Elena Gjika, Dora D’Istria mbretëresha e kulturës shqiptare dhe europiane
194 vjet më parë – më 22 janar të vitit 1829 – u lind në Bukuresht të Rumanisë, Elena Gjika
194 vjet më parë – më 22 janar të vitit 1829 – u lind në Bukuresht të Rumanisë, Elena Gjika, me origjinë nga shqiptarët e Pargës.
Si publiciste dhe shkrimtare (kryesisht në frëngjisht) Elena Gjika u bë e njohur në vitin 1855.
Ajo shkruante me emrin Dora D’Istria. Gjika, një enciklopediste, botoi një numër shkrimesh që tregonin jo vetëm njohjet e gjuhëve rumanisht, italisht, gjermanisht, frëngjisht, latinisht, greqisht (e vjetër dhe moderne) dhe rusisht, por edhe njohuritë e saj në fushën e shkencës, fesë, politikës, si dhe talentin për të paraqitur pikëpamjet e saj. Elena Gjika ishte gjithashtu piktore.
U radhit në mes të 10 femrave më të ngritura intelektualisht ne botën e asaj kohe. Përkrahu nxehtësisht Rilindjen Kombëtare Shqiptare, mbajti lidhje të ngushta me veprimtarë të shquar të saj, si: Jeronim de Rada, Dhimitër Kamarda, Zef Jubani, Zef Serembe, Thimi Mitko etj. Ajo rrahu mendime për organizimin e lëvizjes kombëtare sidomos në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit
Elena Gjika vdiq në Firence, më 17 nëntor 1888, në moshën 60 vjeçare.
Postimi i Muzeut Historik Kombëtar
Sot, kujtojmë lindjen e Elena Gjikës (Dora D’Istria, 1829-1888)
Elena Gjika lindi në Bukuresht të Rumanisë më 22 janar të vitit 1829. Ndonëse vendlindja e saj ishte Bukureshti, ajo përmend në letrat e saj origjinën e familjes së saj nga qyteti i Pargës.
Elena Gjika me aktivitetin e saj si shkrimtare dhe publiciste, përkrahu lëvizjen e Rilindjes Kombëtare, si dhe lëvizjen kulturore përparimtare të Europës. Ajo mbajti lidhje të ngushta me veprimtarë të shquar siç ishin: De Rada, Dhimitër Kamarda, Zef Jubani, Zef Serembe, Thimi Mitko, etj.
Disa nga studimet e saj, vlejnë të përmenden: “Kombësia shqiptare sipas këngëve popullore” (La nationalite albanaisi d’apres les chants populaires), 1866, “Shkrimtarët shqiptar të Italisë jugore” (Gli scrittori albanesi dell’Italia meridionale), 1867, “Shqiptarët në Rumani” (Gli albanesi in Rumenia), 1873 etj.
Në këto studime Elena Gjika nxirrte në pah traditat, doket, kulturën dhe historinë e shqiptarëve e luftën e popullit shqiptar kundër sundimit osman. Ajo shfaqi interesa të shumanshme në shumë fusha si: sociologji, folkloristikë, letërsi e kritikë letrare.
Në shenjë mirënjohje për ndihmesën e dhënë ndaj çështjes shqiptare në botë, patriotët rilindës e arbëreshë të Italisë e Greqisë i kushtuan librin me titull: “A Dora D’Istria- Gli albanesi” ( Dora D’Istrias- Shqiptarët) më 1870.
Elena Gjika vdiq në Firence në vitin 1888.