Kryeparlamentarja Nikolla pret ambasadorin King-Smith: Projekte konkrete me Britaninë e Madhe!
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, u takua me Ambasadorin e Madhërisë së Tij, Mbretit Charles III, Alastair King-Smith
Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, u takua sot me Ambasadorin e Madhërisë së Tij, Mbretit Charles III të Mbretërisë së Bashkuar, z. Alastair King-Smith.
Kryetarja Nikolla vlerësoi bashkëpunimin shumë të mirë dypalësh mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe nënvizoi mundësitë e zgjerimit të këtij bashkëpuniki.
“Bashkëpunimi mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Dhomës së Komuneve të Mbretërisë së Bashkuar kohët e fundit është intensifikuar, nëpërmjet grupeve të miqësisë e komisioneve parlamentare dhe nxit e mbështet marrëdhëniet dypalëshe. Të dy vendet po bashkëpunojnë për dekurajimin e flukseve migratore, luftën kundër trafikimit që shfrytëzon kanalet migratore dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.”, u shpreh znj. Nikolla.
Ambasadori Alastair King-Smith falenderoi Kryetaren Nikolla për vullnetin për rritjen e bashkëpunimit dypalësh e parlamentar dhe vuri në dukje se edhe nga Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar konstatohet i njejti vullnet për bashkëpunim. Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar do të vijojë bashkëpunimin me Qeverinë e Shqipërisë, duke avancuar programet që po zbatohen si edhe duke zbatuar programe të reja, me fokus në zonat veriore të vendit.
Kryetarja Nikolla dhe Ambasadori King-Smith biseduan edhe mbi bashkërendimin e luftës kundër trafiqeve, korrupsionit dhe krimit të organizuar, mbi prioritetet e kalendarit të punës së Kuvendit, përgatitjet për zgjedhjet vendore të 14 majit etj.
Bashkëpunimi mes Kuvendit dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar do të konkretizohet me fillimin së shpejti të projektit “Rritja e llogaridhënies së qeverisë përmes një parlamenti më të përgjegjshëm”, si pjesë e Programit të Lirisë dhe Qëndrueshmërisë 2022-2025.
Projekti do të ndihmojë përmirësimin e procesit legjislativ dhe rrisë kapacitetet e Kuvendit dhe bashkëpunimin me median e shoqërinë civile për të mbikëqyrur politikëbërjen dhe zbatimin e programeve qeverisëse. “Transparenca dhe llogaridhënia janë prioritetet e mia si Kryetare e Kuvendit. Llogariadhënia e Qeverisë në Kuvend ndihmon llogaridhënien e Kuvendit para qytetarëve.”, nënvizoi Kryretarja Nikolla.
Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla, ftoi për një vizitë zyrtare në Kuvendin e Shqipërisë, Kryetarin e Dhomës së Komuneve, Sir Lindsay Hoyle.