Si shpëtoi për 30 vjet Matteo Messina Denaro, kryemafiozi i Cosa Nostra

Kreu i Cosa Nostra-s dhe i arratisuri kryesor italian nuk gjendej prej 30 vitesh, edhe pse tashmë diheshin shumë gjëra për të.


Kreu i Cosa Nostra-s dhe i arratisuri kryesor italian nuk gjendej prej 30 vitesh, edhe pse tashmë diheshin shumë gjëra për të.

Matteo Messina Denaro, i arratisuri më i njohur i mafias italiane, i konsideruar si kreu i Cosa Nostra, është arrestuar mëngjesin e së hënës. Autoritetet e kishin kërkuar për 30 vjet, pa sukses, pavarësisht se dinin shumë gjëra për të: se vuante nga strabizmi, se i pëlqenin ëmbëlsirat dhe se shumë orë i kalonte duke luajtur videolojëra (dëshmia e disa të penduarve) dhe duke zgjidhur lojëra “puzzle” (kishte kontaktuar përmes një të besuari të tij një kompani prodhuese për të rimarrë një copë të humbur), se e quanin “U Siccu”, (I sëmuri) dhe se i kishte vënë vetes pseudonimin Diabolik (I djallëzuari). Ata e dinin gjithashtu se kishte hequr dorë nga inicialet e qepura në mëngët e këmishave të tij, një e dhënë e mundshme për identitetin e tij dhe se e ruante formën e trupit duke u stërvitur me biçikletë të palëvizshme.

Me kalimin e kohës, prokurorë nga e gjithë Italia dhe forca policore nga e gjithë bota janë përfshirë në kërkimin e Messina Denaro-s, siç tregohet nga operacioni i çuditshëm i kryer në shtator 2021 nga forcat speciale holandeze në një restorant në Hagë. Prokuroria Publike e Trentos, e cila po hetonte një rrjet të pastrimit të parave, u bind se në atë restorant ndodhej Matteo Messina Denaro: ndërhyrja përfundoi me një ngatërrim të bujshëm personash: në vend të tij u arrestua një anglez.

Për 30 vite Matteo Messina Denaro konsiderohej “numri një” në mesin e të arratisurve italianë dhe një nga më të kërkuarit në botë. Hera e fundit që dikush e kishte parë të lirë ishte në gusht 1993: Messina Denaro ishte me pushime në Forte dei Marmi me miqtë e tij të besuar Filippo dhe Giuseppe Graviano. Që atëherë deri më sot nuk dihej asgjë. Rrëfimet për të kishin skicuar figurën e një mafiozi të pamëshirshëm, gati për të vrarë edhe të pafajshmit, ndoshta më të zgjuar se të tjerët, sigurisht më i matur, në kufi me paranojën. Deri më sot ai nuk kishte qenë kurrë në burg.

Messina Denaro lindi në Castelvetrano (Trapani), në luginën Belice, në vitin 1962. Ai ndoqi shkollën atje derisa u tërhoq nga Instituti Teknik Tregtar Ferrigno. Siç raportohet në librin “I padukshmi”, shkruar nga Giacomo Di Girolamo, në një letër të gjetur nga policia në vitin 2015, Messina Denaro shkroi: “Kam disa brenga në jetën time. Fakti që nuk kam studiuar është një prej tyre. Ishte një nga gabimet më të mëdha të jetës sime, zemërimi im më i madh është se isha student i mirë vetëm se u shpërqëndrova me diçka tjetër”.

Çfarë e shpërqëndroi Messina Denaron ishin gjurmët e babait të tij, Francesco, don Ciccio, bosi mafioz i Castelvetrano-s i lidhur nga një aleancë e ngushtë me Corleonesi të Totò Riina, klani fitues i viteve tetëdhjetë dhe nëntëdhjetë. Në moshën njëzet vjeçare, Messina Denaro mori pjesë aktive, së bashku me Corleonesi, në luftën kundër familjeve rebele të Marsala dhe Belice. Ai u bë nxënës i Totò Riina. Ai ishte tashmë një mafioz, por merrte përfitimet e papunësisë nga INPS dhe mburrej për këtë. Qarkullonte me një Porsche, vishej me Armani dhe mbante një Rolex Daytona në kyçin e dorës.

Ishte Paolo Borsellino, në vitin 1989, ai që shkroi për herë të parë emrin e tij në një dosje hetimore. Një komisar policie nga Castelvetrano, Rino Germanà, filloi ta hetonte atë djalë: dhe ai djalë vendosi ta vriste. Messina Denaro, Leoluca Bagarella dhe Giuseppe Graviano, në bordin e një Fiat Tipo e gjetën Germanà në lungomaren e Mazara del Vallo. Filluan të qëllonin, inspektori iu përgjigj zjarrit, doli nga makina dhe u hodh në det i ndjekur nga Bagarella të cilit iu bllokua kallashnikovi.

Vite më vonë, Giovanni Brusca tha gjatë seancës së një gjyqi: “Bagarella nuk di të përdorë armë moderne”. Germana shpëtoi.

Pas sulmit, Messina Denaro u shpall në kërkim: emri i tij u fut zyrtarisht në listën e të kërkuarve më 2 qershor 1993. Në atë moment ai ishte bërë tashmë kreu i Cosa Nostra në provincën e Trapanit, lider i padiskutueshëm i rekrutëve të rinj. Paratë vinin nga gjobat: për shumicën e kontratave, marrëveshjeve, transaksioneve në zonën e Trapanit, një përqindje duhej t’i paguhej Messina Denaros.

Shumë para të tjera erdhën nga depozitimi i paligjshëm i mbetjeve, pastrimi i parave dhe natyrisht trafiku i drogës. Paratë kalonin nëpër llogaritë e qindra emrave fiktivë. Messina Denaro bëri deri tani biznes në Amerikën e Jugut, Spanjë, Francë, Holandë, Afrikën e Veriut. Shumë besnik ndaj Totò Riina, Messina Denaro ushtroi kontroll ushtarak mbi zonën e Trapanit. Ishte ai që vendosi objektivat për të goditur, ishte ai që komandonte ushtritë në luftërat mafioze.

Shumë para vinin edhe nga kontratat: familja e tij praktikisht kishte monopolin e ndërtimit në krahinë. I gjithë cikli i prodhimit i përkiste familjes që çoi në ndërtimin e shtëpive të paligjshme kudo, përgjatë bregdetit të Castelvetrano dhe Mazara del Vallo. Samitet e mafias u mbajtën në një nga kompanitë e tij të prodhimit të betonit. Po aty u mor vendimi për atentatin ndaj Maurizio Costanzo dhe mori formë strategjia e masakrës për hakmarrje. Ishte ai që i tregoi Toto Riinës monumentet që duhej të goditeshin në Romë, Milano dhe Firence për të sulmuar shtetin midis viteve 1992 dhe 1993.

Francesco Geraci, një i penduar mafioz, ka thënë: “Një ditë Matteo erdhi të më takonte duke më pyetur se çfarë mendoja për një projekt për të kryer sulme kundër njerëzve të famshëm si Pippo Baudo, Maurizio Costanzo, Martelli, Santoro dhe personalitete të tjera të rëndësishme. Ai tha se kjo do të destabilizonte shtetin. Unë u përgjigja: “Mirë është”. Kështu ai më tha se së shpejti do të shkonim në Romë për t’u shoqëruar me VIP-at”.

Para se të nisej, Messina Denaro mori Geracin, Vincenzo Sinacori, Giuseppe Graviano dhe Fifetto Cannella për të blerë disa kostume elegante. Në Romë ata frekuentonin klubet e modës duke shpresuar të takonin njerëz të famshëm të spektaklit dhe aktorë. Ata filluan të studiojnë lëvizjet e Maurizio Costanzo, shkuan të paktën dy herë në teatrin Parioli, ku Costanzo regjistronte transmetimin e tij. Atentati u krye në via Fauro, në Romë, më 14 maj 1993: Costanzo dhe gruaja e tij Maria De Filippi shpëtuan të padëmtuar.

Shpërthimi me bombë pranë shtëpisë së Maurizio Costanzo

Messina Denaro vendosi që pas Vincenzo Milazzo, bosi mafioz i Alcamo, i cili ishte shumë kritik ndaj Corleonesëve, të vdiste edhe e fejuara e tij Antonella Bonomo, tre muajshe shtatzënë, e mbytur më 15 korrik 1992. Ishte gjithashtu ai që autorizoi rrëmbimin dhe vrasjen e Giuseppe Di Matteo, djali trembëdhjetë vjeçar i një mafiozi të penduar, i rrëmbyer në San Giuseppe Jato, në provincën e Palermos, më 23 nëntor 1993, u mbyt dhe më pas u tret në acid nga Giovanni Brusca më 11 janar 1996, pasi 25 muaj pengmarrjeje.

Por Messina Denaro është përpjekur gjithmonë të shfaqet ndryshe nga figura klasike e mafiozëve. Në një letër të datës 1 shkurt 2005, e gjetur në një strehë të braktisur dhe e nënshkruar me Alessio (pseudonim që ai përdorte shpesh), ai shkruante:

“Sot jetoj ashtu siç më ka dashur fati, më intereson vetëm të jem njeri korrekt, korrektësinë e kam bërë filozofinë time të jetës dhe shpresoj të vdes një njeri i drejtë, gjithçka tjetër nuk ka më vlerë. Mos mendo se e them këtë me arrogancë, po të më shihje do të vije re vetëm përulësi në thënien time, në fjalët e mia nuk ka as keqdashje dhe urrejtje ndaj askujt; shiko, kam njohur dëshpërimin e pastër dhe kam qenë vetëm, kam njohur ferrin dhe kam qenë vetëm, kam rënë shumë herë dhe jam ngritur vetëm; Unë kam njohur mosmirënjohje të pastër nga ana e të gjithëve dhe të kujtdo dhe kam qenë vetëm, kam njohur shijen e pluhurit dhe në vetmi jam ushqyer me të; a mund të ketë ende besim një njeri që i ka kaluar të gjitha këto në heshtje? Nuk besoj. Sot pres që fati im të përmbushet duke ndjekur këtë mendim: “Pashë çfarë më dha jeta dhe nuk u tremba, nuk i hodha sytë mënjanë dhe nuk e fala atë që nuk falet”.

Dhe në një letër tjetër, ku ndër të tjera citonte shkrimtarin brazilian Jorge Amado:

“Jorge Amado thoshte se nuk ka asgjë më të ulët se drejtësia që shkon dorë për dore me politikën dhe unë jam plotësisht dakord me të. Sa për vdekjen mendoj se kam pasur një marrëdhënie të veçantë me të, gjithmonë më ka qëndruar pranë dhe di ta njoh, si djalë e kam sfiduar lehtë nga pamaturia rinore, sot si burrë i pjekur nuk e sfidoj, thjesht e godas në kokë sepse nuk e kam frikë, jo aq për shkak të kurajos time, por më shumë sepse nuk e dua jetën. Vdekjen e ka frikë kush është mirë në këtë tokë, që ka diçka për të humbur. Unë mbi ëtë tokë nuk kam kaluar mire, ndaj nuk kam asgjë për të humbur, madje as dashuritë e mia sepse i kam humbur ato në materie për kaq shumë vite. Shpresoj vetëm të përfundoj atë që kam planifikuar para se të largohem. Ka ende faqe të historisë sime që duhen shkruar. Nuk do të jenë këta “të mirët” dhe “të drejtët” e epokës sonë, të kapur në kthetrat e fanatizmit, që do të arrijnë të ndalojnë një njeri si unë.”

Pas arrestimit të Totò Riina më 15 janar 1993, Messina Denaro u bë udhëheqësi i padiskutueshëm i Cosa Nostra. Nuk kishte mundësi të tjera, ai kishte qenë “delfini” i tij. Më vonë Riina duket se u pendua për këtë zgjedhje. Në vitin 2013, në burgun e Operas ku mbahej nën regjimin “41 bis”, ai u regjistrua duke biseduar me Alberto Lorusso, nga Pulia e Sacra Corona Unita: «Babai e kishte mirë. Dreq por djali nuk merr asgjë. Ky zoti Messina që i bën këto shtylla, shtyllat e erës, shtyllat e dritës, mund t’i fusë në b*thë. Këtij i duket vetja si komandues, i duket sikur hedh dritë kudo, ngre kulla për të marrë para”. Riina ndoshta ankohej për strategjinë e re të pasardhësit të tij, liderit të
brezit të ri të Cosa Nostra-s, ai i mafiozëve sipërmarrës që, siç tha një i penduar, “preferonin një të vrarë më pak, por më shumë para”.

Bosi i mafias, Toto Riina

 

Ka shumë gjëra që e dallojnë Messina Denaron nga mafiozët si Totò Riina dhe Bernardo Provenzano. Njëra është se Messina Denaro nuk është e martuar, nuk ka një familje tradicionale rreth tij. Sonias, një prej të fejuarave të tij, ai i shkroi në periudhën e tij të parë në arrati: “Nuk dua as të mendoj të të përfshij në këtë labirint, nga i cili nuk e di se si do të dal për faktin e thjeshtë, që nuk e di si dhe kur kam hyrë në të. Mos mendo më për mua, nuk ia vlen”.

Një tjetër e dashur, Maria Mesi, pati probleme me drejtësinë pasi e arrestuan për ndihmën që i dha. Në vitin 1995 ajo i dërgoi një letër kreut të Cosa Nostra në të cilën i shkruante: «Të lutem mos më thuaj jo. Unë me të vërtetë dua të të bëj një dhuratë. E di që kam lexuar në revistën e lojërave që kaseta e “Donkey Kong 3” është gati dhe mezi pres që të dalë në treg për ta blerë për ty. Ajo e “Secret Maya 2” nuk ka ardhur ende. Ti je gjëja më e bukur që ekziston”.

Pikërisht duke ndjekur Mesin policia iu afrua më shumë Messina Denaros. Ndodhi në vitin 1998 kur, duke ndjekur atë, hetuesit zbuluan një strehë në Bagheria në rrugën Milëaukee 40. Kur agjentët hynë brenda, i arratisuri tashmë ishte zhdukur. U gjet një kavanoz Nutella, një me havjar, një lojë puzzle ende e paplotësuar dhe një stekë cigaresh Merit.

Para Maria Mesit dhe Sonias kishte qenë një grua austriake, Andrea Haslehner, të cilën ai e quante Asi. Ata ishin fejuar për katër vjet, nga viti 1989 deri në vitin 1993. Ata ishin takuar në Castelvetrano kur ajo ishte recepsioniste në hotelin Paradise Beach. Messina Denaro, Graviano dhe mafiozë të tjerë filluan të frekuentonin hotelin me zell. Drejtori Nicola Consales ia bëri të qartë Andrea Haslehnerit se ata njerëz nuk ishin të mirëpritur: e vranë më 21 shkurt 1991.

Mes viteve 1995 dhe 1996, Messina Denaro kishte gjithashtu një lidhje me një grua tjetër nga Castelvetrano, Franca Alagna. Në vitin 1996, të dy patën një vajzë, Lorenzën. Që atëherë, Alagna humbi çdo autonomi, gjithnjë e detyruar të mbyllej në shtëpi dhe, kur dilte jashtë, shoqërohej nga të afërmit ose nga rojet. Në vitin 2013, kur vajza e saj ishte gati të rritej, ajo dhe nëna e saj kërkuan që të mund të largoheshin nga Castelvetrano dhe si pasojë të largoheshin nga bota e Messina Denaro. Shefi e dha pëlqimin nga arratia. Sipas hetuesve, vajza nuk e ka parë kurrë babanë e saj. Më 14 korrik 2021 Messina Denaro u bë gjysh, vajza e tij lindi një fëmijë që nuk mban mbiemrin e babait por mbiemrin e nënës.

Megjithatë, mbi të gjitha është një grua tjetër që ka qenë gjithmonë pranë Messina Denaro: motra e tij Patrizia. Ishte ajo që për një kohë të gjatë kontrollonte shkëmbimin e mesazheve për të vëllain dhe i merrte për të. Në vitin 2018, u dënua me 14 vjet burg për bashkëpunim me mafian. Në arsyet e dënimit shkruhej: “Konstatohet se e pandehura kishte përcjellë komunikime shumë të rëndësishme për dhe nga burgu, duke vepruar si ndërmjetëse mes të burgosurve të tjerë mafiozë dhe vëllait të saj të arratisur”.

Që atëherë, kujdesi i Messina Denaro ishte rritur. Hetimet kishin vërtetuar se ai jepte urdhra përmes një rrjeti të dërguarish shumë të besuar. Nuk përdorte telefona, vetëm “pizzini”, bileta me shkrim dore. Ishte ai vetë që shpjegoi se si të vepronte në një biletë që iu dorëzua ish-kryebashkiakut të Castelvetrano, Antonio Vaccarino, i cili në fakt vepronte në emër të Sisdes, Shërbimit për Informacionin dhe Sigurinë Demokratike. Vaccarino arriti të vihej në kontakt me Messina Denaro duke propozuar hapjen, si emër fiktiv, të një zinxhiri supermarketesh në zonën e Agrigentos. Të dy filluan të shkëmbenin letra. Në të parën, Messina Denaro shkroi:

“Të gjithë njerëzit që kanë kontakt me mua kanë emra konvencionalë. I yti është Svetonio, kjo do t’ju mbrojë nga rreziqet e panevojshme. Për shembull ndërmjetësi ynë kur merr një shënim, Svetonio e di që duhet t’jua sjellë juve, duke shmangur kështu shpjegimet sa herë që e dërgoj. Kështu që do të më falni nëse jua ndryshoj emrin. Ti ma mbyll letrën duke shkruar Alessio, atëherë unë do t’ju përgjigjem me të njëjtin sistem. Ky person do të vijë direkt tek ju dhe do t’ju thotë se vjen nga kumbari juaj Alessio që jam unë. Ju duhet të ma dërgoni letrën tuaj me përgjigjet përmes të njëjtit person me të cilin do të merrni letrën time, mendoj se nuk do ta keni të vështirë ta gjeni ose ta kërkoni. Ju duhet ta dërgoni letrën jo më vonë se data 20 dhjetor, mund ta dorëzoni edhe në datën 19 por jo më vonë se përndryshe nuk do të më arrijë më. Ju nuk do të merrni përgjigjen time menjëherë. Duke pasur parasysh kohët që po kalojmë dhe duke qenë se të gjithë më janë vënë pas”.

Kur Bernardo Provenzano u arrestua më 11 prill 2006, i fshehur në një shtëpi pranë Corleones, policia gjeti bileta të shumta, në të cilat Messina Denaro i shpjegonte shefit të moshuar se çfarë biznesi po krijonte me Vaccarino-n. Ish-kryebashkiaku më pas mori një biletë të fundit në të cilën Messina Denaro rekomandoi “të bëni një jetë transparente për të mos u përfshirë në hetim”.

Kur gazeta La Repubblica zbuloi se Vaccarino po vepronte në të vërtetë si infiltruar në emër të SISDE, Messina Denaro ndërpreu çdo kontakt.

Bernardo Provenciano, pas arrestimit

 

Ndoshta edhe falë sistemit të biletave, Messina Denaro arriti të ishte i arratisur për 30 vjet, duke ruajtur fuqinë e tij të paprekur. Nuk kishte asnjë gjurmë gishtash të tij, kishte vetëm një regjistrim në të cilin dëgjohej zëri i tij: ruhej në arkivin e gjykatës Marsala dhe daton në vitin 1993. Fotografitë e qarkulluara deri më tani ishin të vjetra, nuk kishte asnjë sinjalistikë sepse ai nuk ka qenë kurrë i burgosur. Në fakt, kishte vetëm skica se si mund të dukej ai sot, në moshën 60-vjeçare.

Sipas hetuesve që e kanë kërkuar, ai ka qenë për një kohë të gjatë larg Sicilisë, jashtë vendit. Kjo u mendua edhe sepse biletat që ai dërgoi mbërritën në destinacionin e tyre edhe muaj më vonë. Duket e sigurt se në fillim të viteve 2000, me një emër të rremë, ai u trajtua në Barcelonë për një sëmundje të zemrës. Sipas pamjeve të skicuara ai ka qenë në Austri, Zvicër, Spanjë, Tunizi, sigurisht në Greqi ku ka shkuar në vitin 1994 me Mesin. Ai gjithashtu duket se ka pasur lidhje me Venezuelën.

Në varrezat ku është varri i babait të tij (vdiq nga një atak në zemër në vitin 1998 në arrati) ka kamera, por nuk është parë asnjëherë aty. Disa të penduar dëshmuan se e dinin se ai do të vendosej në Toskana dhe se do të bënte një fytyrë të re në Bullgari. Bashkëpunëtori i drejtësisë Mario Pasta pohoi se në maj 2010 Messina Denaro ishte në stadiumin Barbera për një ndeshje mes Palermos dhe Sampdorias. Aty do të takohej me shefat e tjerë.

Por laku u ngushtua shumë kohët e fundit. Motra e tij, krahu i tij i vërtetë i djathtë, është në burg. Shumë nga njerëzit e tij të besuar janë kapur. Operacionet policore për arrestimin e bashkëpunëtorëve të tij pasojnë njëra-tjetrën si dhe sekuestrimi i pasurive të menaxhuara në emër të tij nga të emëruarit. Midis tyre është edhe një krah i kështjellës Castelvetrano. Giovanni Franco Becchina, një tregtar i njohur ndërkombëtar i veprave të artit dhe gjetjeve me vlerë historiko-arkeologjike, që bëri biznes në botën e artit për Messina Denaro. Atij iu sekuestruan pasuri, kompani, tokë, llogari bankare, automjete dhe ndërtesa, duke përfshirë kështjellën Bellumvider të Castelvetrano, e ndërtuar në kohën e Frederikut II, atëherë rezidenca fisnike e familjes Tagliavia-Aragona-Pignatelli, princërve të Castelvetrano. Të gjitha pronat, sipas Drejtorisë së Hetimit Antimafia, i përkisnin në fakt Messina Denaro.

Bashkëpunëtori i drejtësisë Mariano Concetto tha gjithashtu se ishte porositur nga Messina Denaro për të vjedhur Satirin e Dancing, një gjetje shumë e rëndësishme arkeologjike e ruajtur në Mazara del Vallo. Për atë punë, zbuloi Concetto, “shefi tha se nuk do të shihnim asnjë euro. Dhe se po të ishim ankuar do të kishim përfunduar në kanalin e Mesinës”. Mirëpo, Messina Denaro nuk arriti ta përfundonte kurrë atë vjedhje./Il Post, përshtati Lapsi.al

https://www.ilpost.it/2023/01/16/matteo-messina-denaro-storia-latitante-30-anni/

Kupa e Botës 2026, Shqipëria pozicionohet në vazon 3 për shortin e kualifikueseve

Shorti do të hidhet më 13 dhjetor në Zyrih të Zvicrës dhe Shqipëria është pozicionuar në vazon 3.

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Kupa e Botës 2026, Shqipëria pozicionohet në vazon 3 për shortin e kualifikueseve

Shorti do të hidhet më 13 dhjetor në Zyrih të Zvicrës dhe Shqipëria është pozicionuar në vazon 3.