Abraham Linkoln, Presidenti më i admiruar në SHBA
Jeta e tij i ngjan vetë Amerikës; nga fëmije i lindur në kasolle, u bë presidenti XVI i SHBA
12 Shkurt 1809 – SHBA; Lindi presidenti më i admiruar.
Jeta e tij i ngjan vetë Amerikës; nga fëmije i zakonshëm, lindur në kasolle, u rrit të bëhej presidenti XVI i Shteteve të Bashkuara.
Studioi shumë, vetë, nën dritën e zjarrit në vatër për t’u bërë avokat pastaj burrë shteti.
Eshtë fjala për Abraham Linkolnin, një nga presidentët amerikanë më të nderuar, që i shërbeu vendit në kohët më të turbullta; afati i presidencës së tij (1861-1865) përfshiu Luftën Civile; Çlirimin e skllevërve: Fjalimin në Gettysburg, që vazhdon të konsiderohet si shprehje klasike e besimeve dhe qëllimeve demokratike.
Presidenti Linkoln shpalli gjithashtu një nga festat më popullore në Amerikë; Ditën e Falenderimeve.
Ai tha se e enjtja e fundit e nëntorit duhet të përdoret për të falenderuar, për të shprehur mirënjohje për çka aktualisht kemi, dhe kështu ishte dhe vazhdon të jetë kjo ditë.
Abraham Lincoln jetoi në kohë tragjike; edhe fatin e pati tragjik.
Duke parë një shfaqje në Teatrin Ford në Uashington, ai u qëllua, dhe vdiq disa orë më vonë. Linkolni ishte presidenti i parë amerikan që vritej.
Kur praktikonte ligjin në Ilinois, ai fitoi mbiemrin “Abe i Ndershëm”.
Për Abe Linkolnin, të qenit avokat ose President ishte e njëjta gjë; kërkim i së vërtetës për klientin apo për vendin.