Entela Kasi: Asgjë nuk është më ëmbël se dashuria!
Shkrimtarja, poetja dhe përkthyesja, Entela Kasi, Presidente e PEN Albania, vjen me poezi në Ditën e Shën Valentinit.
Shkrimtarja, poetja dhe përkthyesja e njohur, Entela Kasi, Presidente e PEN Albania, vjen natyrshëm me këto poezi të bukura në Ditën e Shën Valentinit.
Asgjë veç dashurisë
Asgjë nuk ka mbetur veç dashurisë miku im,
Nga qielli bien gjuhë zjarri, e akull
Vetëm ti, krah meje
si rrënjët më mban fort
Ndërsa më rrëmben stuhia e sodit,
Dhe krahët më ikin trupit
si mendimet në një pus të shteruar
E ti më thua se është veç një makth
Ndërsa këmbët të lodhura dergjen
Plasave të plisit ku zhegu
hedh re të shkreta,
Po tash ku jemi?
pyes dhe endem
kohës
pa stinë
E, ti…
Kjo pemë plot jetë
Më mbështjell
Më mban
Më flladit,
Ndërsa bie
N’ trishtim
Ku reja ka krisur motit
N’sy të lodhun vjetësh…
Zë që më vjen së largu
Caqet, kufij të përmbajtjes
Lëndës, formës, materies
Ndërsa fryma dhe mendimi
Të pamundshëm janë për korniza,
Aty të gjitha bien,
Rrëzohen, heshtin, ngrihen
Universit tej
Në ata diej,
E bota që rrotullohet vetes
Aty pezull
Mbështjellë uji, dheu, zjarri,
Prej së larti
Drita, ajri…
dhe jeta, merr formën që dimë.
Ka kufij si guri i kufirit,
Ku ri e ulem
Kur mendoj të ikurit
Ka një mur ku gishtat lenë gjurmën e frymës
Ka një mal,
ku zëra si era më sjellin
këngët e hershme të njeriut
Ka një lumë që i ikën syrit
Ca tinguj gjuhësh
Të fshehta
Që më kthejnë
Me flatra andrrash
Në ato vende
Ku zgjohet
Jetë.
Nëse bota është e egër, Hannah
Nëse bota është e vrazhdë, Hannah,
Lëkura e regjur nga kripë e ëndrrës është faqja
Ku do të shkruash historinë tënde, time, tonën
Do ta gdhendësh me ngjyrat e tokës, zjarrit, ujit
Tanë botën e lume krejt
Botën që derdhet e përhapet sall këtu ku jemi
E nëse oxhaku bie, Anja
Në vatër do xixëllojë prushi,
Drita e yjet do hyjnë kah gurët e qosheve të shtëpisë së gjyshit
E do zgjaten si duart e tij që mbështillnin
Duhanin mbi hirin e fletëve
Hana ka me ta shfaq anën tjatër
Mbështjellë n’ mëndafsh fjalësh të nanës
Deri sa të bëhet e plotë në kupë të qiellit
Do të ndërrojnë stinët, Anja
Do të piqen shegët, portokallet,
ullinjtë si sytë e saj të bukur
Me lëng jete
Mollët do të pikojnë nga degët e nuk do të thyhen pemët
Mbi kokën tënde të bukur do të çahen gështenjat e pjekura
Do mbetet ngjyra mbi flokët e tu përhapur nga era gjithkund
Do shohësh tokën e pluguar ku hidhet gruri
Farën n’gjumë të ëmbël nën plis
Mbuluar nga bora
Do të vallëzosh në akull balerina ime
E unë do të jem flutur diku rreth zjarrit
…njerëzit do ti duash ashtu si janë
Të vegjël, të hidhët, të trishtuar, të sëmurë, e të krisur
Do ti shohësh të gjitha Anja,
Do pish mjaltë e verë,
Do hidhërohesh, do të qash, do të rrëzohesh,
Do të biesh për tokë prej dhimbjes
Pastaj do të ngrihesh, do të ngjitesh lart për të qenë
Bijë, vashë, nanë e grua
Për të mbetur motër e fëmijë e qashtër si drita
E dashura e ambël e dashurisë së jetës
Nëse bota është e egër Anja
Lëkura e regjur e saj është faqja
Ku do gdhendësh jetën
Këngë dhe plagë
Është gjurmë ikjesh,
kohë moskthimi në tokën që duhej të ishte
Shtëpia jote,
Por ti je ashtu si përherë një shtegtar,
… mot i lig rrëmbeu
mbështjellë nën pelena orteku,
Malin rrëzuar në syrin tim.
Njeriu krijohet nga një pikë uji,
Ndërsa botë e lume mbytet në gjuhë flake që djeg
Ku secili njeri pas tjetrit rrëzohet
muresh, kufijsh, gjuhësh.
Thuhet se Ama, është toka ku mbillen pemë
Thuhet se Ati është mrekullisht një lumë plot jetë,
Deri çastin kur tjetërkush përmbi ne bën të jemi!
Deri sa ti të kesh mësuar
se shtëpia jote, është e gjithë bota,
Deri sa ti të kesh mësuar
se nëse shtëpia jote në një cep të vendit tënd
është po e jotja,
Deri sa ti të jesh bërë ai lumi i dritës,
Deri sa ti të jesh bërë Ati,
Kështu do të jesh,
Gjurmë ikjesh, një shtegtar i kohës
Midis kufijsh, vendesh, gjuhësh,
Ndërsa drita bie në syrin tënd,
Dhe sheh gjithçka
Të hidhët a të ëmbël,
Si jeta!
Dhe nis këngën
Lumturia ka shijen e durimit,
të dashurisë
pa të cilën jemi qenie të mjera.
Një kohë për gjithçka
… Kur bëhem krah mëllenje plagosur
nga breshëri që theu degën,
kur bie, kush më ngre lart, në pemën e ëndrrës?
Kur larg ikin mendimet
e kthehet kujtimi i çastit të kohës
kur ra e krisi reja,
kush merr dritën e xixëllonjave
e ma sjell si reze
të një rruge të pashkelur,
Këmbësh të lodhura
ngrënë nga gurë e gjemba.
Zbathur lëkura e plasur
si tokë e djegur zhegut. ..
Kur më ktheheshin ti,
poshtë kurorës së pishave rënduar nga bora,
mbështjellë me lëkurë delesh,
krejt bota ndalet atje!
Sall atje ngrin koha
si qirinj akulli varur nga streha,
që nuk mund të ishte e jotja!
Pastaj nis e pëshpërit fjalë
të një gjuhe pa njerëz,
që e shpërndan era
tej reve, tej qiellit, tej universit.
Ka planetë pa jetë
e ata përsëri janë ashtu siç janë të errët!
Ashtu sikur yjet që ndriçojnë netëve por të pajetë!
Ka gjithçka që nuk dimë,
ashtu siç ka rrëfenja
dhe biblioteka të djegura.
Libra të pa lexuar dhe rrugë ende të pashkelura,
Ka një kohë për gjithçka!
Kur të kthehesh ti në botën time që fle,
kur të më jesh fjalë e lumë i ikur…
Përsëri,
si dikur, si sot a nesër,
bëhem krah zogu i thyer nga koha…
Dhe ngulem në gishtat e mi si penë,
për të shkruar
krejt kohët pa ty…
Kohën tonë pa ne!
Ku secili ikur
nga
vetja,
mbetur
asht dhe plagë
i
Një pike uji
në
gjithkund
…