Romanca e ciganit të çmendur nga dashuria!
Një rrefim filozofik dhe njerëzor i Alda Merinit (1931-2009), poetes së madhe italiane.
Nga Alda Merini, poete italiane
“Një herë na erdhi një cigan në portat e çmendinës me një fizarmonikë të madhe. Duhej ta dinte mirë se kjo ishte një çmendinë dhe se ne të çmendurit nuk kishim asnjë kacidhe për t’i dhënë , por megjithatë ai erdhi atje dhe filloi të luante: një romancë e vjetër cigane plot dashuri dhe aq shumë melankoli e mall për jetën e humbur.
Ai erdhi gjithsesi dhe filloi të luante me gjithë mjeshtërinë që zotëronte. Në këmbë, me një vështrim të tretur lart në qiell, me këmbë të hapura, me një gjysmë buzëqeshje ironike të stampuar në fytyrën e tij, ai luante vrullshëm, me kaq mjeshtëri , me pasion të kthjellët, krejt indiferent ndaj të gjitha zhgënjimeve dhe përvojave që kish njohur në botë.
Ne të gjithë vrapuam menjëherë, të uritur, të etur, të pangopur për gjithë atë jetë që ishte shfaqur papritur para ballkoneve tona aq të zymta dhe të vdekura të ekzistencës sonë të mjerë.
Cigani, një burrë i arrirë dhe me vetëbesim, që i ngjante paksa një aktori Fellini, pothuajse një grek i lashtë, dukej i saktë dhe i përsosur në lëvizjet e tij prej artisti të panjohur. Ai lëvizte mbi fizarmonikën e tij, që si me magji qëndronte gjithmonë e palëvizur dhe e padukshme në krahët e tij të fuqishëm neurotikë.
Të gjithë mbetëm të magjepsur dhe të palëvizur përballë një bukurie kaq të gjallë artistike. Edhe infermierët qëndruan në vend, madje edhe mjekët. Të gjithë mbetëm të shtangur para një shkathtësie të tillë.
Mbase ai cigan donte të na bënte të kuptonim : “Edhe unë, një cigan endacak , jam i çmendur si ju, por nuk më kapin, nuk më lidhin me zinxhirë, unë jam cigan, pa një banesë të përherëshme, jam i lirë. Juve ju kapën , ju shtypën, ju lidhën me zinxhirë. Ju jeni të barabartët e mi, edhe unë jam i çmendur si ju. Por unë jam një i çmendur i lirë. Jam një cigan. Për ju pra , kjo serenatë e lashtë. Për ju: rroftë çmenduria! Dhe rroftë liria !”
Sigurisht lodhej tek luante , por vazhdonte me atë gjysmë buzëqeshje, me puro gjysmë të fikur në gojë. Edhe pemët, degët, gjethet përkuleshin para një mjeshtërie të tillë. Muzika fluturonte, na magjepste e na hipnotizonte. Cigani e njihte mirë arin e jetës, pasurinë magjike të çmendurisë.
Ne pacientët bënim edhe ca kërcime të ngathta e të sikletshme, mbushur nga euforia para kaq bukurie të muzikës. Por edhe e jona ishte një hare e pastër e jetës, një dëshirë e paepur për liri, një dëshirë e paepur për t’ia mbathur. Të gjithë hidheshim si idiotë të çmendur, por kërcenim dhe përpiqeshim të vallëzonim.
Infermieret buzëqeshnin, disa të tjerë qeshnin, por pa e ditur pse. Muzika çuditërisht i përfshinte edhe ata në mjegullën e një ndjenje të lashtë nostalgjie. Dhe ne qeshnim, bërtitnim, ndiheshim të gjallë.
Cigani më në fund mbaroi serenatën e tij të gjatë dhe të bukur cigane. Hoqi kapelën, na përshëndeti. Pastaj u përkul dhe buzëqeshi. Përshëndeti përsëri dhe u largua.
Nuk na kërkoi asnjë qindarkë. As infermierëve dhe as mjekëve. Ai luajti vetëm për çmendurinë tonë dhe të tij. Ai luajti për lirinë tonë dhe të tij. Vetëm se ai ishte i lirë, ne vazhduam të rrinim pas portave. Të shtangur të gjithë nga një lumturi kaq papritur e papandehur.”
————
Marrë nga postimi në Facebook i Saimir Z. Kadiu