Shtetet e Bashkuara godasin dhe rrëzojnë një objekt të ri fluturues mbi Alaska
Me urdhër të Presidentit Biden, një avion luftarak amerikan rrëzoi një objekt që fluturonte në lartësi të mëdha mbi qiejt e Alaskas.
Me urdhër të Presidentit Joe Biden, një avion luftarak amerikan goditi dhe rrëzoi të premten një objekt që fluturonte në lartësi të mëdha mbi qiejt e Alaskas. Objekti kishte përmasat e një makine të vogël, njoftoi Shtëpia e Bardhë.
Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë John Kirby u tha gazetarëve se shumë detaje janë ende të panjohura për këtë objekt, por se Shtetet e Bashkuara pritet ta marrin objektin, i cili ra në ujërat territoriale amerikane.
Nuk është e qartë se nga ka ardhur objekti, tha zoti Kirby. “Nuk e dimë në pronësi të kujt është ky objekt”, tha ai.
Ai tha se objekti u rrëzua në pjesën verilindore të Alaskas, pranë kufirit me Kanadanë. Ai shtoi se sipas vlerësimit të pilotit amerikan, nuk pati asnjë person në bord.
Më 4 shkurt, Shtetet e Bashkuara goditën dhe rrëzuan një balonë spiune kineze që kalonte në lartësi të mëdha përgjatë Shteteve të Bashkuara.
Zoti Kirby u tregua i kujdesshëm që të mos e klasifikonte objektin si një balonë.
Ai tha se të dhënat e para për këtë objekt të ri dhe trajektoren e tij u bënë të ditura për Shtetet e Bashkuara mbrëmjen e së enjtes. /VOA