Prof.Dr. Flamur Shala, poeti i lirisë
Prof.Dr. Flamur Shala është një zë i konsoliduar i poetëve të shqiptarëve të Kosovës.
Prof.Dr. Flamur Shala është një zë i konsoliduar i poetëve të shqiptarëve të Kosovës. Profesor i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe dhe Doktor i shkencave filologjike është autor i disa librave, studimorë (E pakryera dialektore e gjuhës shqipe), publicistikë (Demokracia funksionale dhe refuzimi politik) dhe poetikë (Gjeni – Përmbledhje me poezi).
Këto janë disa poezi të përzgjedhura.
TRAZIM
Me sytë e mi kam pa plagën
E regjun shpërfaqet para meje
Nën lëkurë mbjellë
Atë rënie, atë vdekje
Kur më vranë njëqind e një mijë herë
I vrarë jam në ëndërr dhe shoh ata që janë
Me plagë pranvere në shtratin e gjetheve
E tashmja në bebëza më gërget
Ditë-ditë sillet përreth
Më lodh, më kthjell, herë prapë më vret
Ecejakem gjallë midis kujtimesh
Me rrapëllimë e në fllad të lehtë
Përtej malit në mal tatëpjetë
Jehonë lirie fishkëllimë më vjen
Nënqiellit të të parëve të mi gjithandej
Nuk më lë të sillem, bota sillet vetë
Boshtit tim sall dielli përvidhet
Në lindje e perëndim
Anekënd atdheut
Të pushoj s’më lë ky trazim, në muzg e agim.
*-*-*-*-*-
PËRMBYS BOTA KA RA
Përmbysje nuk është vetëm atëherë
Kur varka bie nga erë deti në shtrëngatë
As kur vala shkumëzon ndër ujëvarë
Se mbas shiu rrebesh përmbytës
Në shtrat si i fjetur, lumi kthehet mbarë
Në ara e lëndina, livadhesh në lugajë
Gjethe lule petalet hapen si më parë
Përmbysje nuk është vetëm atëherë
Kur bie erë e fortë e shkundje tërmeti
As kur një rrotë bie mbi tjetrën, praptohet
Se në betejë me rrebesh kur rrëzohet
Në ëndërr vetja i duket i hijeshohet
Rrëzuar herë ngritur në kohëra pa larë
Një pikë ujë e njom buzën e tharë
Përmbys bie bota, jo në shtrëngata
As nga erë e fortë murlanesh
As nga lufta ballë për ballë
Në beteja me shpata
Po në ëndrra të harrueme të diftueme
Jerm me sytë e vet zjarr ndezur ka pa
Me t’bamet magji përmbys bota ka ra
-*-*-*-*-
BUZËQESHJA
Është e gazplasurit që vjen me mall
Të dashurisë për ty njeri
E qeshura e nisur në kufi mes vajit
Në udhëkryq ngecur, e trazuar
Kur niset e ndalet në buzë ngrirë të rri
Kur të jesh skamur buzagaz
Nga dashuria e mbytur e pafat
Kur loti rrjedh mbi buzë e bëhet bashkë
Buzëqeshja e ngrirë
Shpërthen shpirtplasur, si zjarr
Papritur pas fjalës tënde shpërthen
Prej kohësh e përbime
Frymëzënë kur ecën zvarrë e kur rënkon
Kur bie në mollëza fytyrëngrime
Buzëqeshja në bebëza në sy vezullon
Lëre të rrjedhë syve të tu papra
Buzëqeshja të marrë udhën e saj
Të numërojë qepallëzat fije-fije
Të shpalosë rrudhat e ballit, të shndrisë
Rreze drite dielli mbi fytyrën tënde kur bie
-*-*-*-*-*-
ME TË NDEZUR TË LLAMBËS
Bien perdet e natës
Si të një akti në teatrin e qytetit tim
Terri nis e mbyt fjalën
Flakë të zbehtë merr kandili
Digjet në heshtjen e hënës drapër
Me të ndezur të llambës
Përpëlitjet e ditës gjunjëzohen
Si në aktin e lutjeve në shenjtore
Kandili i mban zili hënës
Djegur ngadalë në dëshira nate
Me të ndezur të llambës
Ikën një ditë si në përrallë gjumi
Pa të ndalur, si një valëz lumi
Si dikur pranë oxhakut mbledhur
Kur dëshirat ndizeshin për të nesërmen
Me të fikur të llambës
Dëshirat futen thellë në ëndërr
Herë heshtur e djegur si kandili
Fjetur në dritën e hënës në dritare
Herë gjer në mëngjes në etje nate
-*-*-*-*-
KOHA MATET ME YJE
Ke pasë thënë se nuk ka kohë
S’ka fillim, as mbarim
Ne matim nisur nga vetja deri aty ku mbërrin
Me hapa të vegjël e të mëdhenj deri në cep
Kohën e matim me vrap, kalëruar herë-herë
Tjetrin ndjekim, herë në dritë e herë në terr
Kalë me hingëllimë, me tufë në sy
E ka kalin gjog a e ka dori?!
Ke pasë thënë se njeriu hipën në maja,
me mend, e herë pa to
Zanat i vjetër qyshkur pa dritë
Rrëshqet nga skaji në skaj dhe vë dorë
Filloi qyshkur të masë me pëllëmbë e peqikë
Me hije mesdite, kohë pa kohë
Numëruar fletë-fletë lulesh, sythash në gjeth
Fushës e malit i jep sy e vesh
Vetë fshehur hijeve ndër pyje
Ke pasë thënë se vjen dita kur shihemi në sy
E dashurinë matim me yje
-*-*-*-*-
MOLLA E LYPSARIT
Kur thahen pemët, do të jetë tharë dora mbi to
Edhe lypsarit i dhimbsen, ndërsa pushtetin nuk e njeh
Nuk njeh dorën e vet, kur numëron kokërr më kokërr
Për një pikë ujë, e buza i rrëshqet në një mollë vjeshtore
Dora i mbetet shtrirë, herë mbi gjunj, buzëvarur në jargë
Si unë e ti dikur kur mbanim një strajcë misri, mbi supe ditës në pazar
Kur gjelat i lidhnim dykëmbësh në skaj të rrugës
E vjeshtës një kalavesh rrush i njomë na nxirrte lëng goje, si molla e lypsarit
Sa keq kur thahet pema e thahet dhe dorë pushteti mbi të
Mbetet veç një vizatim arti, sy korbi venitur,
pa ujë, pa mollë, pa rrush
Në kohë zgjedhjesh, deri në kohë kokrre në kuti,
S’dihet, e ka vënë kokrrën lypsari a ai që është mbështjellë me pasuri
*-*-*-*-*
HIJA
Mos shiko prapa vetes
Mjafton të të ndjekë pas hija jote
Nuk të lë të ikësh as të tretesh
Pas teje vjen ngjitur
Zvarrë përvjedhur si hije hëne
Herë bashkë me diellin rrezendritur
Në fat e fatkeqësi
Me ngjyrë rrezesh në bronz
A me ngjyrë hëne drapër në gri
Përherë pranë teje hija
Fytyrës sate hijeshi i rri
Duke ecur e duke folur
Hija ndjek hapin heshtur pa u lodhur
Vjen pas teje e vërteta e pathënë
Edhe kur nuk shihet fytyra jote
Të ndjek pas këmbë më këmbë
Duke qeshur e duke qarë
Rëndë e lehtë hija ngjitet zvarrë
Prapa teje vjen përherë
Në fytyrë le të vezullojë drita
Kur ndriçon hëna e kur zbardh dita
*-*-*-*-
ARBËRESHES
Në ëndërr në baladë
prapa këlkasteve të mia
nga bebëzat filloi rrugë e gjatë Moreje
që kur s’të pashë, që kur je nisur
me vete more dashurinë për dheun
me këngën arbërisht në varg-vargisur
me të tana plagët një mbi një qëndisur
Vargu mbi varg dënes
me ritëm të shprishur në krah kënge
fjala e mbësueme e rritur
shenjë kur u bë ajo fjalë matrënge
me shikim kah dheu, kah e bukura More
me tingëllimë në udhën e moçme
Motit shprushi mallin për atdhe
Rinës, me drithërimë nën hije te kroi,
kristal iu bë një gllënjkë uji burimi
kur malli për djalin s’e ndau nga shikimi
dhe kur tërmeti zemrën ia trandi
as era e stinëve mot me mot s’pushoi
dashuri peshqesh motesh i solli te ftoi
Arbëreshes mes ngjyrash ylberi
në mes detnash e dallgësh në shtrëngatë
mes resh të zeza shpërthyer me rreze dielli
kënga iu bë tërmet dashurie për atdhe
kur mori udhën nën hije te ftoi
dashuria për mëmëdhe përherë e përvëloi
Kënga ka ngjyrën e syve të saj
mallin hedhur supeve, veshur – trimërinë
është kënga e sprasme e Balës
kënduar te një qiparis
heroizmit për atdhe, për Arbëri
kurorë mbi kokë trimi, flamur dashurie i rri
-*-*-*-*-
ËNDRRA
Nën jastëk të rrahur kashte natën ëndrra ime fle
Ëndërr e njëjta prej gjyshi treguar në prehrin e tij
Pikturuar në dritë llambe dikur në murin vdjerrë
Ajo u bë flutur rrezesh drite të ditëve me dell
Me aromë kafeje ode mbrëmjesh oxhakut në prush
Ëndrra e gjyshit u poq në ankth e shpërtheu me vlug
Natë me natë e ditë me ditë fjala u bë gur
Bebëz syri me lot u bë e shembi një mur
Në varg kënge magjike zogjtë qiellit fluturim
Rrinë në krahë ëndrre, si në krahë bilbili me ligjërim
Mbërrijnë këtej drejt meje në ëndërr me gëzim
Në vargje kënge heronjsh lirie vijnë me guxim
Ëndrra ime u bë zhgjëndërr hapësirave pa kufi
Krah për krah të gjithë bashkë këndojnë në liri
Si në ëndërr kur zogjtë fluturojnë lartësive
Të gjithë bilbilat këngën bukur këndojnë qiejve