Si e shpëtuan aviatorin anglez, pas rrëzimit të avionit në Lupckë të Përmetit
Fragment nga libri i Sofokli V.Toles, “Nje jete mes dy shekujve” , Tirane, 2019,
Nga Sofokli Tole
Në një nga operacionet e armikut, aty ku ishim të strehuar, ndoqëm me kureshtje një luftë në ajër (aeromaji, thoshin ata që dinin gërqisht) midis dy aeroplanëve që herë uleshin e herë ngriheshin, herë i afroheshin e herë i largoheshin njëri-tjetrit, por gjithmonë sa më pranë ndodheshin, aqë më të shpejta ishin qitjet e mitralozave të tyre që shpërthenin në ajër. Më në fund, pamë një tym që lëshonte njëri nga aeroplanët dhe pastaj një parashutë që u hap shpejt, dhe shumë larg vendit tonë u ul në tokë. Në të njëjtën kohë u ndëgjua një zhurmë që bëri aeroplani që u rrëzua në tokë. Ata më të mëdhenjtë e përcaktuan afërsisht vendin e rrëzimit të aeroplanit, por më shumë i gëzoheshin parashutës, cohës së saj e litarëve që u hynin shumë në punë fshatarëve.
Në fillim u gjend vendi i rrëzimit të aeroplanit , në sheshi i Golemit, quhej vendi. Aeroplani i rrëzuar kishte hapur një gropë të madhe 4-5 m. me diametër 5-6 metra. Rreth e rrotull copëra metalike, hekur e alumin, municion, krahë të copëtuar. S’mbeti njeri pa vajtur e pa marrë relike që mund t’u hynin në punë, gërmime në gropë nuk bënë, nuk ua mbante nga ndonjë shpërthim. Sidomos me copa alumini u bënë krehra flokësh nga më të ndryshmit. Shumë vite më vonë u hapën fjalë se aeroplani englez kishte pasur brenda sasi të mëdha monedha angleze që do të hidheshin në bazat e caktuara për ndihmë të ushtrisë partizane. S’është çudi që grupe të rinjsh me fantazi përrallore të kenë bërë edhe gërmime.
Parashutisti nuk po shfaqej gjëkundi megjithëse parashuta u gjend, u fsheh dhe u copëtua nga gjetësit dhe shumë kohë më vonë u bënë të ditur fshatarët që e kishin gjetur. Fëmijët u bënë shkaktarë për daljen e parashutistit nga streha e përkohshme. Kohë lufte ku i dihej se në ç’zonë gjenden vendndodhja e tij. Ai mbase ka pasur dhe hartën e zonës. Shumë vite më vonë kur gjeta në sepetin e babait në fshat harta topografike të Shqipërisë, por dhe të rrethit të Përmetit shumë të sakta, aty ishin të shënuar kisha të rrënuara, rrugë, male, pyje, bile dhe burime të fshatit tonë që dhe unë si lupckalli, bile dhe më të vjetrit nga mua nuk i dinin.
Fëmijët e fshatit ishte e modës të mbanin ndonjë kapele me yll që shumë herë dhe partizanët ua dhuronin si kujtim nga lufta. Si duket aviatori nga ndonjë pikë vrojtimi ka piketuar fshatin, është afruar me kujdes, por dhe për ndonjë ushqim, frutë ose presh e lakër për të shuar urinë. Kur ka parë fëmijët me yllin “komunist” në kapele e me ndonjë pushkë druri, i është ngrohur zemra, ju afrua atyre duke thënë partizan, partizan e të tjera shenja e fjalë si avion, aeroplan, parashut. Edhe partizanët e komandës së vendit si dhe njësiti gueril i fshatit ishin vënë në dijeni që të bënin çmos për gjetjen e aviatorit. Si përfundim, atë ditë që u shfaq aviatori në fshat … dhe një batalion partizan që i kishte shpëtuar syrit të armikut, mbasi ky batalion ishte në mbrojtje të spitalit partizan, spital i cili me fshehtësinë më të madhe ishte fshehur në pyjet tona natën për natën, bile për këtë asnjeri në fshat nuk kishte dijeni dhe ashtu e donte puna.
Më në fund Këshilli i fshatit, aviatorin englez e sollën në shtëpinë tonë, mbasi të gjithë e dinin se Vasil Zisi kishte punuar me anglezët, por se dhe në shtëpinë tonë ishte caktuar për bazë komandanti i batalionit, një partizan sapo i kthyer nga GAMI grek, nga një operacion që i kishin prerë krahun. Më parë në shtëpinë tonë erdhi (ose e suallën) aviatori englez. Të gjithë e shikonin me kureshtje të madhe: i gjatë, i hollë, gazmor, ushtarak dhe me pistoletë në brez. Me siguri më shumë u gëzua mysafiri që ishte në duar të sigurta, që komunikonte lirshëm me babanë ndaj edhe babai, me respekt e preferencë për të si “Aleat” antifashist i siguroi një krevat tek me çarçafë e jorganë të pastër, me peshqir e sapun që babai ua dinte shumë mirë terbietet.
U la, u ndërrua dhe sigurisht bisedat vazhduan më vonë dhe me udhëheqjen e batalionit. Ekonomati i batalionit kërkoi në fshat disa kokë bagëti për partizanët dhe për të sëmurët e spitalit. Edhe ne u dhamë një dhi që po e thernin në lëmë me të tjerat, duke na dhënë një dëftesë dore që nesër me çlirimin e vendit të na jepej paraja (as që i kërkuam ndonjëherë as ata nuk u kujtuan për borxhet). Në lëmin tonë po thereshin bagëtitë për partizanët, ne po mbanim sehir, erdhi dhe babai e më tha mua si të mbaronte therja, të merrja lëkurën se na duhej për të bërë kofshinat që u viheshin qeve në qafë për të mos u vrarë zverku nga zgjedha kur lëronin në arë.
Për çudi, krejt papritur një nga ata “partizanët” mendjemëdhenj, i tha babait:
– Ne po lëmë kokën në luftë, zotrote kërkoke lëkurën.
Babai s’iu përgjigj dhe iku.
Unë: – Lëkurën e duam për qetë se do punojmë që t’u japim dhe bukë nesër sa të çlirohet vendi. Ne jemi fshat me luftën.
Edhe unë ika mbas babait dhe iu luta të më jepte dëftesën, ma dha dhe unë me vrap erdha në lëmë dhe mora nga xhepi dëftesën dhe duka ia dhënë “partizanit” e duke i thënë: – Urdhëro merre, nuk duam shpërblim. Vdekje fashizmit! – një të nderuar me grusht dhe u largova.
Për disa ditë rresht ne kishim shumë partizanë, gati dhoma nga gura u mbush plot. Aty hanin, aty flinin edhe komandanti. Partizanët donin nëpërmjet babait të mësonin shumë gjëra për aviatorin dhe as babai, as mysafiri nuk lodheshin për përgjigjet. Bile më kujtohet si tani, kur një partizan e pyeti nëse dinte aviatori të këndonte këngë. – Po – i tha englezi dhe filloi të këndonte. Të gjithë qeshëm, por aviatori vazhdoi të këndonte dhe qeshte. Kishte të drejtë, i shpëtoi jetës për një qime, ishte para shumë rreziqesh!
Nuk ishte rasti i parë që partizanët e strehuar në shtëpinë tonë, në kohë të ndryshme, duke parë gjithë ato shtëpi të mëdha, pak a shumë dhe me disa komoditete apo dekoracione tavani, dollapësh, musandrash e të tjera, të kërkonin më shumë bukë e gjellë apo dhe të tjera shërbime. Por ata e kishin të vështirë të besonin, se ne si familje e madhe ishim keq për vete e hanim bukën me masë, me racion dhe se po nxirrnim në treg për të shkëmbyer me bereqet (grurë e më shumë misër se ai ishte më i lirë) sende, objekte me vlerë shumë të shtrenjtë, qilima e sixhade të sjella nga Stambolli por që prejardhjen e kishin nga Persia e më tutje, mall i sjellë nga të parët tanë që merrnin rrugët e kurbetit.
Dialogu që u bë në lëmë, këto që shkrova në paragrafin më lart, apo strehimi i englezit në një familje që i zoti i shtëpisë dinte anglisht sikur nuk i pëlqyen komandantit të plagosur e të operuar, ndaj kërkonte sherr, por ku ta gjente, megjithatë e gjeti për hesapin e tij. Dërgoi zëvendësin e tij të bisedonte me babanë për nëse kishte mundësi një pjesë e partizanëve të flinin në një dhomë tjetër se atje ku flinin ishte vend i ngushtë. Babai, i qetë, i tregoi se në shtëpi ishim dy kurorë, gjithsej 10 e kusur veta, se na kishin ardhur dhe shumë qytetarë, miq e shokë që u ishin djegur shtëpitë, apo të larguar për t’i shpëtuar terrorit të armikut. Zëvendësi edhe sikur u bind, por merakun e kishte për të mësuar ku flinte aviatori englez.
Babai ia tregoi vendin në dhoma ngjitur. Ai iku, por nuk kaloi shumë kohë erdhi i madhi fare, tërë duf e kapadajllëk ju shkreh babait:
– Si shumë nder po na i bëki këtij englezit, me krevat, në një dhomë më vete e ku ta di unë dhe neve që po lëmë kokën, jemi shumë keq në një dhomë, gjejini vend englezit dhe këtu do të fle unë me një pjesë të shokëve!
Babai dinte shumë mirë t’ja jepte përgjigjen se aviatori englez ishte një mysafir i huaj, por mik dhe luftëtar në aleancën ruso-sovjet-amerikane, por nuk foli fare. Në këtë rast për t’i larguar ndonjë sherri, ndërhyri xhaxhesha, kjo grua e rrallë për mençuri, guximin, drejtësinë, tha:
– U keqen nëna, të gjitha do të rregullohen, do të ngushtohemi ca, se nuk kemi as rroba për t’u mbuluar të gjithëve, po dhe ky (duke treguar aviatorin) djalë nëne është, po nderove mikun ke nderuar veten tënde. Shtëpia jonë ka qenë do jetë e ngrohtë për njerëz të mirë që trokasin në derë për ditë të vështira.
Me kaq u mbyll ky muhabet veç duhet thënë një traditë: “Miku, i huaji kur troket në derën e shtëpisë të Ziso Lupckës, dorëzon pushkën dhe në asnjë mënyrë nuk i lejohet të komandojë, por ka të urtë për të marrë”, thotë populli.
—————————–
Fragment nga libri “Nje jete mes dy shekujve”, Tirane, 2019, f. 143-145.