Kim takon Bashën: Uashingtoni mbetet i angazhuar për të punuar me PD
Pas përfundimit të takimit me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim, u ndal në një prononcim për mediat.
Pas përfundimit të takimit me kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim, u ndal në një prononcim për mediat.
Ajo theksoi se sapo ishte kthyer nga SHBA, ku kishte folur me shumë ambasadorë, dhe ku kishte informuar shefat e saj për zhvillimit në Shqipëri. Mes të tjerash, ambasadorja Kim tha pas kthimit nga Uashingtoni, ishte shumë e rëndësishme që të shkonte në PD, për të ndarë me kryetarin Basha atë që ka mësuar atje.
“Sapo jam kthyer, u ktheva vetëm disa orë më parë nga Uashington, DC, ku pata mundësinë të bisedoj me udhëheqës të agjensive të ndryshme, përfshirë Departamentin e Shtetit, Shtëpinë e Bardhë, Departamentin e Drejtësisë dhe institucione të tjera. Dhe, sigurisht, pata mundësinë të përditësoj drejtuesit dhe kolegët e mi mbi situatën në Shqipëri. Mendova se ishte jashtëzakonisht e rëndësishme që të vija menjëherë në Partinë Demokratike për të ndarë me ta atë që mësova në Uashington dhe se çfarë do të bëjmë nga ky moment. I thashë Kryetarit Basha se Uashingtoni mbetet i përkushtuar për të punuar akoma më ngushtë me Partinë Demokratike. Ashtu si të gjithë e dinë, qeveria e Shteteve të Bashkuara ka pasur gjithnjë një marrëdhënie të fortë, të veçantë me Partinë Demokratike që prej fillimit. Ne ishim pranë Partisë Demokratike kur ajo mori pushtetin për herë të parë dhe shpresojmë që të kemi mundësi të festojmë prapë kur ajo të marrë pushtetin sërish. Demokracia përkufizohet nga ekzistenca e një partie opozitare të suksesshme dhe të fortë. Ne jemi të gjithë të ndërgjegjshëm se ky është një çast i vështirë për Partinë Demokratike por është një çast i përkohshëm, është një mundësi dhe shpresa jonë si Shtete të Bashkuara është se Partia Demokratike do të dalë më e fortë, do të dalë më e bashkuar, dhe do të jetë sërish në pozita për të fituar zgjedhjet.
Do doja gjithashtu të konfirmoja se në këndvështrimin e Uashingtonit, ne jemi seriozë sa s’bëhet në luftën kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë, dhe do të vazhdojmë të ecim përpara, dhe do të vazhdojmë ta luftojmë këtë problem kudo që e gjejmë atë, pavarësisht nga hierarkia, pozicioni apo partia.
Kam parë disa raportime shqetësuese sipas të cilave ajo që ka ndodhur në lidhje me përcaktimin nga Departamenti i Shtetit, qenka një lloj sulmi ndaj sovranitetit të Shqipërisë. Është diçka faktikisht e gabuar dhe është ofenduese. Do doja t’i kujtoja cilitdo që më 6 maj 1919, kur pjesa tjetër e botës donte që Shqipëria të zhdukej, Shtetet e Bashkuara, Presidenti Uillson ishte ai që ngriti zërin dhe tha se Shqipëria duhet të jetë e pavarur. I vetmi ndryshim në atë deklaratë, të cilën e kemi shtuar, është që Shqipëria duhet të jetë jo vetëm e pavarur, por duhet të jetë edhe sovrane dhe demokratike. Ndaj atyre që janë përpjekur ta vendosin Shtetet e Bashkuara kundër popullit të Shqipërisë do t’iu thoja “E keni gabim!” Populli Shqiptar e di që e keni gabim. Pozicioni ynë për këtë çështje, të pavarësisë, sovranitetit dhe demokracisë së Shqipërisë nuk do të ndryshojë asnjëherë, pozicioni ynë për rendësinë që ka Partia Demokratike nuk do të ndryshojë asnjëherë.
Ka shumë punë për të bërë në ditët, javët dhe muajt që vijnë. Është thelbësore dhe është shumë mirë që Partia Demokratike është kthyer në parlament plotësisht. Ka veprime që duhen ndërmarrë për të siguruar zgjedhje më të mira herën tjetër, për të trajtuar mangësitë që u identifikuan në raportin e ODIHR-it. Ka edhe punë për të bërë për reformën territoriale, ka punë për të bërë kundër korrupsionit. E gjitha kjo kërkon një Parti Demokratike të fortë, të bashkuar që ecën përpara dhe nuk mund të ecësh përpara me një këmbë të ngecur tek e kaluara.
Si gjithmonë, presim me kënaqësi të ecim përpara me Shqipërinë, me popullin Shqiptar, me Partinë Demokratike, duam të shohim nga e ardhmja. Ndaj, le të ecim përpara. Shumë faleminderit.”, tha ambasadorja Kim.