Lindja e një rendi të ri botëror energjitik
Sipas Pozsar, Kina dëshiron të rishkruajë rregullat e tregut global të energjisë
Nga Rana Foroohar, “Financial Times”
Në ditën e Shën Valentinit të vitin 1945, presidenti amerikan Franklin Delano Roosevelt takoi mbretin saudit Abdul Aziz Ibn Saud në bordin e kryqëzorit amerikan “USS Quincy”. Ishte fillimi i njërës prej aleancave më të rëndësishme gjeopolitike të 70 viteve të fundit, në të cilën siguria e ofruar nga SHBA-ja në Lindjen e Mesme, shkëmbehej me naftën e blerë me dollarë.
Por kohët ndryshojnë, dhe 2023-shi mund të mbahet mend si viti kur ky pazar i madh nisi të ndryshonte, pasi po merr formë një rend i ri botëror energjetik midis Kinës dhe Lindjes së Mesme. Ndërsa Kina prej disa muajsh po blen një sasi në rritje të naftës dhe gazit nga Irani, Venezuela, Rusia dhe pjesë të Afrikës me monedhën e saj, takimi i presidentit Xi Jinping me udhëheqësit e Këshillit të Bashkëpunimit Saudit dhe Gjirit në dhjetor të vitit të kaluar, shënoi “lindjen e petro-juanit”, siç shprehet në një artikull analisti i “Credit Suisse” Zoltan Pozsar.
Sipas Pozsar, “Kina dëshiron të rishkruajë rregullat e tregut global të energjisë”, si pjesë e një përpjekjeje më të madhe për të de-dollarizuar të ashtuquajturat vende të BRIC, Brazili, Rusia, India dhe Kina dhe shumë pjesë të tjera të botës, pas përdorimit si një armë të rezervave valutore në dollarë menjë herë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Çfarë do të thotë kjo në praktikë? Si fillim, një pjesë shumë më e madhe e të tregtisë së naftës do të bëhet përmes juanit kinez (renminbi). Xi njoftoi se gjatë 3-5 viteve të ardhshme, Kina do të rrisë jo vetëm në mënyrë dramatike importet nga vendet e Gjirit, por do të punojë drejt një “bashkëpunimit energjetik gjithëdimensional”.
Kjo mund të përfshijë potencialisht eksplorimin dhe prodhimin e përbashkët në vende të tilla si Deti i Kinës Jugore, si dhe investime në rafineri, në industrinë kimike dhe të plastikës. Pekini shpreson që e gjithë kjo veprimtari tregtare e shtuar të paguhet në renminbi, në Bursën e Naftës dhe Gazit Natyror të Shangait, duke nisur që nga viti 2025.
Kjo do të sillte një ndryshim të madh në tregtinë globale të energjisë. Siç e thekson edhe Pozsar, Rusia, Irani dhe Venezuela përbëjnë 40 për qind të rezervave të provuara të naftës në botë, dhe të gjitha po i shesin naftë Kinës me një ulje të madhe të çmimit.
Vendet e Gjirit përmbajnë 40 për qind të rezervave të provuara. Pjesa e mbetur prej 20 për qind i përket Afrikës Veriore dhe Perëndimore dhe Indonezisë , rajone brenda orbitës ruse dhe kineze. Ata që dyshojnë në ngritjen e petro-juanit dhe në dobësimin e sistemit financiar të bazuar në dollarë në përgjithësi, theksojnë shpeshherë se Kina nuk gëzon të njëjtin nivel të besimit global, sundimit të ligjit apo likuiditetit të monedhës rezervë që gëzon SHBA, dhe kjo bën që vendet e tjera të mos dëshirojnë të bëjnë biznes në renminbi.
Ndoshta sepse tregu i naftës dominohet nga vende që kanë më shumë të përbashkëta me Kinën (të paktën sa i përket ekonomive të tyre politike) sesa me SHBA-në. Për më tepër, kinezët kanë ofruar një rrjet sigurie financiare, duke e bërë renminbin të konvertueshëm në ar në bursat e arit të Shangait dhe Hong Kongut.
Ndërsa kjo nuk e bën renminbin një zëvendësues të dollarit si monedhë rezervë, tregtia me petro-juanin sjell pasoja të rëndësishme ekonomike dhe financiare për politikë-bërësit dhe investitorët. Mbi të gjitha, perspektiva e energjisë së lirë po i josh tashmë bizneset industriale perëndimore të investojnë në Kinë.
E tillë është lëvizja e fundit e gjigant gjerman të industrisë kimike BASF për të zvogëluar përmasat e fabrikës së saj kryesore në Ludwigshafen dhe për t’i zhvendosur operacionet në Zhanjiang. Ky mund të jetë fillimi i asaj që Pozsar e quan tendenca “nga fermë në tryezë”, në të cilën Kina përpiqet të kapë më shumë prodhim me vlerë të shtuar në vend, duke përdorur si joshje energjinë e lirë.
Edhe një numër prodhuesish evropianë kanë shtuar vendet e punës në SHBA për shkak të kostove më të ulëta të energjisë atje. Por petro-politika vjen si me rreziqe financiare po ashtu edhe me avantazhe. Vlen të kujtohet se riciklimi i petro-dollarëve nga vendet e pasura me naftë në tregjet në zhvillim si Meksika, Brazili, Argjentina, Zaire, Turqia dhe nga bankat tregtare amerikane nga fundi i viteve 1970 e në vazhdim, shkaktoi disa kriza borxhi në tregjet në zhvillim.
Ndërkaq petro-dollarët e përshpejtuan krijimin e një ekonomie më spekulative dhe të nxitur nga borxhet në SHBA, pasi bankat e mbushura me para të gatshme krijuan të gjitha llojet e “risive” të reja financiare dhe një fluks i kapitalit të huaj i dha mundësi SHBA-së të ruante një deficit më të madh.
Tani kjo tendencë mund të fillojë që të kthehet në drejtimin e kundërt. Tashmë, ka më pak blerës të huaj për bonon e thesarit të SHBA-së. Nëse forcohet petro-juani, kjo do të ushqente ndjeshëm kursin e de-dollarizimit të ekonomisë globale.
Kontrolli i më shumë rezervave energjetike nga Kina dhe i produkteve që burojnë prej tyre, mund të jetë një kontribues i ri i rëndësishëm në inflacionin e ekonomive në Perëndim. Ky është një problem që përparon ngadalë, por ndoshta jo aq sa mendojnë disa pjesëmarrës të tregut.
Dhe çfarë duhet të bëjnë në këto kushte politikë-bërësit dhe drejtuesit e biznesit? Nëse do të isha drejtuese e një kompanie shumëkombëshe, do të kërkoja të rajonalizoja dhe lokalizoja sa më shumë që të jetë e mundur prodhimin për ta mbrojtur atë kundër një tregu energjetik shumëpolar.
Po ashtu do të zhvilloja një integrim vertikal më të madh për të kompensuar rritjen e inflacionit tek zinxhirët e furnizimit. Në rast se do të isha një politikë-bërëse e SHBA-së, do të mendoja mbi mënyrat më të mira për të rritur prodhimin e naftës argjilore në Amerikën e Veriut në periudhën afatshkurtër dhe atë afatmesme (dhe t’ua ofroja evropianëve me ulje çmimi), duke e përshpejtuar edhe tranzicionin drejt ekonomisë së gjelbër.
Kjo është një tjetër arsye se përse evropianët nuk duhet të ankohen për Aktin e Reduktimit të Inflacionit, që subvencionon prodhimin e energjisë së pastër në SHBA. Rritja e petro-juanit duhet të jetë një nxitje për SHBA-në dhe Evropën që të distancohen sa më shpejt nga karburantet fosile.