Parajsa i shtroi tapetin e kuq poetit Bardhyl Londo!
Poeti përmetar Bardhyl Londo ndërroi jetë, më 18 shkurt 2022, në moshën 74-vjeçare në Tiranë
Nga Thomaidha Tanuçi
Bardhyl Londo ndërroi jetë një vit më parë, 18 shkurt 2022, por poeti përmetar dhe i dashur në gjithë trevat shqiptare, do të kujtohet përherë me respekt, veçanërisht për vargjet frymëzuese që na la trashëgim të gjithëve.
I lindur në Përmet, më 25 dhjetor 1948, profesori i diplomuar për gjuhë ruse, punoi disa vjet si mësues në rrethin e Përmetit, në vendlindje, e më pas qe redaktor dhe kryeredaktor i gazetës letrare “Drita”.
Në qershor 1992 u zgjodh kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, në vend të Dritëro Agollit që kishte dalë në pension në janar të atij viti.
Lirikat e Londos frymëzohen nga fakte konkrete: ato ndërtohen me imtësi e çaste nga përvoja e jetuar dhe e përjetuar intensivisht duke u shndërruar në poezi në një mënyrë të matur dhe erudite.
Krijmtaria e tij letrare përfshin tetë vëllime me poezi si edhe disa romane. Është fitues i çmimit “Migjeni” më 1988 për vëllimin Si ta qetësoj detin si dhe çmimin kombëtar me vëllimin poetik “Prill i hidhur”.
POEZI NGA THOMAIDHA TANUÇI
IKE!
(Në ditën e lindjes së Nikos Kazanxakis që e doje shumë)
Iku dhe fryma jote ngadalë,
e fundit frymë, i dashur poet,
madhështia më e lartë ka mbetur pa fjalë,
e poezia mbeti pa mbret.
Tashmë jo më dy brigje,
Valentina të pret te ura e Hadit,
parajsa i shtroi tapetet e kuq;
të bardhë, të mëndafshtë çarçafët e shtratit.
Po do të turfullojë e shkumëzojë
Vjosa,
dhe qielli nga i cili re,
të mbajti të ndezur, sërish do të ndriçosh,
I shenjti poet mbi dhe.
Ike e pas le dashurinë,
poezia për ty po mban zi,
dhembja tek Ti strehoi vetminë,
si t’i them fjalët nuk di.
Po ikën, ike, i shtrenjtë,
na le kokëulur, të akulluar,
ky trishtim, kjo heshtje e rëndë,
nuk gjeti një shpirt për t’u shuar.
thota