UEAA shpall “Best Scientific Abstract Prize 2022”, akademikët shqiptarë në krye të listës
Akademia e Shkencave uron fituesin e vendit të dytë akad. Nazim Grudën dhe të nominuarit akademik Ilia Mikerezin dhe prof. Anila Hodën
Bashkimi i Akademive Europiane për Shkencat e Aplikuara të Bujqësisë, Ushqimit dhe Natyrës (Union of European Academies for Science Applied to Agriculture, Food And Nature – UEAA) organizoi një konkurs me abstraktet/përmbledhjet më të mira shkencore të vitit të shkuar (https://ueaa.info/scientific-news/).
Konkursi u hap në janar 2022. Akademitë anëtare të UEAA-s u ftuan nga komiteti drejtues që të dërgonin abstraktet e punimeve më të mira, jo më shumë se një abstrakt në muaj për çdo akademi. Këto përmbledhje u vlerësuan nga një juri ndërkombëtare.
Sapo janë shpallur fituesit për tri çmime të tri abstrakteve më të mira të gjykuara – “The UEAA Best Scientific Abstract Prize”.
Çmimin e parë e fitoi një grup autorësh nga Britania e Madhe me përmbledhjen me titull: “Farm of the Future – Decarbonising Farm Vehicles and Future Fuels”.
Çmimin e tretë e fitoi një grup autorësh nga Italia me përmbledhjen “Essential amino acids: master regulators of nutrition and environmental footprint?”
Në vend të dytë u rendit përmbledhja me titull: “Effect of biofertilizers on leaf yield, nitrate amount, mineral content and antioxidants of basil (Ocimum basilicum L.) in a floating culture”. Kjo përmbledhje bazohet në një artikull të shkruar në Scientific Reports – Nature (https://doi.org/10.1038/s41598-022-24799-x).
Akademia e Shkencave të Shqipërisë përgëzon përzemërsisht autoren e parë dhe grupin e punës prof. dr. Yildiz Dasgan, nga Turqia, po kështu akademikun e saj Nazim Grudën për këtë arritje, duke i uruar suksese të mëtejshme.
Shqipëria mori pjesë ne këtë konkurs me tri përmbledhje. Përveç çmimit të dytë, u nominua edhe një punim nga prof. Anila Hoda dhe akademiku Ilia Mikerezi.
Po kështu në faqet e UEAA-s pasqyrohet edhe puna e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në fushën e nanoteknologjisë (https://ueaa.info/).
Për më tepër ofrohet edhe mundësia e paraqitjes së zhvillimeve bashkëkohore përmes newsletters (https://ueaa.info/category/newsletters/). Të gjitha këto aktivitete dëshmojnë rolin aktiv të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Sikurse ju kemi informuar me parë zoti Gruda është përfaqësuesi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në UEAA dhe anëtar i Komitetit Drejtues të saj.
Ju, keni botuar artikuj në vitin 2023 në fushën e shkencave të Bujqësisë dhe Ushqimit dhe dëshironi të merrni pjesë në konkursin e këtij viti. Informohuni lidhur me rregullat (së shpejti në: https://ueaa.info/scientific-news/) dhe dërgoni përmbledhjen e punimit tuaj në Seksionin e Shkencave Natyrore dhe Teknike të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
www.akad.gov.al