Shqiptarët e Kosovës dhe hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërorë

Fjala në konferencën shkencore ndërkombëtare me temë “Shqiptarët dhe hebrenjtë në Luftën e Dytë Botërore”


Nga Prof. asoc. dr. Marenglen Kasmi

Shpjegimi i fenomenit të shpëtimit të hebrenjve në Shqipëri gjatë LIIB nuk duhet thjeshtuar vetëm me besën e kodin shqiptar të nderit, sikurse lexohet rëndom, por është shumë më kompleks dhe duhet pikësëpari të bëhet një analizë më e thelluar për rrethanat historike, për politikat qeveritare ndaj hebrenjve, ndihma që ju dha atyre sikurse edhe arsyet e saj.

Referuar organizimit politik shtetëror të Shqipërisë gjatë LIIB, kur si nën pushtimin italian ashtu edhe nën atë gjerman, kur Kosova të paktën propagandistikisht drejtohej nga Tirana dhe njihej nën emrin “tokat e lirueme” gjatë pushtimi italian dhe “Shqipëria e re” gjatë pushtimit gjerman, duhet të pranojmë se edhe shqiptarët e Kosovës i trajtuan njësoj hebrenjtë. Logjikisht, ka vetëm një etnotip shqiptar, pra një qëndrim.
Berndt Fischer, në librin e tij “Shqipëria gjatë luftës” ka mbrojtur mendimin se hebrenjtë në Kosovë kanë qenë më të rrezikuar se ata në Shqipërinë e vjetër. Sipas tij, nëse në Shqipërinë shtetërore mbijetuan qind për qind e hebrenjve, në Kosovë pati një humbje prej afro 60 për qind. Fischer parashtron hipotezën se ndoshta Divizioni Skanderbeg mund të ketë bashkëpunuar me forcat naziste SS. Problemi i Fischerit është se në këtë përfundim arrin pa u konsultuar me arkivat shqiptare.

Në këtë kumtese të shkurtër unë do të ndalem vetëm në dy momente, në situatën e hebrenjve në Kosovë prej vitit 1939 dhe së dyti, në rolin e divizionit SS- Skanderbeg në këtë histori.

Së pari, gjatë viteve 1939-1941 disa qindra hebrenj të Serbisë u zhvendosën në Kosovë, ku autoritet kontrollues ishte ushtria fashiste. Sikurse shkruan Sir Martin Gilbert, në prill të vitit 1941, pushtuesit italianë të Shqipërisë përfituan nga pushtimi gjerman i Jugosllavisë duke e marrë nën kontroll Kosovën e banuar kryesisht nga shqiptarë; në po atë kohë 400 hebrenj patën kaluar atje nga vise ish-jugosllave kur trupat gjermane pushtonin Jugosllavinë”.

Më 23 gusht 1942 autoritetet e qeverisjes vendore në Prishtinë, me anë të një letre drejtuar Ministrit të Tokave të Lirueme, Ekrem bej Vlora, tue përgëzuem qeverinë për vendimin e nalt-përmendun /për dëbimin e çifutënve nga tokat e lirueme/ përsërisim se ju lutemi qi vendimi të vehet sa më parë në zbatim, tue ju sigurue se tue ba ketë lutje ne nuk po shprehim vetëm nji nevojë themelore të Kosovës. Në fakt, vendimi i qeverisë për largimin e hebrenjve nga Prishtina dhe tërheqjen e tyre në brendësi të Shqipërisë është marrë më 29 maj 1942. Në urdhrin lëshuar për drejtorinë e policisë thuhet se duhet të procedohet për dërgimin e izraelitëve të përmendun me shkresën e sipërme për në Berat, ku kanë për t’u paraqitun pranë kuesturës së atjeshme.

Për tërheqjen e jahudive nga Kosova patën bashkëpunuar në rrugë shkresore qeveria qendrore në Tiranë dhe prefektët në terren. Sipas listave që ruhen në arkivat shtetërore, janë 94 kryefamiljarë bashkë me familjet dhe 87 individë hebrenj të ardhur nga Kosova e të vendosur në Berat. Numri i hebrenjve të ardhur në vitet 1941-1942 nga Kosova në Shqipërinë e brendshme, sipas arkivave shqiptare, ishte mbi 500 vetë. Ministria e Punëve të Brendshme, me telegramin e shifruar nr. 11/19 të datës 30 mars 1942, urdhëroi prefekturat e tokave të lirueme që gjithë hebrenjtë e vendosur në këto territore të grumbulloheshin dhe të dërgoheshin brenda tri ditësh për në Shqipërinë e vjetër, qoftë dhe me detyrim. Në zbatim të këtij urdhri vetëm në një ditë, më 5 prill 1942, në Berat arriti kontingjenti i parë i hebrenjve prej 100 vetash.

Disa ditë më pas nga qyteti i Pejës u dërguan në fushën e përqendrimit të Prezës 79 hebrenj të tjerë. Me një tjetër urdhër telegrafik [nr. 11/25, datë 1 prill 1942] Ministria e Punëve të Brendshme i kërkoi prefekturës së Prizrenit të mblidhte gjithë hebrenjtë që gjendeshin nën autoritetin e saj dhe t’i dërgonte në një fushë përqendrimi për të gjithë Kosovën, prej nga, disa ditë më pas, së bashku me 69 hebrenj që ishin të arrestuar në burgun e Prishtinës, u dërguan për në Shqipëri në qendrat e përqendrimit: Kavajë, Burrel, Krujë e Shijak. Gjatë vitit 1942 dhe fillim të vitit 1943 grupe të tjera hebrenjsh nga Prizreni, Prishtina, Ferizaj dhe vende të tjera u tërhoqën në hinterlandin e vjetër shqiptar. Të gjitha këto veprime u bënë jo për t’i shpëtuar hebrenjtë e Kosovës nga shqiptarët e atjeshëm, as hebrenjtë e ardhur prej visesh të tjera; jo për t’i internuar në Shqipëri, por për t’i larguar prej rrezikut të veprimit nazist, që ishte evident.

Sa më sipër, është plotësisht e mundur që ky kontingjent hebrenjsh i ardhur nga Kosova mund të jenë ata 500 hebrenj, të cilët studiuesit Sarfatti dhe Fischer i konsiderojnë si të humbur. Arsyet e largimit të tyre nga Kosova ishte e qartë: kur në vitin 1942 gjermanët urdhëruan arrestimin e hebrenjve të Kosovës, ata me ndihmën e strukturave shtetërore shqiptare, sikurse e lexuam më sipër, u ndihmuan të vijnë në Shqipëri, ku ishin më të mbrojtur, sikurse edhe u vërtetua.

Së dyti, çështja e divizionit – SS “Skanderbeg” dhe hebrenjve:

Nga dokumentet gjermane të konsultuara, nuk rezulton ndonjë plan i gjermanëve për një mobilizim të përgjithshëm të shqiptarëve të Kosovës. Po ashtu, edhe përfundimi i Noel Malcolm, se ideja e rekrutimit të divizionit SS “Skanderbeg” doli nga diskutimet e zhvilluara nga autoritetet gjermane dhe Bedri Pejanit, është i gabuar.

Ideja për ngritjen e formacioneve shqiptare nën Armën-SS zë fill qysh në shtator 1943. Ashtu si edhe në vendet e tjera të pushtuara, mendimi për krijimin e një force ushtarake vendëse u hodh në instancat drejtuese gjermane menjëherë pas pushtimit gjerman të Shqipërisë, por u ndërpre përkohësisht si pasojë e propagandës dhe këmbënguljes së Neubacher-it për të ruajtur në dukje pavarësinë shqiptare.

Një arsye tjetër e mosrealizimit të këtij plani ishin edhe kontradiktat e shumta që shkaktoheshin si pasojë e “përplasjes së kompetencave” ndërmjet instancave ushtarake gjermane në Shqipëri, konkretisht e gjeneralit gjerman për Shqipërinë dhe përfaqësuesit të Himmler-it në Shqipëri, Brigadenführer-it – SS Josef Fitzthum.
Në fillim të vitit 1944, pasi u pa qartë se qeveria shqiptare dështoi në ngritjen e një force ushtarake qeveritare, trupa që për gjermanët tani ishin tepër të nevojshme në luftën kundër partizanëve, Hitler-i miratoi krijimin e divizionit – SS “Skanderbeg”.

Arsyeja e regjistrimit të shqiptarëve në këtë divizion shpjegohet me faktin se gjermanët, ndonëse pushtues, siguronin qofte edhe përkohësisht mbajtjen larg të Serbisë nga Kosova dhe ndoshta pas tërheqjes së gjermanëve, do të ishin anglezët ata që do të ndërhynin në Shqipëri. Pavarësisht efikasitetit të ulët ushtarak që karakterizoi këtë divizion, çka e pohon vetë komandanti i këtij divizioni Brigadenführer Schmidthuber, divizioni ndërmori dy aksione, duke kryer arrestimin e 281 hebrenjve dhe të 210 komunistëve. Në fakt, koha e kryerjes së këtyre aksioneve, kur divizioni nuk ishte formuar plotësisht por edhe mungesa e listave të arrestimeve e vendosin në dyshim saktësinë e këtij dokumentimi.

Për herë të parë Divizioni Skanderbeg është përmendur si fuqi ushtarake që ka deportuar hebrenjtë e Serbisë të përqendruar në Prishtinë në kujtimet e H. Neubacher dhe më vonë në dëshmitë e dy studiuesve serbëve, të botuara në dy dekadat e fundme. Në këto kujtime thuhet se ky Divizioni çoi në Bergen-Belsen afërsisht 500 hebrenj, të cilët konsiderohen të zhdukur [në fakt, nuk bëhet fjalë për kurrfarë shoqërimi deri në këtë kamp famëkeq, por për një shoqërim deri në burgun e Beogradit]. Kjo shifër hyri pa u vërtetuar në anuarë, në enciklopedi, në botime, aq sa tani thuhet gati zyrtarisht se qëndrimi i popullit të Kosovës ndaj hebrenjve ka qenë krejt i ndryshëm prej atij të popullit shqiptar të shtetit shqiptar.
Po ashtu, sa i përket rolit të këtij divizioni në arrestimin e hebrenjve si edhe të numrit të hebrenjve të arrestuar nga ky divizion ka mospërputhje të dukshme.

Janë përmendur gjithfarë shifrash. Pjesa më e madhe e studiuesve i referohen një shifre që përmban një raport i këtij divizioni i datës 13 korrik 1944, në të cilin thuhet se nga ky divizion arrestoi 510 hebrenj, komunistë, mbështetës të partizanëve dhe persona të dyshimtë në aspektin politik. Nëse krahasojmë listat e përgatitura në gusht 1944 për transportin e të arrestuarve nga ky divizion shohim se prej të arrestuarve janë 31 hebrenj dhe 2 gra të martuara me një burrë hebre, pra 32 persona dhe kurrsesi qindra të tillë. Pjesa tjetër janë shqiptarë të arrestuar si komunistë, partizanë, kundërshtarë të nazizmit; gjithashtu antifashistë malazezë dhe pak serbë. Nuk ka në këtë listë as romë, as bashkësi të tjera të paracaktuara me doktrinën naziste për t‘iu nënshtruar zhdukjes përfundimtare.

Të gjitha listat e arrestimeve që ne njohim, katër në numër, janë hartuar në muajin gusht 1944, në datat 5, 9 dhe 18 gusht. Njëra prej tyre, shtojcë, nuk ka datë. Sipas të gjitha gjasave duhet të jetë urdhëruar po më datën 18 gusht.

Divizioni SS Skanderbeg është urdhëruar të shoqërojë të internuarit, të të katër listave dhe aneksit, më datën 18 gusht 1944. Nga të gjithë personat e arrestuar, vetëm ata të Listës II [249 veta] do të transferoheshin në Gjermani për punë. Pjesa tjetër duhet të mbahej në burgun e divizionit. Urdhri nuk përmbante deportim për ta. Të gjitha listat së bashku përmbajnë 801 emra.

Këto janë të vetmet lista të njohura deri tani. Listat janë hartuar nga komanda e Divizionit SS Skanderbeg. Një kopje e tyre është ruajtur në fondin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, e cila është njoftuar për operacionin në kuadër të një marrëveshje të bërë ndërmjet qeverisë shqiptare dhe pushtuesve gjermanë.

Përfundimisht vlen të theksohet se, krijimi i divizionit SS “Skanderbeg” nuk përbënte ndonjë rast të veçantë apo tipar dallues të marrëdhënieve pushtuese, politike dhe ushtarake ndërmjet Gjermanisë dhe Shqipërisë.

Kjo për shkak se gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore, Gjermania rekrutoi nën Armën-SS shumë ushtarë apo njësi e reparte të tjera nga shtete të huaja në tërë hapësirën e paanë të pushtimit dhe jo vetëm në Ballkan por thuajse në gjithë vendet që pushtoi. Në këtë kuadër, edhe në Ballkan u rekrutuan forca të tilla, si në Shqipëri, Bosnje, Kroaci, Bullgari etj. Pra, ky divizion-SS nuk është një fenomen vec shqiptar! Po ashtu, vetëm rekrutët ishin shqiptarë, të cilët u larguan në masë qysh në fillimet e tij. Zinxjiri komandues ishin oficerë gjermanë dhe po ashtu ai drejtohej nga Berlini dhe jo nga Tirana. Pra, nuk mund të fajësosh gjithë shqiptarët se kanë marrë pjesë në holocaust, se disa qindra fatkeqë u inkuadruan si mercenarë në një strukturë SS.

Kjo gjë tregon qartë, se këto forca më tepër duhej t’u shërbenin gjermanëve, sesa qëllimit të propaganduar gjatë procesit të rekrutimit. Sipas propagandës gjermane, qeveria shqiptare do të kishte një Forcë të Armatosur, e cila do të luftonte kundër komunistëve dhe rrjedhimisht do të pengonte ardhjen e tyre në pushtet pas largimit të gjermanëve nga Shqipëria. Siç u tha më sipër, komunizmi lidhej në Kosovë me «pansllavizimin», që favorizonte krijimin e këtij divizioni.

Kjo propagandë pati rezultat te shtresat e varfra dhe të paarsimuara të vendit, të cilët, duke e besuar atë çfarë thuhej, u paraqitën pranë zyrave të rekrutimit. Po ashtu, pati edhe të tjerë, të cilët pranuan të veshin uniformën SS-e, të shtyrë vetëm nga nevoja ekonomike. Gjermanët arritën të krijonin te kjo shtresë besimin, se vetëm nën kujdesin e tyre mund të sigurohej Shqipëria e Madhe dhe Kosova të shpëtonte përfundimisht nga sundimi serb.

www.akad.gov.al

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…