndimin.

Megjithatë, kjo mënyrë depërtimi në këto tregje është më e sofistikuar sesa ngacmimi, kërcënimet dhe agresioni më pak delikat kriminal i përdorur nga Putin. Kështu, ndërsa Moska ndan antipatinë e Pekinit ndaj Uashingtonit, ndikimi i zgjeruar i Kinës në Evropë paraqet jo pak sfida.

Në vend se ta mirëpresë Kinën si një partnere, Moska duhet të shqetësohet se do të margjinalizohet akoma më tej në rajonin përreth saj. Antipatia ruso-kineze nuk do ta ndihmojë aspak Perëndimin. Tek e fundit, të dyja fuqitë autoritare ndajnë një kauzë të përbashkët:dëshirën për të zvogëluar fuqinë amerikane dhe pavarësinë e Evropës.

Edhe nëse xhelozia dhe mosbesimi ndaj njëri-tjetrit, i pengojnë që të bashkëpunojnë më ngushtësisht, Moska dhe Pekini janë duke lëvizur në të njëjtin drejtim strategjik. Ndërkaq, ndërsa Kina përparon edhe Rusia po dyfishon përpjekjet e saj, për t’i dhënë formë kështu Evropës sipas imazhit të tyre, Turqia ndodhet në udhëkryqin e të gjitha këtyre sfidave.

Pjesa më e madhe e përplasjes së interesave të tyre reflektohet në Kaukaz, nëkryqëzimin midis Evropës dhe Azisë, dhe midis Eurazisë dhe Lindjes së Mesme dhe Azisë. Turqia dhe Kina zhvilluan marrëdhënie më të mira gjatë vitit 2020. Për shembull, Banka Qendrore e Kinës, transferoi 1 miliardë dollarë në Turqi si pjesë e shkëmbimit të monedhës, duke i dhënë një nxitje afatshkurtër rezervave të pakësuara valutore të vendit.

Turqisë i duhet shumë stabiliteti financiar, dhe një partner si Kina mund të jetë shumë i interesuar për t’ia siguruar atë. Gjithsesi, marrëdhëniet midis tyre varen nga mënyra se si ata synojnë të projektojnë ndikimin e tyre në Ballkan dhe më gjerë. Kina ka premtuar prej kohësh investime në rajon. por ka bërë pak për t’i mbajtur ato premtime.

Me socio-ekonominë ruse në telashe, prioriteti aktual i Moskës është të mbajë në këmbë ekonominë, dhe të shmangë trazirat sociale. Por si gjithmonë, Moska duhet të garantojë ekzistencën e një zone tampon midis Rusisë dhe Evropës Perëndimore. Kjo është arsyeja pse vendet si Ukraina, Bjellorusia apo dhe Moldavia mbeten thelbësore për Rusinë.

Moska synon që t’i tërheqë ato larg sferës së ndikimit perëndimor, duke i rikthyer sërish në orbitën e saj. Ndërkohë, Evropa Perëndimore ka qenë më shumë vëzhguese sesa një lojtare serioze, dhe niveli i përpjekjeve që mund të priten nga SHBA-ja në të ardhmen mbetet i pasigurt.

Administrata e re amerikane ka qenë publikisht mbështetëse e Nismës së Tre Deteve, por përtej kësaj, ka pasur pak gjëra të tjera. Ndërkohë, Uashingtoni është i hutuar nga pasojat që ka sjellë tërheqja nga Afganistanit dhe përplasjet e forta në politikën e brendshme.

Reagimi në shumicën e vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore ka qenë përpjekja për të thelluar angazhimin me SHBA-në dhe Evropën, si një kundërpeshë ndaj tërheqjes nga pjesët e tjera të botës. Rumania është një shembull i mirë. Rumunët vazhdojnë t`i përmirësojnë ndjeshëm forcat e tyre të armatosura për të mbështetur operacionet e NATO-s në krahun lindor të aleancës, për të qenë gati në rast se bëhen të nevojshme veprime konkrete.

Realiteti është se SHBA i ka mundësitë ta kundërshtojë aktivitetin kinez dhe rus në rajon, dhe të balancojë interesat turke. Përmes një situate të qëndrueshme të sigurisë në Evropën Qendrore dhe Lindore, demokracitë do të punojnë më mirë për të adresuar sfidat. Këto të fundit e kuptojnë se angazhimi i gjerë ekonomik dhe politik me SHBA-në dhe Evropën Perëndimore është mënyra më e mirë për të mos u shndërruar në njëperiferi të Pekinit apo Moskës. /Përktheu: Alket Goce-abcnews.al


Shënim: James Jay Carafano, nënkryetar i “Heritage Foundation”. Silviu Nate, drejtor i Qendrës së Studimeve Globale në Universitetin Lucian Blaga i Sibiu, Rumani. Oana-Antonia Colibasanu, analiste gjeopolitike dhe lektore në Shkollën Kombëtare të Shkencave Politike dhe Administratës Publike (SNSPA).

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…