Arti bashkëkohor, një reflektim magjepsës që bashkon artistët
Historian dhe Kritik Arti. Kurator i Ekspozitës “Fenomenologjia e imazhit arketip bashkëkohor”
Nga Ph.D. Oltsen Gripshi
Historian dhe Kritik Arti, Kurator i Ekspozitës
Dhjetë artistë më në zë të artit bashkëkohor midis Shqipërisë dhe Austrisë: pesë shqiptarë (Admir Përvathi, Adriana Marku-Sedaj, Dastid Miluka, Helidon Haliti dhe Naim Spahiu) dhe pesë austriakë (Christian Strassegger, Elisabeth Gschiel, Gilbert Kleissner, Michaela Knittelfelder-Lang dhe Peter Wagner) janë pjesë e Ekspozitës e Artit Bashkëkohor Shqipëri-Austri e titulluar “Fenomenologjia e imazhit arketip bashkëkohor”, e kuruar nga historiani dhe kritiku i artit Ph.D. Oltsen Gripshi. Menaxheri i projektit artistik është Karl Bauer.
Ekspozita është hapur në hollin qendror të Muzeut Historik Kombëtar, më 3 mars dhe i pret artdashësit deri, më 12 mars 2023.
Gjuha e artit pamor, me të cilën ata paraqiten në ekspozitë është sa e larmishme, për nga teknikat e përdorura në realizimet e tyre, dhe po aq dhe gjithëpërfshirëse për nga tematikat e trajtuara.
Kjo ekspozitë kërkon të përçojë te publiku mesazhe të shumëfishta.
Asnjëherë më parë marrëdhënia midis njeriut dhe natyrës nuk është bërë një çështje qendrore (absolute), si në debatet shkencore, ashtu edhe në ato estetiko-artistike në krijmtarinë e artistëve.
Gjithnjë e më shpesh, në përputhje me ndjenjën e përkatësisë së epokës aktuale, të së tashmes, bashkëkohores, artistët e mbështesin kërkimin e tyre artistik dhe filozofik-konceptual në zbulimin e marrëdhënies midis njeriut dhe natyrës.
Një ndërthurje nocionesh e botëkuptimesh, njeriut dhe natyrës, që ka magjepsur gjithmonë antropologët, biologët, natyralistët dhe studiuesit e artit të interesuar për të kuptuar këtë lidhje të çuditshme, por thelbësore, e cila shumë shpesh kthehet edhe në konflikt mes tyre!
Në një reflektim filozofik mbi qenien njerëzore, arti është gjithmonë si një përmasë, nëpërmjet së cilës qenia njerëzore shkëputet nga realiteti, duke lundruar brigjeve të imagjinatës.
Artisti përpiqet të trajtojë çështjet kyçe të kohës së tij, me mjetet dhe gjuhën që zotëron.
Megjithatë, do të ishte gabim të mendohej se arti vetëm tani ka filluar të merret me botën natyrore, me thelbin e qenësishëm të vetë ekzistencës së tij, duke e vendosur atë si një objekt artistik.
Përkundrazi, mund të thuhet se që nga zanafilla e tij ka pasur gjithmonë një marrëdhënie shumë të ngushtë mes artit dhe natyrës.
Një marrëdhënie, që gradualisht ka marrë formë gjithnjë e më shumë përgjatë historisë së artit.
Padyshim me themelimin e artit konceptual e për rrjedhojë të “land art”, vëmendja e artistit u përqendrua tek natyra, duke e ngritur atë në shkallë sipërore.
Natyra nuk shihet dhe as nuk perceptohet më si plotësuese e realizimit artistik në vetvete, por si subjekt qendror i përmbajtjes së veprave të artit, si rrjedhë e reflektimit mbi qenien njerëzore pjesë e pashmangshme dhe e pandashme me natyrën.
Në këtë botëkuptim fenomenologjia e imazhit është ajo situatë në të cilën një objekt i mirëpërcaktuar siç është fotografia ngjall ndjesi, emocione, humor dhe reagime që shkojnë përtej materies përbërëse të objektit.
Ekspozitë u realizua në bashkëpunim mes Ambasadës së Austrisë në Shqipëri, Ministrisë së Kulturës dhe Muzeut Historik Kombëtar.