Ambasada e SHBA reagon për fitoren e Florian Markut: Urime për kampionin e parë botëror shqiptar
Ambasada e SHBA në Shqipëri ka uruar boksierin shqiptar Florian Marku për fitoren ndaj kundërshtarit ukrainas një natë më parë.
Ambasada e SHBA në Shqipëri ka uruar boksierin shqiptar Florian Marku për fitoren ndaj kundërshtarit ukrainas një natë më parë.
Në një reagim në rrjetet sociale, ambasada uron Markun si kampion për peshat e lehta të Federatës Ndërkombëtare të Boksit.
“Urime Florian Markut, Kampionit Shqiptar për peshat e lehta të Federatës Ndërkombëtare të Boksit! Ne në Ambasadën Amerikane dërgojmë urimet më të mira për kampionin e parë botëror shqiptar! Urime kampion”, shkruan ambasada.
Boksieri shqiptar ka triumfuar me pikë ndaj ukrainasit Maksim Prodan, pas plot 10 raundesh dhe ka mbajtur fjalën, duke i rrëmbyer kundërshtarit edhe titullin e kampionit të botës në IBF.
Të dy boksierët u përplasën ashpër dy ditë më parë në momentin e peshimit dhe të ceremonisë së fotos zyrtare, por vetëm ndërhyrja e “body-guard”-ëve shmangu nisjen e ndeshjes para kohe.
Megjithatë në ring Florian Marku tregoi superioritet ndaj kundërshtarit dhe ia doli të fitojë titullin kampion bote, e njëkohësisht të konfirmohet si i pamposhtur në boksin profesionist, ku në 10 ndeshje ka fituar 9 dhe ka barazuar një tjetër.