Yolanda Díaz, komunistja që po trazon politikën e Spanjës
Yolanda Díaz, aktualisht zëvendëskryeministre, po drejton një lëvizje të quajtur Sumar (Bashkimi).
Teksa Spanja po hyn në një vit zgjedhor ku do të mbahen zgjedhjet komunale, rajonale dhe kombëtare, gruaja që sipas sondazheve është politikania më popullore për momentin po bën turne në mbarë vendin për të kërkuar mbështetje për kandidatët e majtë. Yolanda Díaz, aktualisht zëvendëskryeministre dhe një anëtare e përjetshme e Partisë Komuniste, po drejton një lëvizje të quajtur Sumar (Bashkimi).
Kjo është një platformë akoma më e majtë se ajo e kryeministrit, Pedro Sánchez dhe që planifikon të paraqesë kandidatët e saj në zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen më 10 dhjetor. Të shtunën, 2 mijë njerëz mbushën një sallë në Barcelonë për të dëgjuar Diaz të fliste ndërsa 1 mijë të tjerë nuk mundën dot të merrnin pjesë. Ajo hyri në sallë e shoqëruar nga një muzikë e fortë, e stilit të “Rocky” e mbështetur nga ovacione në sallë. Në krah kishte Ada Colau, kryebashkiaken e Barcelonës dhe një mbështetëse kryesore e projektit Sumar.
Colau e prezantoi 51-vjeçaren Díaz, duke thënë se ajo përfaqësonte “shpresën dhe perspektivën e utopisë”. “Yolanda na jep të drejtën të ëndërrojmë dhe të shpresojmë. Shpresojmë që ajo të jetë gruaja e parë kryeministre e Spanjës” – tha ajo.
Díaz nuk humbi kohë për të siguruar audiencën e saj katalane se e kuptonte se 40% e njerëzve në këtë rajon do të donin të shkëputeshin nga Spanja. Në një kundërvënie të dukshme ndaj kryeministrit Sánchez, i cili e ka shpallur procesin e pavarësisë të vdekur, ajo tha: “Dëgjoj fjalë të mëdha që duket se thonë se ju keni mbyllur një kapitull të historisë suaj. Nuk e di këtë, por në çdo rast do të jetë koha dhe njerëzit që do të vendosin historinë e vendit tonë”.
Thënë kështu, Díaz nuk është pro pavarësisë dhe projekti i saj është për “një vend të larmishëm dhe plural”. Ajo thotë vazhdimisht se vetëm përmes unitetit, përfshirjes dhe respektimit të identiteteve të ndryshme kombëtare, Spanja mund të shmangë barbarizmin e së djathtës ekstreme.
“Ne po jetojmë një ndryshim epokal dhe duhet të bashkohemi për të formuluar politikat radikale për ta bërë këtë të ndodhë. Nëse nuk bashkohemi, do të humbasim të gjitha të drejtat për të cilat kemi luftuar kaq shumë për të fituar” – tha ajo.
Theksi mbi unitetin mund të shihet si ironik duke pasur parasysh se Sumar u shkëput nga Unidas Podemos, parti aleate në koalicionin qeverisës të udhëhequr nga socialistët e Sánchez, ku Díaz është një ministre e lartë, dhe se nga kjo ndarje mund të përfitojë partitë e djathta që ajo aspiron të mundë.
Politikat e Sumar për reformën e punës, strehimin, gratë dhe politikën sociale në përgjithësi nuk duket se ndryshojnë shumë nga ato të Unidas Podemos. Për më tepër, ajo shprehu mbështetjen e saj për Catalunya en Comú, e cila është në thelb krahu katalanas i Podemos. Mbetet e paqartë nëse, pse dhe ku do të qëndrojnë kandidatët Sumar kundër Podemos.
Teksa Díaz po fliste në Barcelonë, Ione Belarra, sekretari i përgjithshëm i Podemos, ishte në Madrid duke paraqitur planin e partisë për të ofruar një të ardhur bazë nga 700 deri në 1400 euro në muaj për të gjithë personat mbi 18 vjet.
Diaz, e cili është gjithashtu ministre e punës, ka lidhje të forta dhe historike me të majtën. Babai dhe xhaxhai i saj ishin aktivë edhe pse si sindikalistë klandestinë dhe anëtarë të partisë komuniste gjatë diktaturës së Frankos. Diaz kujton se lideri komunist Santiago Carrillo i puthte dorën kur ajo ishte 4 vjeç.
Si një anëtare e komunistëve të “Izquierda Unida”, ajo luajti një rol udhëheqës në bindjen e “shokëve” të saj për të bërë koalicion me qeverinë e Sanchez, në mënyrë që ta tërhiqnin atë më shumë në të majtë. Ajo u largua nga “Izquierda Unida” në fund të vitit 2019, por mbetet anëtare e Partisë Komuniste. Kandidatura e Diaz ka galvanizuar ata në të majtë që janë të zhgënjyer si me socialistët ashtu edhe me Podemos, por edhe ata të cilët lëvizja për pavarësi i ka margjinalizuar në Katalonjë.
“Projekti ynë për vendin nuk është një fushatë elektorale, është më e madhe se kaq. Ne kemi mundësinë të përmirësojmë jetën e njerëzve. Unë mendoj se si popull ne jemi në gjendje të bëjmë një vend më të mirë” – premton ajo. ©Marrë nga The Guardian, përshtati në shqip LAPSI.al