Edi Rama takim me kryetarin e Kuvendit të Japonisë, Hiroyuki Hosoda
Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me kryetarin e Kuvendit të Japonisë, Hiroyuki Hosoda
Kryeministri Edi Rama dhe delegacioni që e shoqëron, në vijim të vizitës në Japoni, zhvilluan sot një takim me kryetarin e Kuvendit të Japonisë, Hiroyuki Hosoda dhe grupin parlamentar të miqësisë Japoni-Shqipëri.
Kryeministri Rama ndau në rrjetet sociale foto nga ky takim.
Më herët sot, Rama u takua me drejtues të Agjencisë Japoneze të Bashkëpunimit Ndërkombëtar, ku u diskutua për një sërë projektesh me rëndësi, si dhe me kryetarin e Federatës Japoneze të Biznesit dhe një përfaqësi nga sektorë të ndryshëm ekonomikë.
Kryeministri Rama ka nisur sot një vizitë zyrtare në Tokio, Japoni, në kuadër të 42-vjetorit të vendosjes zyrtare të marrëdhënieve diplomatike Shqipëri-Japoni.
Rama shoqërohet në këtë vizitë zyrtare (21-25 shkurt) nga ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca dhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.
Në kuadër të kësaj vizite janë parashikuar një sërë takimesh që synojnë forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve.
Po ashtu, Rama do të zhvillojë një takim bilateral me kryeministrin e Japonisë, Fumio Kishida, si dhe do të marrë pjesë së bashku me delegacionin që e shoqëron, në darkën e shtruar prej tij.
Viti 2022 shënoi 100-vjetorin e marrëdhënieve të miqësisë mes Shqipërisë dhe Japonisë.