Llazo Vangjeli, një lapidar i artit përmetar!

Koreograf, mandolinist dhe violinist, Xha Llazoja është nderuar me urdhrin ”Naim Frashëri” dhe me “Medaljen e Punës”


Nga Niko Mihali

Në se i hedh një shikim fotografisë tradicionale të Sazeve të Përmetit që është ngjizur aty nga mezi i viteve 1970 nga një fotograf i Revistës “Ylli”, provon sa krenari por edhe trishtim.

Krenohesh pasi ato portrete mbetën njerëz dhe artistë të mrekullueshëm, që me qytetarinë dhe me artin e tyre mbajtën gjallë një traditë dhe argëtuan e çlodhën mijëra njerëz në shumë breza, në atë qytet, por edhe më tej.

Qëndrojnë ashtu në këmbë me instrumenta në duar dhe në mes kanë vendosur “gjeneralin” e tyre Usta Laverin, edhe pse secili ishte dhe mbetet një artist me shumë vlera qytetare. Në se poshtë fotos do të vendosnim diçiturën: I pari nga e majta në të djathtë është dhe mbetet përjetësisht Llazo Vangjeli, njeri nga “ushtarët “më besnikë e më të dëgjuar të Ustait”, që nuk e ndau asnjëherë nga grupi, veçanërisht në aktivitete e koncerte zyrtare apo në festival kombëtare sikundër ishte ai i Gjirokastrës etj.

Sot ata nuk janë më, të gjithë kush më parë e kush më vonë kanë ikur larg, shumë larg e mbase atje ku janë e kanë rigjetur përsëri njeri-tjetrin e kush e di si e kanë organizuar atë jetë në atë botë.

Secili prej tyre ka një histori, ka një jetë të lidhur me këtë botën e pafund të artit, me kontribute kush më shumë e kush më pak, por me një mirësi e bukuri që kur kanë një ditë të shënuar, i kujtojmë dhe nuk rreshtim së foluri për ta.

Ja sot është ditëlindja e tij, e xha Llazos dhe nëse do të bësh një test në jetën e qytetit, ai mbetet një personazh shumë publik që e mbajnë mend dhe e kujtojnë shumë njerëz dhe në veçanti për aftësinë që kish t’u mësonte fëmijëve, (fëmijëve që sot janë bërë nëna e baballarë) vallet popullore, u impononte një dëshirë që duhej të ishte pjesë e kulturës së tyre, se nuk do ndjeheshin mirë të shkonin në një gazim familjar, në një dasmë apo kund e të ndjeheshin keq se nuk dinin të vallzonin vallet e popullit…

Dhe Llazo Vangjeli ishte nga ata artistë popullorë që gjer në ditët e fundit të jetës nuk u shkëput nga hobi i tij i preferuar që ishin vallet popullore, vallet e bukura të vendlindjes së tij, por edhe të shumë krahinave të tjera që ai dhe veç ua mësonte me aq pasion e dashuri dhjetra vajzave të reja të shkollave tetëvjeçare te qytetit që më vonë do të mbushnin radhët e artit amator në shtëpine e kulturës, në skena a festivale të ndryshme kombëtare ashtu sikunder ua mësoi edhe nipërve e mbesave të tij, Elit, Vaskës, Lorenës, Zhenit e më shumë Qirjakos, të cilin e bëri pjesë të Sazeve të Ustait dhe nuk e la vendin bosh …

Unë dhe jo vetëm unë, e kam njohur shumë herët këtë njeri, kur bashkë me moshatarë të tij që ishin rritur në fshatin Lipë mbi Përmet apo edhe në lagjet e vjetra të qytetit, mblidheshin e organizonin olimpiada të grupeve amatore dhe Llazoja ishte koreografi i kushedi sa grupeve të tilla, të cilat i ngjiste në skenën e kulturës.

Fillimisht aty nga vitet ‘50 të shekullit të kaluar do krijonte një grup vallesh me djemtë e Lipës ku bënin pjesë Minella, Spiroja e të tjerë dhe do vinin në një nga festat e 24 Majit e do kërcenin plot elegancë me gota uji në kokë. Vite më pas do mblidhte vajza të reja të shkollave apo qendrave të punës, të Ndërmarrjes së Prodhimeve Bujqësore të Tregtisë e Grumbullimit etj dhe ngjiste në skenë vallet e Buhalit e të Nasibesë, vallen e Osman Takes e atë të Dangëllisë, si dhe valle të tjera që ai i improvizonte në çast e që vajzat e vogëla i kërcenin plot finesë dhe elegancë.

Llazo Vangjeli bën pjesë në atë grup te rinjsh idealistë të vendlindjes së tij e të qytetit te Përmetit që në vitet e Luftës Nacionalçlirimtare u bashkuan me formacione partizane që vepronin në krahinën tonë dhe si i ri antifashist dha kontributin e tij për lirinë, kontribut ky që do të vijonte më vonë edhe në ditet e para të çlirimit kur ai me dhjetra të tjerë mundoheshin të shëronin plagët e luftës, të rindërtonin gërmadhat e qytetit të djegur e shkatarrëruar, temë kjo shumë e preferuar për të.

Më kujtohet njëherë aty nga viti 1985 kur në qytetin tonë erdhi për një vizitë këngëtari i madh italian Albano Carizi, i shoqëruar me të atin e tij. Ata se si e gjetën gjuhën të dy së bashku dhe filluan të kujtonin ato ditë të luftës së shtatorit 1943, kur ky i fundit kishte qenë në kodrat e Përmetit afër fshatit Lipë, kur në Itali i kishte lindur djali që për kujtim të këtij vendi i vuri emrin Albano.

Dhe një korrespondencë të tille Llazo Vangjeli do ta kishte edhe me italianë të tjerë të cilët në ato vite pas kapitullimit qëndruan në shtëpitë e fshatit Lipë dhe u trajtuan tamam si miq të vërtete. Ai i mbante mend mirë ato vite dhe krenohej kur një ditë i ra në dorë një libër me kujtime e një ish-ushtari italian që fliste për Përmetin, Lipën e banorët e saj, që ishin sjellë shumë humanë me këta fatkeqë të gënjyer nga fashizmi.

Sazet e Laver Bariut, këtij mjeshtri të madh të këngës në vitet ‘50 e pas do të ishin një nga formacionet më elegante të muzikës popullore përmetare e pse jo edhe kombëtare dhe këtu krahas Lefterit, Asllanit, Xhelalit, Qemal Panocit, Krenarit e të tjerëve do të ishte edhe vendi i Llazo Vangjelit me atë violinën e tij që e zbukuronte dukshëm formacionin e sazeve.

Në vitet që do të vinin ai përgatise grupe valltarësh për në festivalet folklorike kombëtare të Gjirokastrës, në festivalin e Beratit, në koncerte të ndryshme kombëtare e lokale e në veçanti në ato koncertet unikale që zhvilloheshin çdo muaj maj në qytetin tonë, në qytetin e trëndafilave, ku grupet popullore do të zbrisnin nga fshati e qendrat e punës e do te prezantonin artin e popullit në sheshin e qytetit.

Ishin ditë aq të bukura ato sa ngelën në mendje e të kujtohen me respekt ata dhjetra artistë të tjerë që vinin nga Tirana për koncertet e 24 Majit, të cilët tek Llazoja do të gjenin mbështetje si për sajdisje e akomodim, por edhe për amatorë të talentuar që mund të ngjiteshin në skenë. Ish-drejtori i Shtëpisë së Kulturës në ato vite, Sofokli Tole këtë situatë kaq festive që krijohej e hodhi në vargje që edhe sot kanë mbetur impresionuese:

Zbresin vajzat nga Dhëmbeli,
Koreograf Llazo Vangjeli,
Asistent Gëzim Kaceli,
Dhe Bogdani prapa ngeli

Këta të fundit Gëzimi, Bogdani e t ë tjerë ishin ndër koreografët e mirë të institucioneve qendrore në Tiranë, por kur vinin në Përmet e ndjeheshin mirë në shoqërinë e këtyre valltarëve popullorë të Liljanës, Fildanes, Vjollcës si dhe të Llazos. Por nje pasion i veçantë dhe jo vetëm i veçantë, por edhe shumë unikal i Llazo Vangjelit ishte puna e palodhur që bënte me fëmijët e vegjël duke qenë drejtues i rrethit të valleve në Qendrën Kulturore të Fëmijeve për dhjetra vjet.

Dhe qëndroi kaq gjatë se ai Llazo Vangjeli dinte te punonte e t’i mblidhte çdo herë këta fëmijë, të organizonte koncerte në çdo festë lokale e kombëtare, t’u shfaqte filma nga më të mirët, t’i trajtonte edhe aq mirë sa ato linin kokën për profesorin e tyre. Holli i kinemasë se qytetit në shoqërinë e klarinetës së Zanit dhe mandolinës së Llazos ishte gjithmonë plot nga këto vajza të vogla që vallzonin kaq me finesë e bukuri sa të mrekullonin.

Kishte raste që xha Llazo edhe pse ishte në pension u blinte ndonjë pako me biskota dhe i gostiste me kënaqësi. Me këto grupe fëmijësh preofesori i valles zbukuronte sheshin e qytetit në shumë festa, në shumë pritje e përcjellje dhe që nga ky shesh pastaj nisej me këto flutura të bukura për në festivale sa në Stamboll, në Rumani, në Maqedoni, në Greqi, në Televizionin Shqiptar, në koncertin e Vitit te Ri etj ku edhe nderohej me çmime e diploma të ndryshme, diploma këto të cilat ishin dobësitë e tij.

 

Ku janë sot ato dhjetëra e dhjetëra vajza e djem që e filluan njohjen e artit me ato vallzimet e xha Llazos sa nëpër salla e nëpër rrugë e sheshe, me ato fustanet e bukura plot lule sikundër ëndërrat e tyre? Jam ndjerë shumë mirë dhe i emocionuar, kur lexoj në faqet e facebook kujtimet e impresionet e tyre të fëmijërisë dhe falenderimet e urimet që i drejtojnë atij, kujtimit e punës së xha Llazos…

Në vitet ‘90 Llazo Vangjeli do të jetë një nga anëtarët më të rregullt të Shoqërisë Kulturore “Elena Gjika”, do të marrë pjesë në shumë koncerte si në Berat, Sarandë e gjer në Rumani, ku veç valles dinte të fitonte zemrat e qytetarëve të huaj edhe me ato lodrat e ndryshme që veç ai dinte se si i bënte dhe i mrekullonte ata me humorin e tij.

Dhe pse ishte i tillë, pasionant dhe i papërtuar, i pranishëm për më se gjysmë shekulli në jetën kulturore të qytetit të Përmetit ai ishte nderuar me urdhrin ”Naim Frashëri”, me “Medaljen e Punës” me shumë diploma e fletënderi, me shumë artikuj në faqet e shtypit dhe mbi të gjitha këtë dashuri, respekt e dhimbshuri e shprehu edhe njëherë populli i qytetit të tij kur e përcolli për në banesën e fundit me një kortezh të pafund.

Ky përvjetor i ditëlindjes së tij na e sjell më afër xha Llazon, jetën dhe punën e tij fisnike, na sjell më afër dhe gjithë shokët e tij të sazeve me në krye Ustanë e Madh, edhe pse disa duar të padukshme në rrjetet sociale por më shumë në Facebook e kanë zhbërë këtë foto tradicionale që mbetet një lapidar i vërtetë arti, duke retushuar e prerë pjesë të saj, duke zhbërë historinë më keq se në vitet e diktaturës…

Keqardhje për injorancën e shpirtligësinë e tyre! Artistët janë e do të jenë pjesë e së ardhmes së bukur dhe ashtu si Llazo Vangjeli do të kujtohen e nderohen në vite me shumë respekt e dashuri…

Tirane, më 21 shkurt 2023.

Dumani: Sky ECC dhe Encrochat ekspozuan lidhjet e krimit me politikën, drejtësinë dhe Policinë

Aplikacionet Sky ECC dhe Encrochat ekspozuan lidhjet e krimit me politikën, drejtësinë dhe Policinë.

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Dumani: Sky ECC dhe Encrochat ekspozuan lidhjet e krimit me politikën, drejtësinë dhe Policinë

Aplikacionet Sky ECC dhe Encrochat ekspozuan lidhjet e krimit me politikën, drejtësinë dhe Policinë.