Ahmet Zogu ishte një sipërmarrës i pasur, para se të bëhej Mbret i Shqipërisë!
Historiani: Ishte një nga biznesmenët e parë në Shqipëri. Me kohën e sotme, pasuria i shkonte 10 milionë euro
Historiani Erald Kapri thotë se Ahmet Zogu ishte një njeri i pasur para se të bëhej Mbret i Shqipërisë. Kapri u shpreh se edhe pa floririn dhe bizhuteritë, Zogu zotëronte një pasuri të madhe, e cila në ditët e sotme kapte vlerën e 10 milionë eurove.
“Zogu realisht ka qenë një njeri shumë i pasur edhe para se të bëhej mbret. Ishte një nga biznesmenët e parë në Shqipëri. Në 1919 këtu ka ardhur një industrialist italian, i cili bëri një marrëveshje me Zogun për pyjet e zonës së Pukës dhe Fushë-Arrëzit. Bëri një marrëveshje për 700 mijë lireta të kohës”. Ai tha për “Euronews” se Zogu ka marrë deri para vitit 1925, deri në 3 milionë lireta për marrëveshjen e pyjeve.
“Kjo marrëveshje mendohet t’i ketë sjellë 100 mijë stërlina në flori. Gjatë kohës që u bë Mbret, vendosi një standard. Oborri mbretëror do kishte një buxhet të majmë, që i shërbente oborrit mbretëror, paguheshin 500 mijë franga ose 25 mijë napolona flori”.
Ai kishte një koleksion bizhutetish që u zbulua në një ankand në vitin 1959.
“Kam zbuluar dy llogari të fshehta bankare të Zogut. Ishin krijuar para se të ikte nga Shqipëria. Një e kishte të llojit bankë, 50 mijë stërlina dhe një në “Westmister Bank” me kapital amerikan, kishte 82 mijë dollarë. Ai fitoi edhe një kompensim lufte ku mori 52 mijë stërlina”, shtoi ai.
Sipas tij, Zogu, pa floririn dhe pa këto bizhuteri kishte para mjaftueshëm, që me kohën e sotme shkon 10 milionë euro.
Ndërkaq, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave ka publikuar dy dokumente që tregojnë se sasia e arit që ka marrë mbreti Zog kur u largua nga Shqipëria më 1939, është shumë herë më i madh sesa dihej deri më tani.
Sipas Arkivit, ky fakt i ri historik pritet që të ngjallë shumë debate, teksa dokumenti është nxjerrë nga fondi i milicisë fashiste dhe vjen në formën e një raporti.
Në dokumentin e firmosur nga Gjon Lusha thuhet se më datë 8 prill 1939 Mbreti Zog ka kaluar kufirin me Greqinë dhe gjatë kontrollit i janë gjetur: 250.000 napolona ari.