Alastair King-Smith: Mbretëria e Bashkuar dhe Shqipëria janë krah për krah me Ukrainën!
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar: Bashkimi dhe uniteti i të gjithëve është e vetmja përgjigje ndaj luftës dhe dhunës.
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Alastair King-Smith, deklaroi sot se, bashkimi dhe uniteti i të gjithëve është e vetmja përgjigje ndaj luftës dhe dhunës.
Në aktivitetin e organizuar nga bashkia e Tiranës, në mbështetje të qytetarëve ukrainas, të cilët prej një viti qëndrojnë fort përballë agresionit rus, ambasadori King-Smith i shprehu falënderimet Shqipërisë dhe popullit shqiptar, për vendosmërinë së bashku me aleatë të tjerë në përkrahje të Ukrainës.
“Shqipëria, Mbretëria e Bashkuar dhe po ashtu, edhe aleatët e tjerë qëndrojnë me njëri-tjetrin krah për krah, për të adresuar këtë konflikt dhe do të vazhdojmë të bashkëpunojmë së bashku, të gjithë për të thënë që Rusia nuk mundet të minojë jo vetëm stabilitetin e Ukrainës, por stabilitetin e Evropës, të Ballkanit Perëndimor dhe të gjithëve”, shtoi ambasadori.
Ai tha se, “ia vlen që të luftojmë sot për një të ardhme të lirë”.
“I gjithë komuniteti ndërkombëtar, të gjithë ne, duhet të qëndrojmë në krah të Ukrainës dhe po ashtu edhe liderët lokalë, pasi ka shumë për të bërë për të formësuar të ardhmen e duhur për vendet tona”, tha ai.