De Rada, i parmi poet romantik i literaturës sonë!
Jeronim De Rada me “Këngët e Milosaos”, më 1836, shënon fillimet e romantizmit shqiptar.
Nga Dr. Dorian Koçi
Pse të venë në det
mendimet, zemra ime?
Zbardhuan anijezat,
panë këndej e u fshehën…
Erdhi dita e Arbërit!
Fillimi i Romantizmit në letërsitë evropiane me kultin e lirisë individuale dhe së kaluarës historike si tipare kryesore të mendimit të vet estetik e krijues, krijoi premisat që memoria kolektive etnike të kthehej në një burim të pashtershëm për krijimtarinë letrare.
Jeronim De Rada me “Këngët e Milosaos” më 1836, që shënon fillimet e romantizmit shqiptar.
Sigurisht, që tek “Këngët e Milosaos” kemi të bëjmë më një poemë, e cila në vetvete rikujtohet dhe rivjen ndër ata që e lexojnë si një kujtesë kolektive e një bashkësie të vogël, siç qenë arbëreshët në Itali, por ka të ndërthurur në të dhe një pjesë të rëndësishme të një elementi historik. Ky element historik tashmë vjen i përmendur përmes rrëfimit letrar romantik.
Kjo përqasje e letërsisë së kultivuar me poezinë popullore në veprën e De Radës nuk është një trill i yni, por një nga elementët themelorë të botëkuptimit romantik që De Rada ndoqi e bëri të vetin. Për të krijimtaria e mirëfilltë poetike, por edhe puna e mbledhësit të folklorit ishin pjesë e të njëjtit angazhim letrar.
Të dyja këto përmasa, poezia e kultivuar që i atribuohej në mënyrë makfersoniane folklorit dhe poezia popullore që kalonte në filtrat e ndjeshmërisë së tij poetike, duhej të shërbenin për të shprehur më së miri shpirtin e popullit të tij, atë shpirt që romantikët gjermanë e quanin “Volksgeist”, ndërsa letërsia globale, që do dilte nga kjo shkrirje, duhej të vihej në shërbim të emancipimit të kombit dhe rilindjes kulturore e politike të tij. Romantizmi, rryma letrare dhe politike të përhapur kudo në Evropë krijonte heronjtë e vet. Karakteristikë e rëndësishme e heroit romantik është fakti që ai është hero në jetën e tij të përditshme i mbytur nga rrethanat dhe sentimentalizmi.
Ashtu është në të njëjtën kohë dhe një hero ndaj fatit të atdheut. Këto dy tipologji karakteristikash do të jenë përcaktuese për veprat e tjera të mëvonshme të romantizmit shqiptar-arbëresh. Ajo çka mund të themi me plot gojën është fakti që me krijimtarinë e De Radës krijohet një shkollë e perceptimit të narracionit letrar nëpërmjet historisë.
Milosao, sigurisht që nuk ka koordinata të caktuara dhe të drejtpërdrejta historike për t’u identifikuar si personazh historik, por epoka ku vepron ka elementë të rëndësishëm siç është konflikti arbër-osman, një konflikt shumë i madh, i cili ndihet kudo në poemë.
Bota mesjetare arbëreshe kish trokitur kështu në kujtesën e vjetër të kontinentit, kur trekëndëshi Greqi-Itali-Shqipëri me qytetërimet e tyre të vjetra kishin shërbyer si mëndesha të qytetërimit europian.