Arrin në 40 numri i viktimave pas sulmit rus në Dnipro të Ukrainës

Ekipet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë punën për gjetjen e viktimave dhe të mbijetuarve nën rrënoja.


Autoritetet ukrainase njoftojnë se numri i viktimave pas sulmit me raketa ruse gjatë fundjavës në qytetin Dnipro ka arritur në 40, një nga sulmet më të rënda kundër civilëve që nga fillimi i agresionit të Moskës kundër Kievit pothuajse 11 muaj më parë. Ndërkohë, një raport i ri nga disa ekspertë perëndimorë thotë se ka disa tregues që lënë të kuptohet se Kremlini po synon një luftë të zgjatur në Ukrainë.

Ishte sulmi më vdekjeprurës për nga numri i viktimave civile, që para verës, sipas një projekti për ndjekjen e krimeve të luftës të agjencisë së lajmeve Associated Press.

Ekipet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë punën për gjetjen e viktimave dhe të mbijetuarve nën rrënoja.

Administrata rajonale tha se deri tani janë shpëtuar 39 persona, ndërsa 30 të tjerë rezultojnë të zhdukur. Autoritetet thonë se të paktën 75 persona janë plagosur.

Rreth 1 mijë e 700 njerëz jetonin në ndërtesën shumëkatëshe. Banorët thonë se godina që u sulmua nuk i përkiste ushtrisë ukraianse.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy në një fjalim të dielën vonë iu drejtua shtetasve rusë kudo që ndodhen.

“Ju që ende nuk keni thënë asnjë fjalë për ta dënuar terrorin, edhe pse e dini se çfarë po ndodh. Heshtja juaj frikacake, pritja për të parë se si do të rrjedhin gjërat, do të përfundojë kur një ditë po këta terroristë do të vijnë pas jush”, tha ai.

Shefi i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell e quajti këtë dhe sulmet e ngjashme “agresion çnjerëzor”, sepse siç tha ai janë vënë në shënjestër drejtpërdrejt civilët.

“Këto krime nuk do të mbeten pa u ndëshkuar”, shkroi ai në Twitter.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se ushtria ruse nuk vë në shënjestër ndërtesa banimi, ndërsa pretendoi se ndërtesa në Dnipro është goditur si rezultat i veprimeve të mbrojtjes ajrore të Ukrainës.

Sulmi në këtë ndërtesë erdhi mes një breshërie të raketave ruse në Ukrainë. Ushtria ukrainase tha dje se nuk arriti të gjurmonte llojin e raketës ruse që goditi ndërtesën e banimit në Dnipro.

Ndërkohë, vazhdojnë luftimet e ashpra në provincën lindore të Donetskut, ku ekspertët ushtarakë parashikojnë se të dyja palët do të pësojnë humbje të mëdha.

Donetsku dhe provinca fqinje e Luhanskut përbëjnë Donbasin, një rajon industrial që shtrihet përgjatë kufirit me Rusinë, përparësi e presidentit rus Vladimir Putin që nga fillimi i luftës.

Në atë rajon, separatistët e mbështetur nga Moska luftojnë kundër forcave të Kievit që nga viti 2014.

Forcat ajrore ruse dhe bjelloruse filluan të hënën stërvitje të përbashkëta në Bjellorusi, e cila kufizohet me Ukrainën dhe shërbeu si terren për nisjen e sulmit rus kundër Ukrainës më 24 shkurt.

Stërvitjet do të zgjasin deri më 1 shkurt, tha ministria bjelloruse e Mbrojtjes. Pjesë e stërvitjes në Bjellorusi janë edhe avionët luftarakë rusë.

Instituti për Studimin e Luftës me bazë në Uashington publikoi një raport mbi treguesit se Kremlini po ndërmerr hapa për ta kthyer sulmin kundër Ukrainës në një luftë konvencionale, muaj pas disfatave ushtarake.

Ajo që Moska e quan “operacion special ushtarak” synonte kapjen e kryeqytetit ukrainas brenda pak javësh dhe vendosjen e një regjimi të afërt me Kremlinin, por forcat ruse u tërhoqën përfundimisht nga rrethina e Kievit, tha instituti i ekspertëve.

Kjo u pasua me një kundërofensivë të suksesshme ukraianse në muajt e fundit, para se fillimi i dimrit të ngadalësonte përparimet ushtarake.

“Kremlini ka të ngjarë të bëhet gati për veprime vendimtare strategjike në gjashtë muajt e ardhshëm, për të rifituar epërsinë dhe t’i japë fund serisë aktuale të sukseseve operacionale të Ukrainës”, thuhet në raportin e publikuar të dielën vonë.

Raporti vë në dukje “përgatitjet serioze” të komandës ushtarake ruse për të zgjeruar mobilizimin, duke ruajtur trupat e moblizuar për përdorim në të ardhmen, ndërsa kërkon rritjen e prodhimit industrial ushtarak dhe riorganizimin e strukturës së saj komanduese.

Kjo do të thotë se aleatët perëndimorë “duhet të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën në periudhë afatgjate”, shtoi grupi i ekspertëve.

Ditët e fundit, vendet anëtare të NATO-s po sigurohen që Ukraina të ketë kapacitetet e nevojshme për të mbrojtur veten.

Mbretëria e Bashkuar ka premtuar tanke, ndërsa ushtria amerikane filloi stërvijet e zgjeruara të forcave ukrainase në Gjermani të dielën. /VOA

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…