Mit’hat Frashëri, avokati i shquar i Shqipërisë
Kemi marrë nga një shqiptar i Amerikës, Z. Lumo Skëndo, një thirrje në favor të pavarësisë së vendit të tij të kërcënuar nga oreksi i Italisë imperialiste
Avokati për Shqipërinë*
Nga Faqja Lumo Skendo
Kemi marrë nga një shqiptar i Amerikës, Z. Lumo Skëndo, një thirrje në favor të pavarësisë së vendit të tij të kërcënuar nga oreksi i Italisë imperialiste. E publikojmë si dokumentar. **
——
Çështja e Shqipërisë në përgjithësi dhe e Vlorës në veçanti ngatërrohen me çështjen e Adriatikut. Çështja e Adriatikut është punë rivaliteti midis Italisë dhe Jugosllavisë të cilat që grinden rreth mbetjeve të vjetra të ish-monarkisë austro-hungareze në bregdetin istrian dhe atë dalmat. E para pretendon ta bëjë Adriatikun një det më vete (mare nostro). E mbështet pretendimin e saj në faktin e pranisë së kolonive të vogla italiane të izoluara në një rajon thjesht sllav, si Fiume, Zara, Spalato, gjë që nuk mund të shmangë disa pretendime të karaterit etnik. Veçse arsyet që shtyjnë Italinë janë arsye ekspansionizmi dhe dominimi, pra në thelb të natyrës strategjike dhe ekonomike.
Por Shqipëria dhe Vlora nuk janë mbetje të Austro-Hungarisë. Bëhet fjalë për një shtet i cili u njoh si i pavarur nga Konferenca e Londrës e viteve 1912-1913, domethënë nga gjashtë fuqitë e mëdha të kohës, përfshirë Italinë. Është e vërtetë që Italia pushtoi përkohësisht Vlorën; ky pushtim daton që nga dhjetori 1914 dhe ka qenë i diktuar nga arsye shëndetësore dhe humanitare, kur duheshin sjellë ndihma për njëqind mijë refugjatë që kishin ikur nga Korça dhe Gjirokastra. Më vonë, M. Sonnino deklaroi para Parlamentit italian (dhjetor 1915) se vendimet e Konferencës së Londrës në lidhje me pavarësinë e Shqipërisë ishin ende në fuqi.
Vitin që pasoi (qershor 1916), gjenerali Ferrero*** bëri, në emër të qeverisë italiane, deklaratën e famshme të Gjirokastrës, edhe pse termat e asaj deklarate u kritikuan shpesh nga shqiptarët, ajo pranoi ”integritetin e gjithë Shqipërisë”.
Ata që mendojnë se Vlora, i vetmi liman i sigurtë i Shqipërisë, që ka pra për këtë arsye një rëndësi jetike për të, do të mbetet nën zotërimin italian (siç është politika që imperialistët italianë do të kishin dashur), sigurisht që hesapet i bëjnë duke u bazuar në paktin e famshëm të Londrës (26 prill 1915) ku Italia pranoi copëtimin e Shqipërisë për fitim të vet (Vlora dhe rrethinat e saj) në atë të sllavëve (Scutari) dhe atë të Grekëve (Shqipëria e Jugut) pakti parashikonte, përveç kësaj, krijimin në qendër të një shteti të vogël mysliman.
Mirëpo, përsa i përket Shqipërisë, Traktati i Londrës, të cilin shqiptarët, për më tepër, nuk e kanë njohur asnjëherë, u anulua nga deklaratat e mëvonshme të z. Sonnino dhe të gjeneral Ferrero-s.
Pretendimet e Italisë ndaj Vlorës, ashtu sikurse dhe mbi pjesën tjetër të Shqipërisë, janë në kundërshtim me parimin e kombësive mbi të cilat Italia i mbështet pretendimet e saj mbi Fiume, sepse nëse Fiume ka një koloni italiane, Vlora nuk ka as edhe një familje të vetme italiane.
Z. Scialoja, para Senatit italian, në 29 dhjetor 1919, tha “Ne nuk e kërkuam Fiumen, ishte Fiume që donte të vinte tek ne, sipas parimit të kombësive.”
Mirëpo, banorët e Vlorës që nuk janë fare italianë, e kundështojnë dominimin italian.
Mbrojtja e Adriatikut për Italinë mund të sigurohet në mënyrë më të efektshme nëpërmjet çmilitarizimit të ishujve, dhe detit përreth tyre.
Politika e imperialistëve italianë mbështetet mbi themele të lëkundshme. Shqipëria (përfshirë Vlorën) përbën një shtet unik, të cilit pavarësia i është njohur dhe garantuar me një akt ndërkombëtar, një shtet i cili nuk ka asnjë element të huaj dhe i cili ka më shumë se çdo shtet tjetër të drejtën për t’u mbështetur në parimin e kombësive.
Lumo Skëndo
*Botuar në gazetën “l’Humanite” më 1 shkurt 1920, në faqen 3, dhe më pas edhe në gazeta të tjera të kohës.
**Kjo akuzë shfaqet edhe në gazetën “L’Asie Arabe”, e cila e botoi thirrjen katë ditë më vonë, më 5 shkurt 1920.
***Komandanti i pëgjithshëm i ushtrisë italiane gjatë Luftës së Parë Botërore.
Përkthimi nga frëngjishtja: Administratori i faqes Lumo Skendo