Homazh për Hava Pinhas Cohen, poeten izraelite të dashuruar me Shqipërinë dhe Kosovën
Hava Pinhas Cohen (1955-2022) – Poetja e ndjerë, botuesja e njohur dhe lektorja e shkëlqyer arteve në Jerusalem
Nga Entela Kasi, shkrimtare dhe përkthyese
Një homazh që më del nga zemra për Hava Pinhas Cohen (1955-2022) – Poeten e ndjerë, botuesen e njohur, lektoren e shkëlqyer të arteve në Jerusalem. Studiuese dhe kërkuese shkencore në Universitetin Bar Ilhan, prej vitit 2012.
Themeluese dhe drejtuese e revistës “ Dimooy”, prej vitit 1989.Themeluese dhe drejtore artistike e ” Kisufim” Festivalit të shkrimtarëve dhe poetëve hebrej në Izrael.
Është autore e shumë librave me poezi, dhe autore e librave me studime për letërsinë, gjuhën, artet, kulturën hebraike.
Ndër temat e saj kërkimore janë ato për shtrirjen e kulturës hebraike në Ballkan, prej periudhës së shekullit të XV deri në luftën e dytë botërore dhe Holokaustin.
Është përkthyer dhe botuar në shumë gjuhë dhe vende të botës.
Ndër librat e saj të fundit, kritika ka çmuar “Të bashkosh të ndarët”, botuar nga Siracuse University Press, 2016 si edhe librin me biseda titulluar , ‘Shkolla e njeriut’, me poetin Israel Eilzar.
Është laureate e disa prej çmimeve më prestigjioze të Izraelit dhe disa çmimeve ndërkombëtare.
Është botuar në Angli, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Francë, Gjermani, Holandë, Bullgari, Serbi, Norvegji, Itali, Kinë, Turqi, Slloveni, Maqedoninë e Veriut, Kosovë dhe vende e gjuhë të tjera të botës. Mbetet një prej autoreve më të rëndësishme të letërsisë hebraike në Izrael dhe në botë.
Është vlerësuar me çmimin më të lartë akorduar nga Presidenti i Izraelit për personalitete të kulturës dhe arteve në shtator 2022.
Në gjuhën shqipe është përkthyer nga Entela Kasi me një cikël të përzgjedhur poezish për Takimet Letrare Ndërkombëtare Azem Shkreli në Pejë, ku u shpall laureate e Çmimit Ndërkombëtar Letrar “Azem Shkreli” në vitin 2019 gjatë qëndrimit të saj në Kosovë me shkrimtarë pjesëmarrës nga PEN International.
Entela Kasi: “Hava Pinhas- Cohen mbetet shkrimtarja e shkëlqyer, mikja më e çmuar, dhe gruaja më e fortë që kam pasur fatin ta njoh nga afërW
Foto credit ngat Haim Tzak, Bar Gordon, מרכז זלמן שזר The Zalman Shazar Center Barbara Pogačnik ,Entela Kasi.
Nga libri ” Të bashkosh të ndarët”
Zgjuar
Dhe Abrahami u zgjua herët
Pa ditur se po ecte kodrave të Jeruzalemit
Ndërsa binte dielli në kodrat e Moabit
Si në një pikturë
Shkëmbinjve të kuqërremtë e të artë.
Dhe era e ftohtë e vjeshtës
Më kishte hyrë në asht e palcë dhe lëkura dridhej
Në tokën mbetur pas shkëmbinjve
Mbolla dadofil dhe anemone
Perime të dimrit dhe bimë të gjelbra,
Ndryshe nga ati, nuk mbolla
As pemë frutash as pisha,
As shegë, as portokaj, as ullinj,
Ngadalë, me përkushtim,
Sikur gjithçka e sapo- mbjellë
Të mund të kthente beftas menjëherë,
Dashurinë
GRUA
Mundesh përherë të pastrosh veten prej meje
Mundem të mbaj farën e jetës për shumë kohë
Fshehur botës ndërsa rrugësh
Endem
Mund të shuhesh nga faqja e dheut
Në luftën e fundit
Mundem të mbaj fëmijën tënd për shumë vjet
Pa ty.
Ndaj të gjitha mërzitë kanë një emër
Mbetur kështu në përkushtim,
Për ty, pa mua
Po pastaj?
Pas meje do mbetet kujtesa
Gjithçka që syri pa
Një djep litaresh kësaj jete
Mbetur në qafën e bijës
Pezull
LUTJE
Kur fëmija është në krahët e mia,
Jeta ka shijen e qumështit.
Netëve zemra që regëtin
Është zëri i jetës,
Trenat…
Në një stacion të njohur kësaj toke.
Këmbë zbathur, e drobitur,
Hap krahët,
Si brirët e cjapit në teh të greminës,
Toka i pëshpërit
Qiejve
Të dëgjohet në tempullin e mëshirës.
Si hije tingujt përhapen
Dhe fiken.
Lutem mos vihen në provë
Drurësh dhe thëngjijsh
Ku era përhap zjarrin,
Tymin
Mos luajmë qorrazi
Me nënat
Dëshpëruar zërat, sytë,
Lutjesh mbetur në klithma
Që nuk mund të dëgjohen
Ku je ti?
Të bashkosh të ndarët!
KËNGË TË SHTËPISË
Ka zogj të ikur andej tej
Dhe duna rëre atje tej
Dhe tej andej, të ikur
Ndërsa bëhem pemë
Të gjithë janë thjesht emra!
Dikur diku pashë një pinguin të shtohej në akull
Pashë si solli një gur në folenë e jetës,
E më vonë la atje një eshtër të gërryer,
E më tej një flatër, një tjetër guacë,
“ Kjo është rrëfenjë vendesh të ftohta”- tha ai
“Tash kemi strehë” – sikur të ishte dashuria dhe fryma
Ndërsa ikte me strehën e shtëpisë
Mbi shpinë.
THUHEJ SE ISHIM THESAR
Thuhej se ishim thesar
Por kur fushat e pambukut ishin bosh,
Kur shiu i stinës ra
Shtrati im u nxeh dhe pylli u dogj,
Zjarri, era, tymi, tutje largoi zogjtë
Që ikën.
Pas nesh mbetën pragjet e djegur dhe gardhinjtë
E zogjtë
Të kapur, të zhveshur, të çmerritur.
KUFIJTË
Dhe ti më the që kufijtë kanë ngrirë,
Ndërsa sytë e verbër
Shohin të tjera gjëra.
Tej qelqeve, larg
Gjuha ime qenka bërë e butë
Nga koha
Atëherë u ngrita, mbështjellë në katër anët.
Me botën mbi krye
Nëse nuk mundem të lexoj ngjarjet,
Së paku mbi to bie.
Natës zgjohen fjalët,
Që pluskojnë si engjëj
Trupit tim të djegur.
Pastaj ti do heshtësh
Asgjë nuk më përmban…
*** Për gjuhën shqipe nga Entela Kasi