Akad. Vasil Tole: “Antologjia e kompozitorëve të rinj të Kosovës”, një ngjarje kulturore

Komisioni i Përhershëm i Artit dhe Trashëgimisë Kulturore, pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, organizoi promovimin e botimit (partiturë) “Antologji e kompozitorëve të rinj të Kosovës” (në vitet 2000-2020).


Komisioni i Përhershëm i Artit dhe Trashëgimisë Kulturore, pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, organizoi promovimin e botimit (partiturë) “Antologji e kompozitorëve të rinj të Kosovës” (në vitet 2000-2020).

Akademia e Shkencave ka pasur gjithnjë në vëmendje trashëgiminë kulturore, materiale dhe shpirtërore të popullit. Kjo është dëshmuar nga vetë anëtarësia e Akademisë, në përbërjen e së cilës ka pasur gjithnjë figura të shquara të artit e kulturës.

Kryetari i Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike prof.dr. Gëzim Hoxha çeli veprimtarinë dhe ia dha fjalën akad. Vasil S.Toles, zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Akad. Vasil Tole foli për muzikën shqiptare në Kosovë.

“Këtë promovim libri, në Tiranë, me partitura muzikore të kolegëve të rinj kompozitorë shqiptarë të Kosovës, do ta konsideroja një ngjarje kulturore. Përmes tij konfirmohet që po vjen një gjeneratë e re krijuesish të muzikës sonë atje, gjeneratë e mirëpritur pas më shumë se gjysmë shekulli zhvillimesh të muzikës së kultivuar në Kosovë.”, tha akad. Tole.

Akad. Tole tha ndër të tjera se përmes këtij libri i paraqesim skenës muzikore shqiptare pa kufij larminë kompozicionale dhe prurjet më të fundit të krijuesve të rinj shqiptarë të Kosovës, të cilët, pa përjashtim, janë tani në sfidë me kohën dhe me veten për t’i konfirmuar vlerat e tyre. Është një proces i gjatë dhe me shumë sakrifica, që urojmë të përmbyllet me kalimin e kohës me daljen e disa individualiteteve krijuese që do ta çojnë më përpara muzikën shqiptare në Kosovë.

Veprimtaria u përshëndet nga profesori i kompozicionit Stèphane de Gérando, Paris, Francë përmes një videoje.

“Një ngjarje të gëzueshme” e cilësoi, prof. dr. Zana Shuteriqi, botimin e ri të antologjisë së kompozitorëve kosovarë të cilët vijnë me 25 partitura të gjinive e stileve të ndryshme, të botuara në një format mjaft voluminoz.

Prof. dr. Zana Shuteriqi, e cila moderoi veprimtarinë, u shpreh se, si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë, kjo periudhë e zhvillimit të artit muzikor është ende e pastudiuar.

“Këta kompozitorë të rinj janë përfaqësuesit e kohës dhe ne jemi të etur të dimë diçka më shumë. Në këtë epokë postmodernizmi, dëshmia që vjen nga botimi është një mozaik i tërë stilesh, idesh kompozicionale, teknikash, me qasje edhe me traditën”, tha prof. dr. Shuteriqi e cila në fjalën e hapjes shtoi se disa nga këto partitura do të bëhen pjesë e studimeve të akademisë.

Në promovim ishte i pranishëm edhe profesori i kompozicionit, Stephane de Gerando si dhe përgatitësi dhe botuesi i librit, Liburn Jupolli.

Fjala në e Akademikut Vasil Tole, në promovimin e botimit “Antologji e kompozitorëve të rinj të Kosovës”

“Muzika në Kosovë”

Është një moment shumë i veçantë ky promovim libri, në Tiranë, me partitura muzikore të kolegëve të rinj kompozitorë shqiptarë të Kosovës. Do ta konsideroja një ngjarje kulturore, pasi përmes tij konfirmohet që po vjen një gjeneratë e re krijuesish të muzikës sonë në Kosovë, gjeneratë e mirëpritur pas më shumë se gjysmë shekulli zhvillimesh të muzikës së kultivuar në Kosovë.

Nuk mund të kuptohet vlera e këtij botimi nëse nuk do të hidhnim një vështrim, sado të shkurtër, mbi krijimtarinë dhe muzikën e kultivuar në Kosovë. Prof. Engjëll Berisha me të drejtë konstatonte se vonesa e kultivimit të muzikës serioze në Kosovë ishte shkak i drejtpërdrejtë i robërisë shekullore dhe i mungesës së lirisë. I këtij opinioni është edhe kompozitori Rafet Rudi kur pohon se jeta muzikore në vitet ’50 e ’60 në Shqipëri, ndonëse në kushte shumë, shumë të vështira, ka ekzistuar, ndërkaq në Kosovë, të thuash se nuk ka pasur. Ky është dallimi .

Pra, zhvillimi i muzikës së kultivuar në Kosovë, si pjesë e ish-Jugosllavisë, federatë kjo e konsideruar si “diversioni më i suksesshëm i Lindjes kundër Perëndimit” , ishte i lidhur sa me ekzistencën e krijuesve, por dhe me nivelin e “pranuesve” të kësaj muzike, për të cilët koncepti art muzikor deri para disa dekadash ishte i panjohur. Sipas muzikologut dhe etnomuzikologut Rexhep Munishi, në Kosovë, pjesën më të madhe të pranuesve të muzikës e përbën popullata që preferon muzikën e traditës popullore. Pas kësaj shtrese, një pjesë e madhe konsumon, gjithashtu, muzikën e krijuar në frymën e melosit popullor, një masë tjetër në qytete dhe një pjesë e rinisë janë receptues të muzikës së lehtë, zbavitëse, kurse një numër relativisht i vogël i rinisë që jeton në qytete, janë aderues të mirë të pop e rock muzikës. “Konsumues të muzikës serioze këtu te ne në masë më të madhe janë vetëm ata që në çfarëdo mënyre janë të lidhur profesionalisht me këtë art. Pra, këta pranues i takojnë kryesisht masës intelektuale qytetare, e cila numerikisht po shtohet” .

Në gjysmën e parë të shek. XX, institucionet muzikore në Kosovë ende nuk ishin formuar. Ato u krijuan si të tilla akoma më vonë sesa formimi i klasës së kompozitorëve shqiptarë në Kosovë, të cilët u specializuan në ish-Jugosllavi dhe në vende të ndryshme të Europës. Prej vitit 1945 e deri më sot konstatojmë rreth 5 gjenerata krijuesish shqiptarë të Kosovës. Sipas prof. Berishës, i cili ka përcaktuar tri gjeneratat e para: … gjenerata e parë u përket viteve (1945-1955) dhe ka si përfaqësues kryesor kompozitorin Lorenc Antoni; gjenerata e dytë, në vitet (1955-1965), ka si përfaqësues kryesor kompozitorin Rexho Mulliqi, faza e tretë, në vitet (1965-1975), ka si përfaqësues kryesorë Fahri Beqiri, Esat Rizvanollin, Akil Koci, Zeqirja Ballata, Rauf Dhomi dhe Rafet Rudi. Për mendimin tonë, faza e katërt shtrihet në vitet (1985-1995) dhe konsolidohet me krijues si Valton Beqiri, Mendi Mengjiqi, Baki Jashari, Trimor Dhomi, Drinor Zymberi etj., dhe faza e pestë, në vitet (2000-2020), që përfshin autorë të rinj që janë pjesë e këtij botimi që promovojmë sot në Tiranë, ndër ta Liburn Jupolli, Arta Zeqiraj, Dafina Zeqiri Nushi, Ardian Halimi, Hajrullah Syla, Ersan Januzi, Ylli Daklani etj.
E nxitur deri diku edhe nga krijimtaria muzikore që shkruhej në Shqipëri, apo qoftë edhe si një rezultante e natyrshme e rrethanave historike të zhvillimeve muzikore në Kosovë, muzika me orientim kombëtar u bë mbizotëruese në brezin e parë të kompozitorëve shqiptarë të Kosovës. Kjo ndodhi mbas vitit 1945, kohë kur fillojnë krijimtarinë e tyre krijuesit e parë seriozë të muzikës shqiptare në Kosovë, si Lorenc Antoni (1909-1991), te të cilët konstatojmë orientimin e tyre drejt ndërtimit të një gjuhe muzikore të lidhur ngushtë me folklorin muzikor. Orientimi kombëtar në muzikë edhe te kompozitorët shqiptarë në Kosovë ishte për muzikën tonë mbarëkombëtare një faktor integrimi më shumë, i shtrirë në gjithë hapësirën e saj gjeografike natyrale.

Në një vështrim më të përgjithshëm, muzika e periudhës 1950-1990 ka një mbështetje në traditën europiane, në folklorin muzikor kombëtar, e ndërlidhur edhe me ecuritë bashkëkohore . Nga ana tjetër, pranimi dhe përdorimi i gjuhës standarde shqipe në masë të gjerë, ritrajtimi krijues i folklorit të popullit shqiptar të Kosovës në krijimtarinë muzikore dhe jo vetëm aty, identiteti i spikatur kombëtar në veshjet popullore dhe të gjitha dukuritë e trashëgimisë shpirtërore së bashku, do të shërbenin si mburoja mbrojtëse të pathyeshme përballë tendencave shkombëtarizuese që ndiqte politika zyrtare serbe në të gjitha fushat, posaçërisht në art dhe kulturë. Pra, edhe në Kosovë flitej për stil nacional dhe shprehje muzikore nacionale, e cila merr trajtën e një “orientimi stilistik” për të gjithë këta kompozitorë. Edhe kur muzika e krijuar në Kosovë u hap për nga muzika atonale (Prof. Berisha sjell si shembull krijimtarinë e fazës së dytë të Akil Kocit), i cili, megjithëse avangardist nuk ndahet plotësisht nga motivika folklorike , e po ashtu edhe Zeqirja Ballata e Rafet Rudi, të cilët në fillim krijonin vepra në stilin nacional e më pas arrijnë deri në “avangardizëm të përmbajtur” .

Po si ishin raporti dhe marrëdhëniet mes muzikës që shkruhej në Shqipëri dhe asaj që shkruhej në Kosovë?

Kompozitori i shquar i Kosovës Fahri Beqiri (1936–2021), në komunikimin e fundit që pata me të, vetëm disa ditë para se të ndërronte jetë, u shpreh se, bazuar në zhvillimet politike, për kompozitorët kosovarë, takimet me kompozitorët shqiptarë ishin të rralla, me një ngritje të komunikimit diku gjatë viteve ‘80. Ato ishin ngjarje të rëndësishme kulturore, duke ndikuar edhe në formësimin e muzikës artistike te ne. Respekti që gëzonin artistët shqiptarë nga ana jonë ishte i lartë dhe i sinqertë. Është i njohur fakti se sa i përket muzikës artistike serioze, Kosova kishte zhvillim më të vonshëm në krahasim me Shqipërinë dhe ish-republikat e Jugosllavisë. Pavarësisht kësaj, mbaj mend fjalët e kompozitorit Çesk Zadeja: “mos e konsideroni veten si kompozitorë provincialë, Prishtina dhe Kosova kanë tipare europiane e po ashtu edhe muzika që kompozohet aty”! Për mua këto fjalë ishin tejet motivuese, aq sa edhe muzika e tij, pjesë nga e cila e kam huazuar edhe temën e Skënderbeut për poemën time simfonike .

Komunikimet e rralla fizike mes kompozitorëve shqiptarë në të dyja anët e kufirit i pohon edhe kompozitori dhe dirigjenti i njohur Rafet Rudi, në intervistën me titull “Muzika mbarëkombëtare dhe nevojat e rivlerësimit të saj”. Pyetjes se “Sa njihen kompozitorët e të dyja anëve të kufirit”, ai i përgjigjet: … duke qenë se këto raporte politike (mes Shqipërisë dhe Kosovës-shënimi ynë Vasil S. Tole), në të shumtën e kohës jostabile, është e kuptueshme që komunikimi normal mes krijuesve të të dy anëve, ka qenë i vështirësuar, mos të them se i pamundësuar. Ata janë “rritur” të ndarë, pa e njohur njëri-tjetrin. Bota e tyre krijuese ka dalluar mjaft. Këtë situatë e ka vështirësuar, në masë të madhe, mungesa e qarkullimit më të thjeshtë fizik të tyre, pastaj pamundësia e shkëmbimit më elementar të partiturave, të shkrimeve; pamundësia e shkëmbimit sistematik të artistëve etj. Pos arsyeve të pastra politike, vështirësitë kanë qenë edhe në planin praktik dhe profesional, që ka pamundësuar një komunikim të natyrshëm. Ata kanë pasur formim të ndryshëm kulturor, meqë i kanë takuar orientimeve profesionale krejtësisht diferente, të bazuara në shkolla të ndryshme kompozitoriale. I kanë takuar dy sistemeve të ndryshme të vlerave. Mund të thuhet se për shumë segmente të profesionit të tyre nuk kanë pasur konvergjenca në planin estetik. Do të thotë, edhe në këtë drejtim ka qenë i vështirësuar komunikimi .

Historia provoi se pati angazhime të pjesshme të krijuesve të njohur të muzikës shqiptare si pedagogë pranë Akademisë së Muzikës në Prishtinë, ndërkohë që personalitete të artit dhe shkencës shqiptare si Ismail Kadare apo Eqrem Ҫabej kishin vizituar më herët Kosovën për arsye artistike ose mësimdhënieje. Krijuesit shqiptare në Tiranë, ndër ta Zadeja, Harapi e Lara, mirëpritën shumë nga studentët shqiptarë të Kosovës, të cilët u shkolluan pranë tyre në disiplinën e kompozicionit, polifonisë e analizës së formës, ndër ta edhe kompozitori Krist Lekaj , Trimor Dhomi etj. Do të veçoja rolin dhe kujdesin e prof. Zadejës, i cili nga ana e tij ishte një ndjekës i vëmendshëm i jetës muzikore, kulturore e artistike në Kosovë. Me gjithë kushtet e izolimit ai vendosi kontakte të ngrohta vëllazërore me kolegët e tij kompozitorë shqiptarë në Kosovë dhe ishte i informuar për krijimtarinë e tyre. Ai angazhohej drejtpërsëdrejti edhe në promovimin e krijimtarisë së tyre, siç është ndër shumë syresh edhe rasti i emisionit të Televizionit Publik Shqiptar kushtuar kompozitorit Lorenc Antoni . Në atë periudhë, nga kontaktet që artistët e krijuesit shqiptarë patën me kompozitorë, interpretues e studiues kosovarë, të diplomuar e të specializuar në akademitë europiane, nisi të hynte, ndonëse jo drejtpërdrejt, përvoja e artit bashkëkohor . Një aspekt tjetër ishin bashkëpunimet për vënien në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë të veprave të krijuara nga kompozitorët shqiptarë të Kosovës. Një model bashkëpunimi është ai i fundit të viteve 1970, kohë kur Teatri i Operës dhe Baletit në Tiranë vendosi në skenë operën “Goca e Kaçanikut” e kompozitorit Rauf Dhomi, e para opera e shkruar në Kosovë. Në diskutimin krijues pas premierës së operës, duke e çmuar atë si një vepër të rëndësishme të literaturës muzikore skenike kombëtare, u pohua se:…është e kuptueshme dhe plotësisht e ligjshme që krijuesit dhe interpretuesit tanë gëzohen për këtë sukses të vëllezërve kosovarë në fushën e krijimtarisë muzikore skenike .

*
Në fillim të viteve 1980 komunikimi kulturor dhe politik mes Shqipërisë dhe Kosovës pothuajse u ndërpre. Demonstratat e vitit 1981, të cilësuara si “akti i tretë i dramës së Kosovës” , patën ndikimin e tyre. Kompozitori Rafet Rudi kujton se pas 10 vjetësh ndërprerjeje absolute të komunikimit në mes kompozitorëve nga Tirana dhe Prishtina (1981–1991), për shkaqe të njohura politike, ishim ne (Fahri Beqiri, Bashkim Shehu dhe unë), të parët që erdhën më Tiranë me ftesë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, dhe me angazhimin e jashtëzakonshëm të mikut tonë (autoritetit të pakontestueshëm të asaj periudhe), kompozitorit Feim Ibrahimi. Menjëherë pas rrëzimit të sistemit monist, vijoi interesimi për forcimin e marrëdhënieve me muziktarët dhe muzikën shqiptare që krijohej në Kosovë. Pjesë e këtij interesimi ishte dhe krijimi i mundësive të shkollimit në Shqipëri i studentëve nga Kosova e më gjerë. Ndërkohë, vitet e para pas 1990-s shënuan një bashkëveprim intensiv e të ngushtë midis muzikës që krijohej e interpretohej në Shqipëri dhe asaj të Kosovës. Sipas muzikologut Hysi, kishte ardhur pikërisht koha për të shpëtuar nga dasitë e programuara kulturore dhe nga format e shkëmbimeve artificiale e protokollare, që vetëm në pamje të parë dukeshin si të natyrshme e produktive, sepse në thelb praktikoheshin për qëllime demagogjike. Pjesëmarrja e pakushtëzuar e kompozitorëve nga Kosova, pothuajse në të gjitha ngjarjet artistike të viteve ‘90 ishte një akt pa precedent, i cili nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë, në kushtet e zhvillimeve kulturore në vetvete e pa lidhje të domosdoshme e organike.

Ja ku jemi sot, në këtë promovim shumë të veçantë, ku i paraqesim skenës muzikore shqiptare pa kufij larminë kompozicionale dhe prurjet më të fundit të krijuesve të rinj shqiptarë të Kosovës, të cilët, pa përjashtim, janë tani në sfidë me kohën dhe me veten për t’i konfirmuar vlerat e tyre. Është një proces i gjatë dhe me shumë sakrifica, që urojmë të përmbyllet me kalimin e kohës me daljen e disa individualiteteve krijuese që do ta çojnë më përpara muzikën shqiptare në Kosovë.

Urime të nderuar kolegë të rinj, urime Liburn për këtë botim dokumentar që shenjon një etapë të re të zhvillimit të kompozicionit shqiptar në Kosovë.

Tiranë, 24 shkurt 2023

Dumani: Sky ECC dhe Encrochat ekspozuan lidhjet e krimit me politikën, drejtësinë dhe Policinë

Aplikacionet Sky ECC dhe Encrochat ekspozuan lidhjet e krimit me politikën, drejtësinë dhe Policinë.

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Dumani: Sky ECC dhe Encrochat ekspozuan lidhjet e krimit me politikën, drejtësinë dhe Policinë

Aplikacionet Sky ECC dhe Encrochat ekspozuan lidhjet e krimit me politikën, drejtësinë dhe Policinë.