Skandali i përgjimeve në Greqi, mocion mosbesimi ndaj Mitsotakis
Në Parlamentin e Greqisë do të mbahet të premten në orën 18:00 një mocion mosbesimi ndaj qeverisë së Kyriakos Mitsotakis
Në Parlamentin e Greqisë do të mbahet të premten në orën 18:00 një mocion mosbesimi ndaj qeverisë së Kyriakos Mitsotakis.
Lajmin e kanë bërë të ditur media greke, Protothema.gr, sipas të cilave mocioni është paraqitur nga partia SYRIZA e ish-kryeministrit Alexis Tsipras.
Siç njoftoi ministry i Shtetit, propozimi i SYRIZA-s u pranua nga qeveria.
Giorgos Gerapetritis gjatë ndërhyrjes së tij kërkoi që diskutimi të fillojë menjëherë në mënyrë që procesi të përfundojë të premten kur kryeministri të niset për një udhëtim të planifikuar në Japoni.
Nga ana e SYRIZA-s, prezantues do të jenë Dimitris Tzanakopoulos dhe Nikos Filis, ndërsa nga Neo Demokracia e kryeministrit Mitsotakis, do të jetë Dimitris Markopoulos, i cili do të flasë i pari, ndërsa në karriget e qeverisë do të jetë ministri i Zhvillimit, Adonis Georgiadis. Nga PASOK, folëse do të jetë Evangelia Liakoulis.
Alexis Tsipras gjatë fjalës së tij foli për një “rrjet kriminal” në Pallatin Maximos me në krye kryeministrin Kyriakos Mitsotakis. Ndër të tjera, ai zbuloi përmbajtjen e dosjes që ka marrë nga presidenti i ADAE-së, Christos Rammos.
Tsipras pretendon se në dosjen që i është vënë në dispozicion, del se gjithsej 10 persona ishin në monitorim, mes tyre ministri aktual i Punës dhe ish-ministri i Energjisë, Kostis Hatzidakis, presidenti i PASOK-ut, Nikos Androulakis, eurodeputeti Giorgos Kyrtsos dhe gazetarë.
“Për gjashtë muaj, Kyriakos Mitsotakis gënjen se gjoja nuk e dinte. Gënjeshtrat i përsërit si në emisionet televizive ashtu edhe brenda parlamentit”, tha Alexis Tsipras.