Xhevahir Spahiu, “Mjeshtri i Madh” i poezisë shqiptare!
Poeti Xhevahir Spahiu mbush 78 vjeç. Gazetari Zylyftar Hoxha: “Xhepat e Xhevos të mbushur me motive vjershash”
Nga Zylyftar Hoxha
Dje, më 1 mars, poeti Xhevahir Spahiu mbush plot 78 vjeç, urime poetit! Do të kishim dëshirë që me këtë rast t’i kishim bërë një vështrim të shkurtër, retrospektivë, jetës së tij sizifiane, por fatkeqësisht, mundësinë e kemi tepër të kufizuar, kemi në dispozicion vetëm tri, e shumta, katër faqe kompjuterike. Ajo që po themi është pak për të, i kërkojmë ndjesë që po i biem kaq shkurt, kaq “shkopërisht”, siç thotë ai. Megjithatë, ç’rëndësi ka fjala jonë, kur atij i flet puna dhe vepra e vetë. Për kujtesë lexuesit në këtë ditë të shënuar të tij, natyrisht, edhe tonën, do të mundohemi të risjellim në vëmendje forcën vullkanike të këtij titani krijues, që, siç thotë vetë në një poezi: Tek tingujt vdes/Tek ngjyrat çmendem/Tek fjala vdes çmendem përmendem.
Një vepër që nuk do të vdesë kurrë
Xhevahir Spahiu është shkrimtar i njohur shqiptar, një nga poetët më të spikatur të poezisë shqipe qoftë në idetë dhe mesazhet që mbart, por edhe në një teknikë dhe në ngjyrë të veçantë dhe të pakrahasueshme me poetë të tjerë. Poezia e tij është përfaqësuar gjerësisht në të gjitha antologjitë e poezisë shqipe të botuara gjatë 30 vjetëve të fundit në Shqipëri dhe në gjuhë të huaja.
Veprat e tij analizohen në tekstet e letërsisë dhe të gjuhës shqipe, ku janë botuar dhe pjesë, në të gjitha kategoritë e shkollave, që nga cikli i ulët e deri në shkollat e larta. Nuk ka botime antologjike, brenda dhe jashtë vendit, ku poezia e tij të mos zërë vend krahas përfaqësuesve më të shquar. Libra dhe pjesë të zgjedhura të krijimtarisë së tij poetike janë botuar në: anglisht, frëngjisht, gjermanisht, spanjisht, italisht, holandisht, maqedonisht, turqisht, rusisht, greqisht, rumanisht, arabisht, japonisht, kroatisht, hebraisht etj.
“I pabindur”, por i drejtë dhe i pathyeshëm
Gjatë 50 vjetëve autorin e kanë larguar nga puna si dhe i kanë hequr të drejtën e botimit disa herë radhazi për “gabime ideologjike” dhe frymë antikonformise në krijimtari, në vitet1973, 1974, 1977, 1979-1980, 1984-1986. Në vitin 1977-1978 e largojnë nga “Zëri popullit” dhe e çojnë në minierën e Valiasit; në vitet 1986 e heqin nga revista “Nëntori” dhe e çojnë mësues të thjeshtë në shkollat e natës, pasi kishte lejuar të botoheshin novela të “gabuara”. Në vitin 1973 iu ndalua botimi i librit poetik “Bota ku eci”. Libri poetik “Zgjimi i thellësive” në vitin 1979 u hoq nga qarkullimi dhe u bë karton. Krahas këtyre, autori u rrezikua edhe për shkak të vëllait të tij të burgosur politik. Kështu, herë i pushuar nga puna për “gabime ideologjike” e herë i privuar nga e drejta e botimit, herë me shtëpi e herë pa shtëpi, herë i përndjekur, por vazhdimisht i pabindur, gjatë peripecive të kësaj jete, ai nuk u thye e ndërkohë nuk la cep të Shqipërisë pa e njohur e pa u kënduar jetës dhe dramave të saj. Dritëhijet e saj frymëzuan pareshtur serinë e librave të tij të mrekullueshëm poetikë.
Jeta e Xhevos, udhë dhe poezi
Ka qenë dhe është një nga udhëtarët më të palodhur në Shqipëri. Nuk ka lënë cep të Shqipërisë dhe Kosovës pa shkelur. Edhe tani, pas sëmundjes, vazhdon udhëtimet. Orgesi, djali i tij i madh, nuk ka lënë vend pa e çuar, nga veriu në jug. Vëru re poezive të tij; si dhe njerëzit, kanë vendlindje, kanë adresë, kanë gjeografinë e tyre. Por edhe po nuk e patën, midis rreshtave kuptohet koha dhe vendi ku janë ngjizur. Xhepat e Xhevos në atë kohë e në këtë kohë rrinë plot copa letrash, me motive vjershash, me penelata të shpejta, që më vonë piqen në saçin krijues të autorit. Rrallë të gjesh një poezi të bërë në tavolinën e punës së tij. Jo, ato janë bërë udhës. Ndaj dhe përmbledhja më e plotë dhe më e përzgjedhur e tij është quajtur “Udha”. Se, si shumë fjalë të shqipes, edhe fjala “udhë” ka origjinën e saj nga pellazgjishtja e vjetër. Odhiseu e mori emrin nga udha (udhë-odhise), se bëri udhë të gjatë për të ardhur në Itakë. “U mbodhise” thotë një fjalë e vjetër shqipe, në kuptimin, u vonove. U mbodhise, mbete (mbë)në udhë. A s’mbeti kështu edhe Odhiseu!…Se i pëlqen udha, ndaj Xhevahir Spahiu mbetet një nga poetët më dinamikë, poet i lëvizjes, i luftës, i ecjes, i zhvillimit.