Lindita Nikolla: Martin Camaj dhe Arshi Pipa, dy përfaqësues të spikatur të Diasporës kulturore

Kryeparlamentarja Lindita Nikolla, mori pjesë në prezantimin e librit “Letërkëmbimi Camaj-Pipa, 1959-1992”


Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, mori pjesë në prezantimin e librit “Letërkëmbimi Camaj-Pipa, 1959-1992”, organizuar në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës, në mbyllje të edicionit të 8-të të Ditëve të Kujtesës 2023.

Në këtë veprimtari morën pjesë studjues e pedagogë të letërsisë si edhe drejtues të Universitetit të Tiranës dhe Fakultetit Histori-Filologji.

Veprimtaria u mbështet nga Fondacioni Konrad Adenauer dhe Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë.

Në fjalën e saj në këtë takim, znj. Nikolla nënvizoi se “Prezantimi i këtij libri dëshmon se ditët e kujtesës nuk kanë vetëm përmasa historike e politike, por edhe një përmasë të rëndësishme kulturore, letrare dhe intelektuale. Sepse edhe disidenca dhe rezistenca antikomuniste nuk ka qënë vetëm një qëndresë politike, por edhe një proces kulturor dhe intelektual.

Mendimi intelektual, pikëpamjet demokratike të intelektualëve dhe shkencëtarëve shqiptarë, nga brenda dhe jashtë Shqipërisë, përveçse një oponencë e fortë e rregjimit, ishin një sinjal i kulturës dhe vlerave perëndimore, një “spirancë” e shoqërisë së izoluar shqiptare në valët e demokratizimit dhe qytetërimit perëndimor.

Pavarësisht dallimeve dhe asimetrisë mes këtyre dy personaliteteve, Martin Camaj si shkrimtar e gjuhëtar dhe Arshi Pipa si shkrimtar e studjues i letërsisë, dakordësisë a kundërshtimit me pikëpamjet e tyre, një gjë është e qartë:

Camaj dhe Pipa janë pjesë e kontributeve dhe ndikimit të diasporës në zhvillimin e kulturës shqiptare dhe njohjen ndërkombëtare të saj.
Camaj dhe Pipa janë dy “këmbana”, secila me jehonën e vet, në diasporën, kulturën dhe botën shqiptare.

Krijimtaria e tyre, duke qenë e shkëputur prej makinës së censurës komuniste dhe e çliruar prej saj, ndikoi që diaspora t’i jepte kulturës botërore një pasqyrë tjetër të kultures shqiptare.

Ky është një fakt që duhet mbajtur parasysh në vlerësimin e kontributit historik të diasporës në zhvillimin e kulturës.

Camaj më shpejt dhe Pipa më vonë ikën të dy të pakënaqur nga Shqipëria. Ikën sepse vendi i tyre nuk ishte ai që ata dëshironin.
Ata ikën të detyruar nga Shqipëria politike, por me krijimtarinë e tyre pasuruan diasporën, kulturën dhe botën shqiptare.
Libri që prezantohet sot është një nga kthimet dhe rikthimet e tyre në Shqipëri.”

Fala e Kryetares së Kuvendit

“Të nderuar miq,

Ndjehem e nderuar të marr pjesë në promovimin e këtij libri, të cilin e vlerësoj si një referencë të rëndësishme për historinë e letërsisë, por edhe të shkencës shqiptare.

Falenderoj Shtëpinë Botuese “Princ” për botimin e korrespondencës së gjatë të dy figurave të rëndësishme të Diasporës, letërsisë dhe kulturës shqiptare.

Duke mos dashur të hyj në lëmin e kompetencave tuaja profesionale e shkencore, duke marrë shkas nga autorët e këtij letërkëmbimi, më lejoni të shpreh disa mendime mbi konotacionin intelektual dhe kulturor të rezistencës e disidencës antikomuniste dhe kontributin e diasporave në pasurimin e kulturës kombëtare, nëpërmjet krijimtarisë letrare dhe shkencore.

I.

Konteksti i organizimit të këtij takimi, në mbyllje të edicionit të 8-të të Ditëve të Kujtesës, mbështetur nga Fondacioni Konrad Adenauer dhe Instituti për Demokraci, Media dhe Kulturë, është domethënës.

Prezantimi i këtij libri, por edhe disa nga veprimtaritë e tjera të zhvilluara gjatë këtij edicioni, dëshmojnë se ditët e kujtesës nuk kanë vetëm përmasa historike dhe politike, por edhe një përmasë të rëndësishme kulturore, letrare dhe intelektuale.

Sepse edhe disidenca dhe rezistenca antikomuniste nuk ka qënë një qëndresë politike, por edhe një proces kulturor dhe intelektual.

Mendimi intelektual, pikëpamjet demokratike të intelektualëve dhe shkencëtarëve shqiptarë, nga brenda dhe jashtë Shqipërisë, përveçse një oponencë e fortë e rregjimit, ishin një sinjal i kulturës dhe vlerave perëndimore, një “spirancë” e shoqërisë së izoluar shqiptare në valët e demokratizimit dhe qytetërimit perëndimor.

Në rrethanat e sotme politike dhe gjeopolitike, kujtesa dhe qasja ndaj saj nuk ka të bëjë vetëm me qëndrimin komunist, por edhe me kontekstet që shoqëruan dhe u ushqyen nga ky rregjim, disa prej të cilave tentojnë të rikthehen.

Për neutralizimin e pengesave ndaj rrugëtimit evropian të rajonit, rizgjimit të demonëve perandorakë e nacionalistë në rajon e më gjerë, dhënie fund ambicjeve pushtuese dhe agresionit të Rusisë në Ukrainë janë të domosdoshme mësimet e kujtesës.

II.

Martin Camaj dhe Arshi Pipa janë dy përfaqësues të spikatur të Diasporës kulturore, letrare dhe shkencore shqiptare.

Për mbi tridhjetë vjet ata janë bërë emetues dhe pritës të kumteve të njeri-tjetrit, si pjesë e letërkëmbimit dhe shkëmbimit të mendimeve e vlerësimeve letrare e më gjerë, edhe me mjaft personalitete të tjera të diasporës shqiptare, sidomos Camaj.

Pavarësisht dallimeve dhe asimetrisë mes këtyre dy personaliteteve, Camaj si shkrimtar e gjuhëtar dhe Pipa si shkrimtar e studjues i letërsisë, dakordësisë a kundërshtimit me pikëpamjet e tyre, një gjë është e qartë:

Camaj dhe Pipa kanë lenë gjurmë dhe janë pjesë e kontributeve dhe ndikimit të diasporës në zhvillimin e kulturës shqiptare dhe njohjen ndërkombëtare të saj.

Camaj dhe Pipa janë dy “këmbana”, secila me jehonën e vet, në diasporën, kulturën dhe botën shqiptare.

Krijimtaria e tyre, duke qenë e shkëputur prej makinës së censurës komuniste dhe e çliruar prej saj, ndikoi që diaspora t’i jepte kulturës botërore një pasqyrë tjetër të kultures shqiptare.

Ky është një fakt që duhet mbajtur parasysh në vlerësimin e kontributit historik të diasporës në zhvillimin e kulturës.

Diaspora nuk krijon vetëm kapitale financiare, por edhe vlera e thesare kulturore.

III.

Camaj ishte një shkrimtar i lartësive, në kuptimin simbolik të kësaj fjale. Me lartësi nuk kam parasysh Alpet shqiptare dhe bjeshkët e Dukagjinit ku lindi dhe Alpet bavareze, në rrëzë të të cilave krijoi veprën e vet, por majat që shënoi me letërsinë që krijoi. Edhe pse jashtë “kullës” zyrtare të letërsisë shqiptare, kontributi i tij nuk është më i paktë se shkrimtarët brenda saj.

Në vijim të krijimtarisë letrare, Camaj avancoi në kërkimet e studimet e tij si shkencëtar dhe dallohet madje për një mendim shkencor të thellë.
Prandaj e kemi të vështirë nëse do ta vlerësojmë si shkrimtar apo shkencëtar.

Është e vërtetë që vepra e Camajt, siç keni venë në dukje ju, studjuesit e saj, dallohet për një lloj hermetizmi. Kjo vjen ngaqë as atij vetë nuk i shkonte ndërmend se vepra e tij do ta gjente rrugën për te lexuesi i gjerë shqiptar.

Duke qenë larg atdheut, ai mbeti edhe larg lexuesit, i vetmuar prej tij. Siç ka venë në dukje Ismail Kadare, Martin Camaj ka qenë shkrimtari më i vetmuar shqiptar i gjysmës së dytë të shekullit të njëzetë.

Ndërkohë, Pipa preferoi dhe mbeti në suazën e krijimtarisë letrare dhe tentoi të shtrihej drejt studimeve për letërsinë.

Megjithëse me diferenca me Camajn, edhe Arshi Pipa mund të vlerësohet si një përfaqësues i shquar i letërsisë shqiptare në Diasporë.
Distanca nga atdheu e për më tepër nga lexuesi shërbeu si një kufizues i natyrshëm i njohjes kombëtare masive të letërsisë që zhvillohej në Diasporë.

Por jo për shkencën dhe shkencëtarët në Shqipëri. Kontributet shkencore të diasporës e gjetën rrugën për në Shqipëri. Siç dihet, akademiku dhe gjuhëtari ynë i madh Çabej, botoi vëllimin e dytë para vëllimit të parë të Studimeve Etimologjike, për shkak se nuk pranonte që bibliografisë, e cila përfshihej në vëllimin e parë, t’i mungonte vepra e Martin Camajt.

Camaj më shpejt dhe Pipa më vonë ikën të dy të pakënaqur nga Shqipëria. Ikën sepse vendi i tyre nuk ishte ai që ata dëshironin.

Ata ikën të detyruar nga Shqipëria politike, por me krijimtarinë e tyre pasuruan diasporën, kulturën dhe botën shqiptare.

Libri që prezantohet sot është një nga kthimet dhe rikthimet e tyre në Shqipëri.

Ju faleminderit”.

Integrimi në BE, Hasani: Shqipëria në fazë të avancuar, të ruhet ritmi

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, priti në një mëngjes pune përfaqësuesit e vendeve të formatit “Miqtë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Integrimi në BE, Hasani: Shqipëria në fazë të avancuar, të ruhet ritmi

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, priti në një mëngjes pune përfaqësuesit e vendeve të formatit “Miqtë…