William McKinley, presidenti progresist i SHBA
William McKinley lindi më 29 janar 1843. Ai shërbeu si Presidenti i 25-të i Shteteve të Bashkuara.
Nga Dr. Bledar Kurti
William McKinley lindi më 29 janar 1843. Ai shërbeu si Presidenti i 25-të i Shteteve të Bashkuara, i treti ndër katër Presidentët e vrarë në historinë e SHBA: 1) Abraham Lincoln (1865, nga John Wilkes Booth), 2) James A. Garfield (1881, nga Charles J. Guiteau), 3) William McKinley (1901, nga Leon Czolgosz) dhe 4) John F. Kennedy (1963, nga Lee Harvey Oswald).
Presidenca e McKinley shënoi rritje të shpejtë ekonomike për SHBA. Ai drejtoi vendin gjatë luftës së vitit 1898 midis SHBA dhe Spanjës. Fitorja e Shteteve të Bashkuara ishte e shpejtë dhe vendimtare. Zgjati vetëm tri ditë, me vetëm një jetë amerikane të humbur.
Si pjesë e marrëveshjes së paqes, Spanja ua dorëzoi Shteteve të Bashkuara kolonitë e saj kryesore si Puerto Riko, Guami dhe Filipinet, sikurse u dha kontroll edhe mbi Kubën. Në të njëjtën kohë Shtetet e Bashkuara aneksuan Republikën e pavarur të Havait duke e bërë atë territor të Shteteve të Bashkuara.
McKinley ishte progresist, dhe nën drejtimin e tij, nga një shtet i izoluar në kontinentin amerikan, SHBA zunë një rol të rëndësishëm në skenën ndërkombëtare dhe gjeopolitike.
Më 6 shtator, 1901, gjatë një takimi të Presidentit me qytetarë të zakonshëm, Leon Czolgosz, një anarkist, me armën e fshehur nën shami iu afrua dhe e qëlloi McKinley dy herë në bark.
Me vdekjen e William KcKinley, Presidenti i 26-të i SHBA u bë Theodore Roosevelt, njeriu simbol i fronterave të reja dhe i progresit amerikan. Por edhe ndaj Th. Roosevelt pati një atentat që gati ia morri jetën Presidentit.
Teksa Roosevelt po mbante një fjalim përpara një turme me njerëz të zakonshëm, John Flammang Schrank, nga Nju Jorku, e qëlloi Presidentin. Por, teksti prej 50 faqesh i fjalimit të Presidentit, i palosur dy herë në xhepin e xhaketës së Roosevelt dhe një këllëf syzesh metalike e ngadalësoi plumbin, duke i shpëtuar jetën.
Pavarërisht kësaj, Roosevelt e mbajti fjalimin e tij të planifikuar, edhe pse gjaku rridhte në këmishën e tij. Presidenti foli për 84 minuta para se të përfundonte fjalimin e tij e më pas shkoi të merrte ndihmën mjekësore.
SHBA ka një histori të lavdishme, e cila edhe pse hera-herës ka kaluar përmes faqesh të errëta e të zymta ajo ka ditur gjithmonë të ecë përpara dhe fitimtare.
Historinë nuk e shkruajnë ngjarjet por njerëzit.
Dhe SHBA ka dëshmuar se ka patur njerëz të mëdhenj të cilët kanë shtruar rrugën e së ardhmes. Një shembull për çdo vend e komb tjetër në botë.
Dr. Bledar Kurti