Elsa Hastad: Prioritetet e Presidencës Suedeze në BE për Ballkanin Perëndimor
Ambasadorja e Suedisë në Tiranë, Elsa Hastad, paraqiti prioritetet e Presidencës së BE për Ballkanin Perëndimor.
Ambasadorja e Suedisë në Tiranë, Elsa Hastad në ceremoninë e fillimit të presidencës suedeze të Këshillit të Bashkimit Evropian të zhvilluar të mërkurën, (11.01) në Tiranë, paraqiti prioritetet e kësaj presidence, ku bën pjesë edhe përshpejtimi i ritmeve të integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor.
Lufta në Ukrainë, emergjenca për rritjen e sigurisë, unitetit dhe fuqisë ekonomike të Evropës duket se ka përcaktuar edhe prioritetet e presidencës suedeze të Këshillit Europian, janar – qershor 2023. “Kjo është një presidencë në kohë sfidash historike. Përparësia e parë është siguria dhe uniteti në BE”, tha ambasadorja suedeze, Elsa Hastad.
Ajo theksoi se “lufta e pajustifikuar e Rusisë kundër Ukrainës na dha të kuptojmë që liria dhe demokracia nuk mund të merren kurrë si të mirëqëna”. Në këtë kontekst ambasadorja suedeze në Tiranë u shpreh se “detyra e parë e presidencës suedeze do te jetë të kontribuojë për të garantuar sigurinë e Europës duke mbështetur sistematikisht Ukrainën, rritur ndihmat ekonomike, humanitare, asistencën ushtarake, rindërtimin e Ukrainës, zbatimin e ligjit ndërkombëtar dhe kërkesën e llogarisë ndaj Rusisë”. Hastad i cilësoi sanksionet kundër Rusisë si shumë të rëndësishme.
Konkurrueshmëria dhe rritja ekonomike
Ky është prioriteti i dytë i presidencës suedeze. “Ne kemi nevojë të jemi të sigurt dhe të fortë, Europa ka nevojë të jetë konkurruese. Një BE konkurrues dhe i fortë është shumë i rëndësishëm për vetë BE dhe presidencën suedeze”, tha ambasadorja suedeze në Tiranë, Elsa Hastad.
Tranzicioni në energjinë e gjelbër
Presidenca suedeze “dëshiron të përshpejtojë këtë tranzicion dhe të sigurojë burime për një të ardhme të gjelbër duke investuar më shumë në industri inovative, me zgjedhje të mira dhe të gjelbëra”, vuri në dukje ambasadorja suedeze Hastad.
Vlerat demokratike dhe shteti ligjor
BE bazohet në vlera demokratike të tilla si shteti ligjor, liria, mosdiskriminimi, të cilat do të jenë në thelb të presidencës suedeze të Këshillit të BE dhe përbëjnë prioritetin e katërt të saj, theksoi ambasadorja Hastad.
Progres lidhur me integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor
Çuarja përpara e axhendës së zgjerimit të BE me vendet e BP përbën një përparësi tjetër të presidencës suedeze të Këshillit Evropian. Ambasadorja suedeze në Tiranë, Elsa Hastad e vendosi këtë përparësi në kontekstin e zhvillimeve të fundit pozitive lidhur me integrimin evropian të rajonit si samiti BE-BP në Tiranë, hapja e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në verën e kaluar, dhënia Bosnjë-Herzegovinës e statusit të vendit kandidat për anëtarësim dhe dorëzimi nga Kosova i aplikimit për anëtarësim në BE.
“Samiti në Tiranë dha një mesazh shumë të qartë: duam të shikojmë Ballkanin Perëndimor në familjen evropiane. Situata e sigurisë në Evropë ka ndryshuar pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia. Ka emergjencë lidhur me procesin e zgjerimit të BE dhe rritjen e sigurisë,” theksoi ajo. Christiane Hohmann, ambasadore e BE, e pranishme në ceremoninë e fillimit të presidencës suedeze uroi “një presidencë të suksesshme në këto kohë të vështira për Evropën” dhe e cilësoi axhendën e kësaj presidence si “ambicioze për BE”. /DW