Arkitektura shpirtërore e Tiranës, sipas Mustafa Greblleshit

Greblleshi ishte pjesë e kohës plotë tronditje si edhe ajo kombit shqiptar, me dritëhijet e tij


Nga Kastriot Kotoni

Tirana kryeqyteti i Shqipërisë festoi 103 vjetorin e saj. Kjo ngjarje në këtë kohë tejet të politizuar nga “revolucioni i partisë së Foltores” është anashkaluar si një “këngë harrese”, që na sillet nëpër vesh e duket sikur vjen nga hone të thella ku zërat e kujtesës për shpëtim thuajse shuhen e nuk kanë rikthim. Ndaj edhe kësaj jehone për ta rikthyer zërin e kujtesës po përpiqemi ta afrojmë për të gjithë ata që e duan identitetin e tyre, jo vetëm si një gjykim për të vërtetën, por edhe si një arkitekturë shpirtërore ku lëvizja prej qytetari evropian ka mbi vete edhe ndërgjegjjen prej një qenieje e cila e di nga vjen e ku shkon.

Ismail Kadareja është shprehur në parëthënien e librit të “Mustafa Greblleshi. KUJTIME 1939-1944”, se Asnjëherë Shqipëria nuk kishte patur aq shumë shkrimtarë, rryma letrare, kundërthënie, kaos, skandale të pabesueshme autorësh. Nën shpërfilljen mbretërore të Zogut fitonin famë, për t’u harruar ditën e nesërme, autorë patriotë, për të mos thënë shovinistë.

Përmendet autori i romanit “PSE” i shpallur parnaist ose dekadent dhe Ernest Koliqi autori me pikpamje fashiste me librin e “Hijes së Maleve”. Epo ashtu nuk mungonin shkrimtarë që mbronin ide të kundërta, si Migjeni i shpallur pak më vonë poeti më i madh i kohës, pak befasuese ishin biografitë e shkrimtarëve, si rasti i autorit të librit “Sikur të isha djalë” Haki Stërmilli, afërsia me idetë komuniste të të cilit ishte e njohur, por që kjo s’e kishte penguar aspak të emërohej me dekret mbretëror shef i shërbimit sekret të mbretërisë, çka, nga ana e saj, s’e kishte penguar më pas në regjimin komunist të ishte shkrimtar “normal”. Kishte raste që shkrimtarë të majtë niseshin për në Spanjë për të luftuar fashizmin, në kohën që të tjerrë hiqeshin mënjanë, pa e fshehur përbuzjen ndaj politikës ose monarkisë. Ndonjëri pranonte gjakftohtësisht titullin “poet oborri”.

…Kur Mustafa Greblleshi njëzetvjeçar botoi shkrimet e para dhe fill pas tyre romanin “Gremina e Dashurisë”, që fitoi aty për aty një famë të papritur, shkruan Ismail Kadare. Greblleshi edhe pse botoi në vitin 1963 librin me tregime “Albumi i një bojaxhiu”, është shembulli më tronditës për atë që është quajtur ”taksë” për të qenë shkrimtar. Mustafa Greblleshi nuk u përmend asnjëherë gjer sa vdiq në harresë në vitin 1986.

Në kapitullin Prill 1939, për çdo njeri që e njeh pushtimin fashist më 7 prill 1939 të Shqipërisë sheh ndjenjën e patriotit të ri gjimnazistit Mustafa Greblleshi në bankat e shkollës. Urrejtja kundër pushtimit fashist Italian shpërtheu hapur në demonstratat e ditëve të para të prillit të vitit 1939.

Ja si shkruan Greblleshi: “Në këto demonstrata morën pjesë aktive nxënësit e kurseve të larta të gjimnazit e të shkollës teknike, madje edhe nxënës të viteve të ulëta. Me ne u bashkua edhe një turmë e përbërë prej puntorësh, zejtarësh e katundarësh. Ne përshkuam rrugët kryesore të qytetit, u endëm gjer në orët e vona ndërmjet vilave të Tiranës së Re dhe qëndruam përpara ambasadave të huaja, të përgjumura, për të zgjuar ndërgjegjen e tyre me britmat tona të protestës.”

Këto rreshta kujtimesh shkruajtur me talent nga Mustafa Greblleshi na japin panoramën e Tiranës në ato ditë kur shkeli këmba e pushtuesit fashist Italian i cili nuk u prit me dafina, por me plumbat e Mujo Ulqinakut dhe patriotëve të tjerë. Ja si e përshkruan ditën e rifillimit të shkollës M.Greblleshi.

“Profesori i letësisë, Vasil Andoni, në çdo klasë u bëri thirje nxënësve të mbanin një minutë zi për dëshmorët e rënë në Durrës. Po atë ditë para se të ikte nga Shqipëria përgjithmonë, profesori i mirënjohur i frengjishtes, Marchandi, që ishte aq i dashur për ne tha: “E ndjej thellë dhimbjen tuaj, se e desha Shqipërinë jo më pak se vendin tim, por ngushëllohem, se me këtë rini inteligjente dhe heroike që ka Shqipëria, nata e robërisë nuk do të zgjasë shumë” dhe u nda prej nesh me sy të përlotur.

Siç shkruan më tej në kujtimet e tij Greblleshi, – Konti Çiano në ditarin e tij, një pjesë së të cilit e përktheva për gazetën “Bashkimi” të vitit 1945 shkruan: “Në fytyrat e zymta të shqiptarëve dukej hapur urrejtja e shfrenuar që kishin për ne”. Djaloshi gjimnazist fillon punën pasi më 7 prill i ati nuk merr më rrogë si ish oficer i ushtrisë shqiptare, pesë fëmijët kërkonin të hanin. Në lagjen e Tabakëve ku banoja unë, pranë epiqendrës së dëfrimeve dhe ahengjeve të çingive, ku gumëzhinte kënga dhe batërdia, u vendosën garnizone të përbëra prej një mizërie ushtarësh italianë. Vila e bukur dykatëshe e prefektit të Tiranës, Rexhep Jellës, e ndërtuar sipas stilit të arkitekturës tiroleze, e kredhur në gjelbërim, dukej sikur dritaret dhe verandat e saj të mëdha i vështronte me ironi rrotullimet e lakuriqëve të natës. Unë i njihja mirë edhe ambientet e brendshme të kësaj vile sepse me djalin e prefektit Tupin ishim bashkënxënës në gjimnaz dhe shpesh i bënim tok detyrat e shkollës, shkruan Mustafai. Drejtori i gjimnazit, profesor Eqrem Çabej, më thirri në drejtori dhe më këshilloi për mungesat. Këshillat e tij më vranë më shumë se çdo qortim. Atëherë as që mund ta mendoja se një ditë do të bëheshim miq të ngushtë, kujton M. Greblleshi. Ky djalosh vijon të përmendë emra miqsh dhe shokësh dhe ngjarjesh që lanë gjurmë të pashlyera në jetën e tij.

Lufta italo-greke e vështirësoi shumë jetën e përditshme. Përveç alarmeve dhe bombardimeve ajrore, mungonin ushqimet, sidomos sheqeri. Buka u bë me racion. Problemin e sheqerit unë e zgjidha në njëfarë mënyre me anë të letërsisë, thotë Greblleshi. Revista Njeriu, ku bashkëpunoja në çdo numër me një ose dy shkrime, në vend të honorareve në të holla na jepte sheqer dhe oriz. Më pas djaloshi fillon punë në “Postë Telegrafë” tek zyra e kolipostës, ku kontaktoi me shokët e gjimnazit Kristo Frashërin, Skënder Pustinën dhe Ali Demin. Në kolipostë ai inkuadrohet për herë të parë në grupin antifashist, i kryesuar nga Kristo Frashëri, ku mori pjesë aktive në grevën e njohur, të organizuar nga komunistët e Drejtorisë së Përgjithshme të Postë-Telegrafeve. Në këtë kohë i riu M. Greblleshi kish filluar të botonte në shtypin e përditshëm periodik tregime dhe skica letrare dhe artikuj humoristikë me dialekt të Tiranës me pseudonimin Liu i Cakut. Karriera e të riut Greblleshi fillon e ngjitet e kështu rritet edhe numri i njerëzve të njohur si Vangjel Koça(Nirvana) dhe Nexhat Hakiu të gazetës “Tomorri”. Vangjo e ftoi këtë djalë të talentuar të gazetarisë dhe letërsisë shqiptare për ta ndihmuar materialisht siç shkruan me mirënjohje vetë Greblleshi.

Siç duket fati kish dashur që gazetari të njihte një tjetër talent me përmasa botërore siç ishte Ibrahim Kodra i cili duhet të skiconte tregimet e përkthyera. Deri në atë kohë I. Kodra bënte pllakat për reklamimin e çdo filmi. M.Greblleshi e përshkruan Ibrahim Kodrën, si një djalë shumë të mirë dhe me shumë talent. Temperament i heshtur dhe i mbyllur, por me një botë të pasur shpirtërore. Ai ishte gjithë ndjenja. Ibrahimin e gjeta duke vizatuar me laps karboni një vajzë “liberale”, nga ato që shoqëroheshin shumë me italianët. Vizatime të tilla i bënte rëndom në atë depo kinemaje, të cilën e quante “studio”. Ibrahimi nuk thoshte dot “jo”. Nuk ia prishte kurrkujt. -Lëre atë punë, – i thashë, – se të kam gjetur një punë më me leverdi dhe më me dinjitet. Çdo mbrëmje shkonim në restorantin e Bim Kuranit “Pëllumbi i Bardhë” ku pinim nga një gotë birrë dhe hanim nga një panine me dy qofte. Ne shkonim aty se mblidheshin të gjithë ata që merreshin me art dhe me gazetari.

Ibrahim Kodra kur erdhi në Shqipëri shumë më vonë si turist, kërkoi të takohej me mua, por për rrethana të ndryshme nuk u takuam dot, shkruan Greblleshi. Ibrahim Kodra ishte shprehur në Tiranë -Më ka qëlluar të shijoj gjellët e restoranteve më të mira të përmendura të Evropës, por shijen e qofteve që kam ngrënë me Mustafa Greblleshin në restorantin “Pëllumbi i bardhë” nuk e kam ndeshur gjëkundi. Nga piktori Ibrahim Kodra autori i kujtimeve ka vetëm një klishe të një karikature të cilën e ka paraqitur edhe në librin e tij. Kur Kristo Frashëri u thotë në zyrë se do të bëhej një demonstratë e madhe kundër pushtuesve italianë. Ishte caktuar data 28 tetor, si sfidë ndaj përvjetorit të “marshimit në Romë”, që fashistët e konsideronin si festën e tyre më të rëndësishme. Në demonstratat e mëparshme fashistët patën përdorur forcën e krahëve dhe të kondakëve të pushkëve, shkruan Greblleshi. Këtë radhë për herë të parë përdorën armët. Ndër ata që u plagosën qe dhe ai. Dy demonstrues, duke më mbajtur nga krahët, më zvarritën afër një hoteli të vjetër, prapa bashkisë. Ndërkohë, një djalë nja 15-16 vjeçar nxirrte bomba dore nga një shportë dhe i shpërthente, duke i përplasur në murin e hotelit të vjetër. Ai e bëri këtë veprim që të më jepte mundësi që të largohesha. Por unë nuk ecja dot. Ky djalë ishte Selman Vaqari, që themeloi më vonë “Debatikun”, me të cilin më pas u bëmë shokë të mirë, sepse merrej edhe me letërsi.

E pas kësaj ngjarjeje heroi ynë, M. Greblleshi, tregon si në një film “Hollivudian”, kthesat e jetës, dilemat filozofike, tronditjet për dhimbjen patriotike të Kosovës e tmerret që la pas lufta. Pasi karabinierët italianë e shtrojnë në spital e më pas në burg ku takon në birucë profesorin e gjeografisë Mihal Zallarin. Pas ca ditësh, kur plaga u mbyll M. Greblleshin e çojnë në zyrën e e Prefektit, Qazim Mulleti, me të cilin ai ishte takuar edhe në verën e vitit 1939, fill pas pushtimit fashist. Në atë kohë Qazimi kishte qenë kryetar bashkie dhe i qe përgjigjur të riut që i kërkonte punë se: “Jam gati të të jap bursë të studiosh në Itali, por në asnjë mënyrë nuk të jap punë”.

Qazim Mulleti e priti me këmbët e para djaloshin 22 vjeçar.

Kurrë nuk e ka shkruajtur në biografitë e tij Greblleshi, se si ka shkuar si i internuar në Itali. Ai u nis për Itali dhe tashmë po i prekte me dorë gjithçka kish lexuar nëpër libra. Aty ai gjendet herë si përkthyes i të sëmurëve shqiptarë që kuroheshin në Itali dhe herë në mes miqsh e shokësh shqiptarë si Stefan Shundin, Hajri Kadiun, Riza Deliallisin, Musa Mjollin. Fillimet e bombardimeve nga anglezët në Torino e më pas në Milano ishin një tmerr i vërtetë. Fakt interesant pa përmendur emrin e pronarit shqiptar nga Kruja, Greblleshi është i ftuar në restorantin “Bel Fiore” të Romës, nga një pacient që shoqëronte. Mendohet se pronari duhet të ketë qenë babai i këngëtares me origjinë shqiptare Ana Oksa.

Autori i kujtimeve Greblleshi ndalet gjatë në miqësinë vllazërore me Stefan Shundin i cili gjimnazin e kish mbaruar në Austri dhe Universitetin në Itali. Në fillim Stefani kishte punuar avokat. Janë të shumtë kundërshtarët e fashizmit që kanë mbrojtur me vendosmëri në gjyqet ushtarake Stefan Shundin. Në vitin 1943, Greblleshi ka punuar me Stefan Shundin në gazetën “Roja Kombëtare”, më pas kanë punuar në gazetën “Bashkimi i Kombit”. Por një detaj tejet interesant është fakti që si gazetar Stefan Shundi kishte shoqëruar Konti Çianon, ministrin e jashtëm të Italisë, dhëndrin e Musolinit kur pat ardhur për herë të parë si “mik”, se më pas erdhi si okupator. Stefani kishte takuar ministra e kryeministra për intervista bile edhe me vetë Zogun. Ja seç rrëfim mbresëlënës i ka treguar Greblleshit Stefan Shundi, kur shoqëronte Patër Gjergj Fishtën në takimin me Musolinin. Musolini kish kujtuar se po priste në audiencë një klerik shqiptar me horizont të ngushtë, që ishte bërë akademik vetëm për hir të rrethanave politike, prandaj nuk ishte ngritur nga vendi për ta pritur me nderime. Por ishte mahnitur dhe kishte mbetur me gojë hapur kur kishte dëgjuar këtë klerik me ”horizont të ngushtë” që e fliste italishten në mënyrë të përkryer dhe që e njihte letërsinë itaiane nëpër gishta. Dy herë e kishte shtyrë kohën e audiencës, e kishte përcjellë jo gjer te dera, por gjer në fund të korridorit dhe e kishte ftuar me isistim për darkë. Në Milano kujton Greblleshi, Stefan Shundi më njohu me kosovarin e internuar Xhelal Mitrovicën, doktor në drejtësi. Xhelalin e kishte tërhequr gazetaria. E urrente fashizmin me gjithë shpirt, ashtu sikundër urrente me gjithë shpirt shovinistët serbë për krimet dhe mizoritë në Kosovë. Fati i keq që Stefan Shundin e zuri dheu në ndërtimin e hekurudhës “Durrës-Peqin”, u nda nga jeta në moshë fare te re.

Teksa punonte në gazetën “Roja Kombëtare” si redaktor M. Greblleshi ka plot kujtime me kryeredaktorin e kësaj gazete Gjergj Bubani dhe drejtor i radio Tiranës. Kjo gazetë filloi të botohej në fund të pranverës së vitit 1943. Pas dy muajsh fashizmi ra. Kryeministri kuisling, Mustafa Kruja, ky gjakatar i popullit shqiptar në një kryeartikull u orvat të shfajësonte veten, duke demaskuar krerët e tjerë të tradhtisë.

Për Gjergj Bubanin autori i kujtimeve është shprehur me një admirim dhe respekt të jashtëzakonshëm, ku thotë : Gjergj Bubani ishte gazetar i përsosur. Kishte mbaruar Universitetin për art dramatik në Athinë. Gjergj Bubani si Balzaku pinte shumë kafe. Nuk jepte kurrë urdhra. Nuk fliste kurrë me zë të lartë dhe me ton të ashpër. Çdo problem e shtronte kurdoherë me buzë në gaz, merrte mendimin e të gjithëve. Dihet fati i këtij intelektuali që vdiq në kampet e punës së diktaturës komuniste. Po ashtu tejet domethënëse është një kujtim plot mbresa me Xhevat Korçën. Një ditë unë dhe Fiqiri LLagami shkuam te ministri i arsimit Xhevat Korça. Fiqiriu i bënte pyetje ministrit dhe unë me bllok në dorë, mbaja shënime. Pyetja e parë e Fiqiri Llagamit ministrit: – Zoti ministër, më duket se ka ardhur koha që edhe Shqipëria e vogël të ketë universitetin e saj. Ç’mendoni ju si ministër i arsimit? – Unë mendoj se nuk ka ardhur koha, – u përgjigj ministri. –Ka raste kur koha nuk duhet pritur, – shtoi Fiqiriu, – ajo duhet gjetur. -Hapja e universitetit në Shqipëri është ëndërr, një utopi. Keni gjë tjetër? Një vit më vonë Fiqiri Llagami nxorri gazetën “Shqipnia” dhe hapi në Tiranë Institutin e Gjuhëve të huaja. Nata e 4 shkurtit pat qenë një natë masakrash për Tiranën, sikundër pat qenë dikur nata e Shën Bartalomeut për Parisin, kujton gazetari, përkthyesi i përrallave arabe të “Njëmijë e një netve”, autori i romanit “Gremina e Dashurisë” dhe i librit “Album i një bojaxhiu”, antifashisti Mustafa Greblleshi. Atë natë trokitën edhe në portën e e shtëpisë së tij. I shpëton arrestimit pasi u fsheh në kopshtin prapa shtëpisë.

Një tjetër kujtim që ka bërë pak ose aspak hije në historinë e Shqipërisë është fakti që na jep M. Gërblleshi për kontaktin me “Kryqin e kuq botëror” në fund prillin e vitit 1944. Pasi biseduan me Xhelal Mitrovicën për gjendjen e mjeruar të Shqipërisë ai i propozon Mustafait që të ishte pjesë e delegacionit shqiptar të Kryqit të Kuq Shqiptar së bashku me doktor Vasfi Samimi kryetar i Komitetit për të mjeruarit e luftës do të përfaqësonte këtë komitet, kurse shtypin do ta përfaqësosh ti. Xhelali në pozicionin e sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Kulturës thotë ndër të tjera: “Shqipëria e vogël në krahasim me shtete të tjera, është dëmtuar rëndë nga kjo luftë më shumë se çdo vend tjetër. Kryqi i Kuq Ndërkombëtar ka ndihmuar shumë vende e në mënyrë të veçantë Greqinë dhe popullin grek që po vdiste në masë nga uria. Për Mustafain ky propozim ishte surprizë dhe iu bashkua delegacionit i cili kishte doktor Sadedinin që ishte një frengjishtfolës i përkryer dhe doktor Vasfiu që zotëronte gjermanishten më mirë se gjuhën shqipe. Udhëtim në kohë lufte, ku shihje nëpër rrugë karvane pleqsh që hiqeshin zvarrë, grash e fëmijësh që mezi i tërhiqnin këmbët, të rrëgjuar e të rraskapitur që zbrisnin qyteteve për të gjetur strehë. Në fillim mbërrijnë në Selanik dhe nuk gjejnë kontaktin e duhur me Kryqin e Kuq Ndërkombëtar e më pas shkojnë në Athinë nga ku priten me respekt nga kryetari i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, B. De Glutz dhe delegati i Kryqit Kuq Ndërkombëtar, De Ficher i cili erdhi në Shqipëri dhe e pa me sytë e tij gjendjen në Shqipëri dhe ishte shumë i predispozituar për të çuar sa më shumë ndihma në Shqipëri. Shumë takime dhe ëndërrime mes statujave të Akropolit ia mbushën shpirtin gazetarit të talentuar shqiptar, por tashmë i kishte hypur trenit për në Selanik dhe shumë brenga i fshiu kur treni u fut në tunel e po kthehej drejt Shqipërisë me automobil nga Manastiri me një mision tejet human e tepër të rëndësishëm. Kthimin nga Athina i hapi rrugën për një nisje drejt një misioni tjetër tejet prekës e shumë të dëshiruar.

Mustafai shkruan se mbresat e tija për Kosovën i ka përshkruar në gazetën “Bashkimi i Kombit më datë 31 gusht 1944, me titull: Vendimi i popullit kosovar për të mos u ndarë kurrë nga Shqipëria, shprehur krenarisht mbi rrënimet e Pejës. Duhet theksuar këtu se ai ka parë dhe ka prekur Pejën e bombarduar rëndë, në mënyrë tepër çnjerëzore. Ai shkruan: Dashuria e kosovarëve për Shqipërinë dhe për gjuhën shqipe është e papërshkrueshme. Ajo ishte një dashuri e shfrenuar dhe e papërmbajtur, që kishte kaluar pothuajse në vuajtje. Greblleshi ndër të tjera rendit në radhë krijimin e qeverive shqiptare e nëpërmjet tyre kuptohet situata e ditëve më të egra për Tiranën, bëhet fjalë lufta për çlirimin e Tiranës. Një e dhënë tepër e vleshme për historografinë shqiptare është fakti që Patër Anton Arrapi para se të hynte në qeveri ka marrë leje nga Papa, citon Greblleshi. Në këto ditë të zjarrta përsëri atij i duhet të fshihet nga gjermanët sepse e kishin futur në listat e zeza. Ndërkohë shumë shkrimtarë kishin dalë në mal, Sterjo Spase, Nonda Bulka dhe Mitrush Kuteli. Gjergj Bubani e kish këshilluar të shkonte me ta. Kjo kohë e rëndë i merr babanë si pa kuptim e në drejtim të paditur.

Drama më e madhe për familjen e Greblleshit ndodh, sepse kur pyesin në Komandën e vendit Et’hem Greblleshin atë kohë komandant i komandës, ai pasi kontrolloi listat u tha shprehimisht: “Babai yt figuron i liruar si i pafajshëm. Po ku ndodhet?” Greblleshi dhe familja e tij, humbjen e babait në moshë 47 vjeçare e quan këtë një thikë në zemër. Një ish partizan me emrin Masar Lita i kish thënë mbas çlirimit se kam qenë prezent kur dha urdhër Nako Spiru të lirohet babai yt si i pafajshëm. – Revolucioni ka edhe viktima, – e ngushëllon partizani Lita dhe e shteron këtë kujtim autori i kujtimeve.

Greblleshi me modesti ka përmendur edhe historinë e botimit të romanit “Gremina e Dashurisë” i cili ka rënë në dorë të lexuesit i paredaktuar dhe ai ka vlerësuar kritikën e Qemal Draçinit i cili kishte vënë në dukje përdorimin e fjalëve të huaja vend e pa vend. Romanin “Gremina e Dashurisë” autori e ka shkruajtur në vitin 1941 gjatë disa netëve, por fill mbas kapitullimit të Italisë kur kishin shpërthyer botimet. Fiqiri Llagami e mori për ta lexuar kopjen e parë nga autori dhe nuk priti që të përfundonte kopjen e ripunuar dhe e dërgoi në shtypshkronjën “Gutenberg” të Ismail Malosmanit. Këto shenja të haruara në letrat shqipe janë shumë, ne vetëm sa e kemi prekur majën e hajsbergut. Ashtu si nuk mund të ketë hije pa dritë, ashtu nuk mund të ketë të mirë pa të keqe, thotë A. Myse. Greblleshi ishte pjesë e kohës plotë tronditje si edhe ajo kombit shqiptar, me dritëhijet e tij, ndaj dhe fati i tij iu nënshtrua atij realiteti të cilin as e divorcoi, por e pranoi dhe jetoi sipas bindjeve të veta, ndonëse regjimi e burgosi në vitin 1947 pa asnjë shkak. Me mjetet e punës së bojaxhiut Mustafa Greblleshi u hyri qytetarëve të Tiranës si biri i saj i zhytur në mjegullën e harresës me damkën e autorit të ndaluar, që e lexonin fshehurazi vajzat e gjimnazit dorë më dorë “Gremina e Dashurisë”. Me dritën e kujtesës së librit të përkthyer nga ai “Një mijë e një net” përralla arabe me një tirazh nga më të shiturit e të gjitha kohërave nga librat që janë botuar në Shqipëri deri në ditët tona, Greblleshi u bë nga autorët më të dashur shqiptarë.

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…