Odise Kote, poeti që zbret yjet në tokën e poezisë!
Odise Kote është shkrimtar dhe publicist i njohur, autor i 14 librave me poezi, tregime dhe romane.
I njohur në Jug, dhe i respektuar në qarqet letrare në vend, Odise Kote është një krijues shumë produktiv: autor i 14 librave me poezi, tregime dhe romane.
Shkrimtar dhe publicist i mirënjohur, me kualifikime të mëtejshme në Radion Gjermane “Deutsche Welle”, shërben aktualisht si Prefekt i Qarkut Gjirokastër.
Por, përtej “kostumit” zyrtar, administrativ dhe protokollar, Odise Kote mbetet poeti i Gjirokastrës së gurtë, ku në kalldrëmet e saj hapat e tij zhurmojnë me një muzikalitet poetik dhe emocione shumëdimensionale.
Portali “Tirana Diplomat” zgjodhi pesë poezi të rastësishme, si “kokra gruri”, nga lëmi i madh i poezive të tij.
Të shohësh yjet në janar…
Të shohësh yjet në janar është si të udhëtosh në kohë,
prej fobisê sê fluturimit me aroplan, ti ende s’je shëruar.
Muzika që bie, si e bërë me numra dhe kokriza dëbore,
Kitarë duhet të jetë ose era e detit që vjen prej larg.
Eja të bëjmë një vizatim të bukur me ato shenjat tona,
me histori dhimbjesh, se gjërat mësohen duke gabuar.
Flutura kujtimesh fluturojnë, s’rrinë dot pa fluturuar,
Me frikën e zbulimit të asaj që ende rri fshehur…
Çmimi i heshtjes, është si të fërkosh sytë e mendjes,
Të bëhesh gati dhe t’i vërtetosh vetes se ti mjafton.
Ajo vija ndarëse ku mendimet mbërrijnë të qarta,
si gëzim i ngrohtë kur marinari shkel tokën…
Të shohësh yjet në janar është si të udhëtosh në kohë,
Ajo është grua, e kupton o pemë yllësore e qumështit.
Rikthehet sa herë ndihet fillikate, me dënesa e qeshje,
se dashuria e vërtetë është përllogaritje e ndërlikuar…
MJELLMA
Ajo ishte një vajzë lozonjare.
E gjithë bota është plot me vajza,
dhe aroma jaseminësh.
Kush do t’i varroste sorrat?
Ajo ishte një mjellmë dhe kjo
do të thotë që askush s’e ndalon dot,
as dhe një qiell gjithë rrebesh.
Kush do t’i varroste sorrat?
Ku shkon të vdesë një mjellmë,
në qiell apo në tokë?
Qielli qënka për të tashmen,
toka për të ardhmen …
Kur dashuria të jetë larguar,
mjellma ikën të takojë dikë tjetër…
Kali e këputi litarin…
Kali e këputi litarin,
Po pse kapërcen furishëm gardhin,
Ngase nuk gjen paqen?
Enigma zhbarti arkaiken,
e mbushi plot shenja të reja motake,
lojë kukafshehti kuptim – formë,
poshtë pemëve, tej në livadhe.
Paqja qenka ëndërr, vrap i çmendur,
puthje e rrëmbyer, aromë dëshire,
vizatime fryme, muzika e zogjve,
një puhizë,
doemos ninullë gjumi
dhe pikë qumështi në thithkë…
E këputi litarin kali …
ORFEU zbret në Had …
Brenga e Orfeut ka tremijē vjet qē s’shkulet nga brinjët,
Dhimbë e bukur kohe, ambiguitet shtrëngues e vrasës.
Veshur vel mistik, kqyrrur fatesh, kuptime të rrejshme,
larg dritës, pa mundësi sqarimi, si lakuriq i natës.
Enigmê përvëlake qē erosin mbështjell me farën e rrënimit,
zbrazur arkaikja, rimbushur psikika me shenjat e reja.
Si lojë kukamfshehti mes formës e thelbkuptimit,
Dashuria dhe Vdekja.
Rreken të ndahen, por mbeten tragjikisht të pashqitshēm,
fatalitet dhe rrezik, skenografi plot tension e dyshim.
Empodokli në kërkim, honit llavë – flakë tê vullkanit,
hidhet si naiv të digjet me dëshirê.
Orfeu zbret nê Had, të dashurën buzêëmbël të takojē.
Ta ringjallê? E pamundur pas ftohjes, tretur në faj alibia.
Energji e parikthyeshme, ç’botë e çuditshme përskaj,
Nuk qënkish Euridika qê kish vdekur, por dashuria…
KA KOHĒ QË GRINDEMI…
Ka kohë që grindemi për ikjet,
Nga ikjet ç’gjurmë mbetën vallë?
Tani ti je krejt e tejdukshme,
e brishtë, e hollë si një membranë.
Nga ikjet nëpër shteg kujtimesh,
gjurmët heshtake, krejt po zbehen.
Gjithnjë ato të pakuptueshme,
si shkrim – enigmat katalehe.
Ka kohë pendimesh dhe për ikjet,
Se ikjet shpesh dhe kthime janë.
Tani ti je krejt e tejdukshme,
e brishtë, e hollë si një membranë.
Ka kohē që grindemi për ikjet,
Ka kohë që tretemi për kthimet …
ODISE KOTE, PREFEKT I QARKUT GJIROKASTËR
Odise Kote ka lindur në Gjirokastër, në vitin 1960, i martuar, me dy fëmijë. Që prej nëntorit të vitit 2020, Z. Kote shërben si Prefekt i Qarkut Gjirokastër.
Z. Kote ka kryer studimet e larta në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në vitet 1980 – 1983.
Në vitet 1989 – 1993 ka mbaruar studimet universitare për letërsi në Universitetin e Gjirokastrës “Eqrem Çabej”. Studimet pasuniveristare i ka kryer në fushën e gazetarisë, me kualifikime të mëtejshme në Radion Gjermane “Deutsche Welle”.
Z. Odise Kote ka punuar në vitet 1984 – 1989 pranë Ministrisë së Mbrojtjes në Divizionin Labëria. Në vitet 1981 -1991 ka kryer detyrën si Drejtor i Qendrës Universitare “”E’qrem Çabej”.
Në vitet 1991 – 1993 ka kryer funksionin e Drejtorit të Ndërmarrjes Libër Filmi në Gjirokastër. Në vitet 1993 – 1999 ka punuar si Kryeredaktor pranë RTV Gjirokastra dhe në vitet 1999 – 2003 si Drejtor i medias private “Alpo RTV”.
Z. Kote në vitin 2003 është emëruar Drejtor i Kulturës, Turizmit dhe Trashëgimisë pranë Bashkisë Gjirokastër, funksion të cilin e la në vitin 2009, për të vijuar më tej me detyrën e N/Kryetarit të Bashkisë Gjirokastër.
Në vitin 2017 emërohet Drejtor Rajonal i Sigurimeve Shoqërore, funksion të cilin do ta mbante deri në vitin 2020 kur dhe do të emërohej Prefekt i Qarkut Gjirokastër.
Odise KOTE është shkrimtar dhe publicist i njohur, autor i 14 librave me poezi, tregime dhe romane.