Akad. Skënder Gjinushi: Monedha është dëshmia me informacionin më të koncentruar

Konferenca për numizmatikën në Mesjetë do të ndihmojë për të sqaruar e ndriçuar çështje të shekujve të Mesjetës.


Nga Akademik Skënder Gjinushi

Konferenca për numizmatikën në Mesjetë do të ndihmojë për të sqaruar e ndriçuar çështje të shekujve të Mesjetës.

Fjala e mbajtur sot nga Kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë akad. Skënder Gjinushi në konferencën shkencore “Mesjeta, pararendëse e një sistemi monetar të mirorganizuar” të organizuar në bashkëpunim me Muzeun e Bankës së Shqipërisë-

I nderuar z. Gent Sejko, Guvernator i Bankës së Shqipërisë,
Të nderuar të pranishëm,

Pjesëmarrja në një konferencë shkencore kushtuar trashëgimisë numizmatike të Shqipërisë në shekujt e Mesjetës është gjithnjë një kënaqësi, pasi është rasti të dëgjosh e shkëmbesh njohje, mendime e opinione – përmes kumtimeve e referimeve të tyre – nga specialistë nga më të informuarit e me kompetentët në fushën përkatëse, për një nga periudhat më të rëndësishme të historisë. Kënaqësi e veçantë sidomos që bashkëpunimi shkencor midis dy institucioneve tona po krijon tashmë një traditë të frytshme.

Kjo konferencë, e organizuar prej Muzeut të Bankës së Shqipërisë, është tepër specifike, pasi është e rrallë që një institucion monetar t’i përkushtohet drejtpërdrejt shkencës, prandaj më së pari do të dëshiroja të përgëzoja Bankën e Shqipërisë për kujdesin e saj sistematik, që shprehet edhe në organizimin për të katërtën herë të konferencave kushtuar historisë së monedhës, kësaj here me temën “Mesjeta, pararendëse e një sistemi monetar të mirorganizuar”, pjesë e së cilës është edhe Akademia jonë, si institucion e me kontribuuesit e saj.

Kuptohet se shkenca e paraja nuk para kanë të njëjtën mënyrë sjelljeje dhe të njëjtat marrëdhënie me përdoruesit e tyre. Shkenca krenohet se është investimi më fitimprurës, por në terma afatgjatë, ndërsa sistemet monetare synojnë qarkullimin sa më të shpejtë e me fitim, sa më afatshkurtër. Por, me gjithë këtë dallim, ASHSH dhe Banka e Shqipërisë kanë gjetur një mirëkuptim e bashkëpunim të suksesshëm për organizimin në vijimësi të disa aktiviteteve shkencore të përbashkëta, duke filluar prej atyre kushtuar krizave të shkaktuara nga pandemia e virusit Covid-19, në të cilën pjesëmarrja e Guvernatorit Sejko ka qenë me mjaft domethënie për ne.

Për këtë mirëkuptim e vlerësim të ndërsjelltë dëshmon edhe vetë tematika e përzgjedhur për konferencën e sotme, në të cilën tërë pjesëmarrësit janë ftuar të japin kontributin e tyre për të ndriçuar e pasuruar me dëshmi të reja mjaft aspekte të periudhës historike të Mesjetës, duke marrë shkas nga studimi i historisë së monedhave, funksioneve dhe përdorimit të tyre, prodhimit dhe simboleve që përmbajnë, nga kanë ardhur e ku kanë qarkulluar, çfarë marrëdhëniesh ekonomike, tregtare e kulturore njoftojnë.

Akademia e Shkencave është duke hartuar një variant të ri të Historisë së Shqipërisë e të shqiptarëve, e cila, siç është rënë dakord, nuk do të jetë thjesht një histori politike, por njëherësh edhe ekonomike, kulturore, religjioze, pra, e parë në tërë aspektet.

Periudha e Mesjetës është nga periudhat që kërkon me shumë angazhim për t’u ndriçuar, pasi në historiografinë e mëhershme është vlerësuar si nga më të errëtat, reaksionare, dhe është paragjykuar si kohë që nuk prodhoi shumë të mira. Në vështrimin tim, nga jashtë fushës së ekspertizës, antikiteti i ka faktet thellë nën tokë, e për këtë arsye edhe të vështira për t’i zbuluar, por, për fat, edhe të vështira për t’i zhdukur; koha e re ka një mori të pafundme burimesh arkivore, dokumentesh e dëshmitarësh, që s’mund të fshihen e asgjësohen, por të vështira edhe për t’i përzgjedhur; ndërsa në Mesjetë me sa duket ka qenë më i lehtë cenimi deri në shkatërrim i kulturës dhe kujtesës së tjetrit. Prandaj studimi e ndriçimi i kësaj periudhe përbën edhe një nga sfidat tona nga ana profesionale dhe një nga interesat krysore për vlerat që bart në ndriçimin e historisë sonë.

Kjo periudhë është ajo që lidh antikitetin me kohën e re, ajo përfshin shekujt e lulëzimit arbëror, që ndërlidh ilirët me shqiptarët. Prandaj çdo muze, duke përfshirë atë të Bankës së Shqipërisë, është një mbështetje e vyer dhe inkurajuese për historianët. Konceptimi i tij si një institucion jo vetëm për koleksionimin, ekspozimin dhe studimin e vlerave numizmatike, por edhe për rëndësinë e këtyre vlerave si pjesë të rrjedhave historike, është për t’u përshëndetur. Ky muze duhet të shërbejë edhe si shembull për vlerësimin, konservimin e promovimin e pasurive tona arkeologjike, që shpesh i nxjerrim nga balta shekullore dhe i mbulojmë me pluhurin e kohës.

Monedhat janë dëshmi historike me informacionin më të koncentruar. Nuk ka ndonjë artefakt dhe as burim tjetër që të shprehë përmes minimumit të madhësisë, shenjave dhe shkronjave, sinteza kaq të thella të historisë. Një historian mund të shkruajë gjithë historinë e popullit të vet vetëm duke u mbështetur në përmbajtjen e monedhës, duke zbuluar vlerat e qytetërimit të vendit, lidhjet dhe raportet me fqinjët dhe me të tjerë, afër apo larg qofshin.

Monedhat janë një nga çelësat magjikë të zbardhjes së historisë. Arkeologët kanë qejf që shkencën e tyre ta quajnë matematikë e të tillë e bëjnë ndër të tjera gjetjet monetare, krahasimi i tyre, me të cilat lexon lehtë kohën e periudhën e prodhimit, materialet e përdorura, dallimet e ndikimet midis kulturave e popullsive të ndryshme, lëvizjet e popullatave, tiparet dhe simbolet e epokave, figurat e prijësve dhe komandantëve në periudha të ndryshme. Studimi i sistemeve monetare tregon shkallën e zhvillimit të shoqërive. Ndonjëherë edhe një monedhë e vetme bëhet shkak i ndryshimit të tezave të rëndësishme historike. Nëpërmjet tyre e dëshmive të tjera materiale tashmë është hedhur dritë mbi periudha që lidhen me parailirët, ilirët, arbërit a Mesjetën. Edhe kumtimet në këtë konferencë do të ndihmojnë në këtë drejtim.

Punime të mbara, faleminderit për vëmendjen.

www.akad.gov.al

Dumani: Sky ECC dhe Encrochat ekspozuan lidhjet e krimit me politikën, drejtësinë dhe Policinë

Aplikacionet Sky ECC dhe Encrochat ekspozuan lidhjet e krimit me politikën, drejtësinë dhe Policinë.

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Dumani: Sky ECC dhe Encrochat ekspozuan lidhjet e krimit me politikën, drejtësinë dhe Policinë

Aplikacionet Sky ECC dhe Encrochat ekspozuan lidhjet e krimit me politikën, drejtësinë dhe Policinë.