Pritja për trupin diplomatik, Begaj: Shqiptarët, faktor paqeje në Ballkan

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka zhvilluar ditën e sotme një ceremoninë e pritjes së trupit diplomatik në Shqipëri.


Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka zhvilluar ditën e sotme një ceremoninë e pritjes së trupit diplomatik në Shqipëri.

Në fjalën e tij Begaj falënderoi aleatët e NATO-s dhe SHBA për mbështetjen e bashkëpunimin që Shqipëria t’i ballë sulmeve të natyrave të ndryshme për të destabilizuar apo dëmtuar vendin tonë.

Po ashtu Begaj shtoi se shqiptarërt do të mbeten një faktor paqeje në Ballkan dhe promovues të imazhit të një ballkani pasional, por jo konfliktual.

Fjalimi i plotë:

Të nderuar ambasadorë dhe anëtarë të trupit diplomatik! Të nderuar miq e pjesëmarrës!

Si fillim, më lejoni t’Ju uroj një vit të mbarë e të frytshëm në vendin tonë për ju dhe familjet tuaja! Në vijim, e pikësëpari dua të ndaj me ju shqetësimin për situatën në të cilën ndodhet Europa dhe rrezikun që shfaq kokën herë këtu e herë atje në Ballkan.

E kam fjalën për agresionin e Federatës Ruse ndaj Ukrainës, i cili vijon përpos bashkërendimit dhe vendosmërisë euroatlantike në mbështetje të integritetit territorial të Ukrainës, qeverisë së saj dhe popullit ukrainas. Shqipëria mbetet vendosmërisht në krah të ukrainasve, e aktivisht pjesë e bashkëpunëtore e aleancës euroatlantike. Shpresa jonë është që konflikti të marrë fund dhe agresori të zërë mend, duke kuptuar se kemi mjaft sfida për të përballuar globalisht, dhe luftërat e hapura të integritetit të vendeve e popujve nuk duhet të jenë pjesë e këtyre sfidave.

E them këtë me plotgojë si Presidenti i një vendi që nuk është gjendur asnjëherë në rolin e agresorit, por i është dashur të vetëmbrohet vendosmërisht. Dhe, rasti më i freskët është sulmi kibernetik ndaj shtetit shqiptar, sulm i strukturuar në skuta totalitare dhe i lëshuar dëshpërimisht ndaj një vendi të lirë e demokratik. Ndoshta agresorët e fshehur pas pushteteve anti-demokratike mendojnë se vendi ynë i vogël gjeografikisht mundet shpejt e thjeshtë. Por mesa duket, nuk njohin as historinë, dhe as Shqipërinë.

Dua të falënderoj aleatët e partnerët tanë në NATO, e veçanërisht Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e bashkëpunimin që Shqipëria t’i bëjë ballë sulmeve të natyrave të ndryshme e tentativave për të destabilizuar apo dëmtuar vendin tonë. Ne gjithashtu mbetemi të gatshëm të bashkëpunojmë në nivel rajonal, po aq sa në atë euroatlantik për t’u bërë ballë sulmeve, provokimeve, e për të forcuar paqen e mirëqënien e popujve. Shqiptarët kanë ditur të jenë në krahun e popujve të tjerë në emër të lirisë, barazisë e mirëqënies. Duke forcuar drejtësinë, demokracinë dhe aleancat tona, ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë.

Të nderuar ambasadorë e përfaqësues të trupit diplomatik!

Ballkani ka bërë hapa të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit rajonal, të shtetit të së drejtës dhe integrimit europian. Dua të rishpreh gëzimin për hapjen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, edhe pse me vonesë.

Besoj se organizimi i samitit të Ballkanit Perëndimor është shembull mirënjohjeje e vlerësimi, e unë uroj që mirënjohja e vlerësimi të kthehen në vlera themelore të një Bashkimi Europian që zgjerohet në Ballkan. Padyshim, këto janë vlera që do të duhet të arrijmë t’i përçojmë edhe përtej Europës, drejt një bote ku përveç vendeve të mëdha e të vogla, ka tashmë edhe gjeste të mëdha e të vogla. Interneti dhe rrjetet sociale na kanë lidhur si asnjëherë me njerëzit dhe gjestet e tyre arrijnë të tejkalojnë përmasën e fuqinë e gjesteve shtetërore e zyrtare.

Si President i Shqipërisë, dua të flas në emër të qytetarëve të vendit tim, e shpreh bindjen kombëtare në paqe, dialog, demokraci, shtetin e së drejtës e vlerat ballkanike e europiane. Në këtë kuptim, shqiptarët do të mbeten faktor paqeje në Ballkan dhe promovues të imazhit të një Ballkani pasional, por jo konfliktual.

E ndërsa flasim për konflikt, nuk kam ndërmend të kaloj heshturazi mbi rrezikun që i kanosej Ballkanit deri para pak ditësh, prej provokimeve me barrikada në veri të Kosovës. Nuk mund të them nëse provokimi me barrikada të vendosura nga elementë me të shkuar kriminale dhe tentativa për ndërhyrje aktive në territorin e Kosovës nga ana e Serbisë, ka të bëjë me një logjikë agresioni të ngjashëm me skenarin në Ukrainë.

Por një gjë është e qartë, çdo acarim në Ballkan i shërben shpërndarjes së vëmendjes dhe të forcës euroatlantike. Pra, i shërben agresorit.

Në këto kushte, Shqipëria do të jetë e ndjeshme, por e matur, në mbështetje të dialogut, por shumë e kujdesshme ndaj integritetit të shtetit kosovar. Ne mbështesim fort dialogun Serbi-Kosovë, por nuk kemi harruar kush është agresori dhe kë ka agresuar. Nuk harrojmë as vuajtjet e sakrificat e popullit kosovar. Është më e vështirë për qeverinë e popullit të sulmuar, që as ka dëgjuar ndonjëherë ndjesë nga pala tjetër, të ulet në tryezë dialogu.

Është e udhës për qeverinë që ka përgjegjësinë historike të kërkojë ndjesën e agresionit dhe të jetë e para në tryezën e dialogut.

Gjithsesi, ky është veçse një sugjerim, ndoshta më shumë një urim dashamirës prej vullnetit për të zgjidhur një nga tensionet me potencial konflikti në rajonin tonë dhe dëshirës për kontribut të përbashkët për paqen, demokracinë, e mirëqënien e rajonit.

Gjej rastin të kujtoj këtu se shqiptarët, kosovarët, kanë qenë objekt spastrimi etnik në histori. Me shumë maturi, ne jo vetëm mbrojmë të drejtat tona, por edhe dinjitetin rajonal e europian.

Ne nuk e mohojmë se emigracioni ka shumë aspekte që s’janë vetëm pozitive ose vetëm negative. Si fillim, migracioni i sotëm brenda për brenda Europës ka të bëjë me vendin e origjinës, aq sa me vendin pritës. Është struktura e tregut europian të punës që dikton shumë lëvizje migratore në Europë. Është e vërtetë, që përtej emigracionit profesional, ekonomik e arsimor, ka qarkullim të krimit të organizuar apo edhe atij ordiner. Të dy këto të fundit as nuk kanë lindur, e as janë rritur në Shqipëri, por janë fenomene ndërkombëtare me burime, fuqi e mbështetje shumë përtej Shqipërisë dhe përmasave të saj.

Si përfaqësues të vendeve tuaja në Shqipëri, besoj se ju jeni dëshmitarë të veçantë të cilësive të popullit tonë, e shpresoj bashkëudhëtarët tanë në ndërtimin e një bote pa paragjykime.

Më lejoni të përmend këtu fjalët e një mjeshtri të madh të letërsisë shqiptare e botërore, Ismail Kadaresë, i cili thotë se: “Kultura shqiptare, ka qenë përherë mirënjohëse ndaj çdo mesazhi miqësor që vinte nga popuj të tjerë. Mirëkuptimit ajo i është përgjigjur me mirëkuptim, miqësisë – me miqësi dhe kjo është në traditën më të mirë të mendësisë kombëtare.

Unë shpresoj të gjejmë miqësinë e mirëkuptimin tuaj, në mbështetje të shqiptarëve në suksesin e tyre.

Gjithashtu, dua t’ju shpreh mirënjohjen time për kontributin Tuaj në forcimin e marrëdhënieve politike, ekonomike, kulturore e të turizmit në vendin tonë. Një falënderim të përzemërt për përkushtimin ndaj thellimit të marrëdhënieve midis popujve tanë. Nga ana tjetër, ju lutem ruani bindjen se Shqipëria do të bashkëpunojë në të gjithë aspektet që i shërbejnë sigurisë, po aq sa edhe mirëqënies demokratike, sociale e ekologjike të popujve tanë.

Të nderuar ambasadorë e përfaqësues të trupit diplomatik!

Dua t’i kushtoj një moment të veçantë urimi Ambasadorit të Republikës së Bosnje-Herzegovinës dhe Ambasadorit të Republikës së Kosovës. Bosnje Herzegovinës për marrjen e statusit kandidat në Bashkimin Europian dhe Kosovës për votën në favor të liberalizimit të vizave. Shpresoj që rruga e hapur për lëvizjen pa viza të qytetarëve kosovarë, të bëhet realitet në datën e përcaktuar nga vendimi dhe pa vonesa, kushte a objeksione.

Në fakt, ky është urimi im për vitin në vijim; uroj që marrëdhëniet midis vendeve të orientohen nga politika shtetërore afatgjata me prioritet paqen, mirëqënien dhe vijimësinë e një planeti të sfilitur edhe ekologjikisht. Këtë të fundit e them edhe me vetëdijen, që Shqipëria ka një ndër lumenjtë e fundit të egër në Europë, në të cilin jetojnë mëse 1100 specie.

Në këtë fillim të vitit 2023, urimi im kryesor për të gjithë ne dhe popujt tanë është për një fillim të ripërtërirë të një periudhe të re, në të cilën politika e jashtme është rezultat i një ndërgjegjeje rajonale e globale.

Dikush mund ta quajë këtë edhe naivitet, apo wishful thinking, por nuk është i tillë, nëse shprehet si angazhim nga përfaqësuesi shtetëror i një vendi, sepse ky është angazhimi i Shqipërisë.

“ALBAadpt”, Kumbaro: 35 mln euro për modernizimin e infrastrukturës dhe zbutjen e rreziqeve klimatike

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, mori pjesë në takimin e organizuar për fillimin e ALBdapt

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

“ALBAadpt”, Kumbaro: 35 mln euro për modernizimin e infrastrukturës dhe zbutjen e rreziqeve klimatike

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, mori pjesë në takimin e organizuar për fillimin e ALBdapt