“Profecitë” misterioze të një “Nostradamusi” anonim në vitin 1790

Çfarë raportonte për shqiptarët Revista “Bota” e Korçës në vitin 1937 për parashikimet e murgut polak? Kush i (ri)zbuloi dhe përse për to sot nuk gjendet thuajse asnjë gjurmë?


Nga Armand Plaka

Fatkeqësitë në shtim përgjatë gjithë këtyre dekadave e viteve të fundit, sidomos luftërat apo ato natyrore me pasoja katastrofale e humbje të mëdha jetësh njerëzore, kanë bërë që vëmendja të përqëndrohet shpesh edhe te teori konspiracioni, por edhe tek ato që mund të quhen si “parashikime profetike” të fatit nga individë të veçantë me aftësi e dhunti parashikuese, të cilët jo thjesht rasti e ka sjellë të jenë njerëz me frymëzim religjoz.

I tillë ka qenë edhe Nostradamusi, për të cilin shqiptarët në dukje mësuan vetëm pas rënies së monizmit. Them në dukje, sepse për të rezulton të jetë shkruar në shtypin shqiptar minimalisht qysh në vitet ‘30 e me shumë gjasa, edhe më parë.

Në këtë linjë na paraqitet edhe një përmbledhje parashikimesh, e sjellë në formën e një kronike të ardhur nga viti i largët 1790 nga një prift apo murg polak, emrin e të cilit nuk arrijmë dot ta deshifrojmë.

Anonimiteti i autorit e bën kësisoj edhe më mistike prurjen në fjalë, por këtë fenomen do e plotësojnë edhe më shumë disa fakte e indicie të tjera para se të kalojmë tek përmbajtja e parashikimeve të tij.

Gjithçka lidhet me një vëllim të botuar në atë kohë që gjendet në Bibliotekën e Vienës, e cila për hërë të parë ngjan të jetë sjellë në vëmendjen publike nga një studiues gjerman ose austriak, Dr. Paul Linchtenegg, për të cilin gjithashtu nuk gjejmë asnjë gjurmë veprimtarie të mëtejshme shkencore publike.

Interesant është se dëshmia apo konstatimi i tij është sjellë i përkthyer në një volum të shkurtër (vetëm dy faqe) në një revistë lokale të vitit 1937 në Shqipëri, Revista “Bota”, e cila botohej në Korçë në kohën kur shtypi shqiptar po njihte shkëlqimin e tij.

Ai vetë pohon se kishte rënë rastësisht në kontakt me këtë prurje në Vienë, ndërsa nëse rrëmojmë sot në burime publike, nuk gjejmë kurrfarë gjurme të librit, një koment mbi përmbajtjen e tij të plotë, një kopje të kapakut të tij, por mund të gjesh vetëm dy-tre fragmente të shkëputura në blogje e faqe jozyrtare (pa emër autori) në anglisht, por edhe në polonisht e frëngjisht, të cilat të sjellin pikërisht në vëmendje konstatimet e Dr. Linchtenegg në vitin 1937.

Duket se askush nuk është kujtuar të merret me të, duke të bërë të besosh se ose s’i kanë kushtuar rëndësi fare, duke e injoruar tërësisht (kur kujton se ç’është bërë e bëhet akoma me parashikimet e Nostradamusit, të cilat studiohen në detaj), ose s’kanë rënë në kontakt me këtë vëllim, i cili për hir të së vërtetës, edhe pse pa autor, ka emër botuesi, e ai quhet Franz Lima, vit botimi: 1790, sikurse dhe vendin e botimit; Lajpcig, Gjermani.

Por le të kalojmë tek përmbajtja e parashikimeve të tij, të cilat e bëjnë edhe më interesante prurjen në fjalë dhe minimalisht të bëjnë të mos e injorosh dot. Nëse i kanë dalë apo jo parashikimet, tashmë është shumë e lehtë të verifikohen, pasi ato mbyllen me vitin 2000, i cili tashmë ka plot 23 vite që është mbyllur. Themi me vitin 2000, sepse parashikimet e fratit polak, nisnin në vitin 1790 e mbylleshin në fundin e mijëvjeçariyt të dytë, të cilin ai e shihte si vitin e fundit të ekzistencës së kësaj bote, duke besuar se për këtë po jepte edhe argumentet e tij, sipas të cilave njerëzimi paskësh qenë i destinuar të jetojë 6 mijë vjet.

Afërmendsh se kjo pikë fundore dhe më e rëndësishmja e parashikimeve të tij, përbën një fiasko, por përgjatë harkut kohor në të cilin ai projektoi parashikimet e tij, janë disa pika interesante, të cilat duket se nuk duhen injoruar. A kanë dalë fiks apo jo, kjo s’mund t’i atribuohet dot as Nostradamusit, i cili flet me nënkuptime, me shenja e mesazhe të inkriptuara. Nisur nga kjo, duket se shumë gjëra nuk duhen marrë fare në konsideratë, por disa të tjera s’janë aspak për t’u injoruar.

Për shembull: murgu apo prifti polak, flet për vitin 1938 si vitin e shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore. Madje duket se flet më qartë se Nostradamusi, kur pohon se duhet harruar Lufta e Madhe (dmth. Lufta e Parë Botërore) duke gjetur thuajse në mënyrë preçize momentin e shpërthimit të Luftës së Dytë Botërore (pa e cilësuar atë si të tillë me emër), si një luftë edhe më shkatërrimtare se e para. E vërtetë se ajo zyrtarisht nisi në vitin 1939 me hyrjen e trupave naziste në Poloni, por shkëndijat e saj ndërkaq kishin nisur (kam parasysh këtu pushtimin e Etiopisë nga Italia në vitin 1936, të Sudeteve e Çekisë nga Gjermania në 1938, të Shqipërisë nga Italia në prill 1939, lëvizjet e Japonisë në Lindjen e Largme etj.).
Por para tyre, ai flet për ca lëvizje radikale shoqërore siç ka qenë “Revolucioni Francez”, por edhe luftërat që e shoqëruan atë në Europë në atë që njihet si “epoka napoleniane”, edhe pse ai s’e përmend madje as këtë të fundit si emër konkret. Por sikurse theksuam më lart, as Nostradamusi nuk pëmendi ndonjëherë as Napoleonin, as Hitlerin, edhe pse i atribuohen si parashikime thuajse të sakta e të mirëqena këto stacione të historisë njerëzore.

Sidoqoftë, vetë studiuesi që me ç’duket ka qenë i pari që ka rënë në gjurmë të kronikës së lënë me shkrim nga murgu polak, ka hedhur shumë dyshime e ka tentuar të japë sqarime kritike e të qenësishme rreth përmbajtjes në fjalë, të cilën po e sjell të plotë më poshtë në gjuhën (dialektin) origjinal të botuar në revistën korçare të vitit 1937 (bashkëngjitur edhe faksimilen e artikullit), për t’a lënë në duar të lexuesit të konstatojë se çfarë mund të konsiderohet si parashikim i përmbushur, çfarë si i përafërt me realitetin, e se çfarë i papërmbushur.

Profetit’ e një prifti
Fati i Botës i gjykuar më 1790

Kurdoherë ka patur njerëz për të paravështruar t’arthmen dhe të tjerë për të patur besim të verbër në profetit’ e tyre. Një nga profetët e librave dhe gjer te astrologët modernë, duke kaluar nga Nostradamusi, paravështrimi i fatit të botës në t’arthmen ka patur dhe ka shumë adeptë. Dhe me gjith që gjer sot nuk kanë dhenë asnjë provë shkencore mi gjendjen e kësaj dhurate përminaturale, jerëzit vazhdoinë t’i besojnë.
Rasti e solli të më bjerë në dorë nië libër e këtij lloji. Duke kënduar një dit katalogun e bibliotekës s’Universitetit të Vienës, më tërhoqi vërrejtjen ky titull: “Profetitë e shënuara të bëra në Pollonjë prej një prifti, që më 1790 gjer në funt të botës që do të jetë më 2000”.
Disa minuta më vonë hapa me emocion fletët e verdha të librit. Në vitin 1937, koha përgënjeshtroj ose vërtetoj pjesën më te madhe të parashikimeve të këtij prifti.

Një manastir në pyll

Ay q’e ka botuar këtë vepër nuk e ka venë emrin. Kënaqet vetëm të tregojë cinkonstancat e një udhëtimi nga Riga në Salen – nji fshat pollones – humbi në një pyll. Me qënë se nata arriu dhe kali i tij ish shumë i lodhur, ish e pamundur të vazhdonte udhëtimin. Pak lark tij vuri re një dritë, u drejtua për atje dhe u gjent përpara një ndërtese të madhe.

Trokiti dhe iu lut priftit qi hapi derën t’a pranonte të qëndronte atje këtë mbrëmje. Kjo ndertesë ish një manastir i ngritur në mest të pyllit. Njëri nga priftërinjtë i hoqi vërejtjen më tepër udhëtarit. Bisedoj gjër e gjate me të mi politikë dhe ngjarjet e fundit të Francës (le të mos harrojmë se bisedimi ngjet më 1790) ishin bisedimi kryesor i këtij bashkëfjalimi, gjatë të cilit prifti bëri shumë profeti- ra mi t’arthmen e këtij shteti. Me qënë se udhëtari u habit, prifti profit tregoj të fshehtën e manastirit në pyll.

Testamenti i profetit

Kur hyri në manastir në moshën 18 vjetsh u prit prej një burri tetëdhjetë-vjeçar, i cili gëzonte famë. Përpara se të jepte shpirt ky plak i dha nxënësit të tij të favorizuar kronikën e ngjarjeve që në krijim të botës dhe gjer në funt të saj. “Që prej 60 vjetsh, dekllaroj prifti, tërë paravështrimet e mësuesit tim janë realizuar”. I bindur nga lutjet e udhëtarit, prifti lejoj botimin e një pjese të kësaj kronike që përmbleth vitin 1790 gjer më 2000. E botuar më 1790, në Leipzig, prej Franz Lima, kjo veper është krejt authentike dhe nuk mund të bëhet fjalë për falsifikim date.
Në vitin 1790-1791, thotë kronika, populli frances do të vazhdojë kryengritje dhe prestigji i mbretit nuk do të jetë veç se një kujtim. “Kombi do të zgjedhë vetë ata që duhet t’i japin urdhra dhe t’hartojnë ligje”. Aluzioni për asamblenë kombëtare ësht evident.

“Më 1793, shkruan më poshtë, mbreti i Francës vdes si një kriminel vulgar… Mendja e njeriut do të çpikë një maqinë vrasëse me anën e së cilës do të vdesin mbreti, mbretëresha dhe me mijra veta të tjerë”. Është e vërtetë se gijotina u çpik më 1789, por prifti pollones nuk gënjehej aspak kur parashëkonte për më 1793 mbretërimin e saj!.

Pothuai se në këtë kohë, vazhdon profeti, Prusia dhe Rusia do të ndajnë Pollonjën midis tyre. Dhe me të vërtetë, coptimi i dytë i Pollonjës u vendos në Groduo më 17 korrik 1793.

Gjë e çuditëshme, me gjith se ka paravështruar ngatëresa në fillim të shekullit të 19-të, luftëra dhe kryengritje, prifti nuk bën asnjë fjalë për Napoleonin,
1805: Në këtë vit do të pëlcasë luftë midis Francës dhe Austrisë. Dhe veç se në pranoftë konditat e rënda te paqes, Austria do të jetë e humbur”.
Me të vërtetë në këtë kohë fushata napoleoniane u drejtua kundër Austrisë, të cilën vetëm paqeja e Presburgut (1895) e shpejtoj.

Për vitet 1806, profeti ka paravështruar një luftë midis Francës dhe Rusisë. Me gjith atë lufta franke-ruse u bë jo në 1806, si kundër e paravështronte ay, por pesë vjet më von.

Gjith profetit e tjera politike mi Francën janë realizuar pak a shumë.

“Më 1830, thotë kronika, një kryengritje do të tronditë Francën dhe do të sjellë në fuqi një qeveri efemere (Rivëndosja monarqisë nënë Louis-Phlippe). Por këto paravështrime ndiqen prej gabimesh të tjera: Stambolli nuk u bë banesa e ujë imperatori roman.

Hollanda nuk u aneksua prej Prusisë.

Përkundër ay nuk ësht gabuar kur ka paravështruar për vitin 1848: “Nië kryengritje e tmerëshme që do të zaptojë tërë Europën dhe që do të rëzojë nga froni më shume se një mbret dhe mbretërëshë”.

Kataklizmat e naturës jane pika e dobët e priftit pollones: Venetia nuk mbyt më 1856 “në menyrë që asnjë nga ndenjësit e saj të mos rrojë”.
Po të merret pak më përgjithësisht, profetia mi çfaqjen e sëmundjes n’Europë më 1889 duket e vërtetë. Në këtë datë dolli epidemia e parë e gripit, e cila bëri shumë viktima si më von më 1918.

Lufta më 1938

Shekulli i njëzetë për prifti-profet duket si fundi i botës. Më kot do të kërkosh në kronikën pamjen profetike të Luftës së Madhe. Me gjith’ atë turbullimet shoqërore që u shënuan në fillim të këtij shekulli janë paravështruar mirë. “Shoh fatin e çuditëshëm që do të jetë për njerinë në këtë shekull, shkruan prifti. Ç’do gjë që munt të duket më tmerëshme dhe më e zorshme do të jetë mi ‘ta. Pas 1900, në shumë vende princërit do të ngrihen kundër mbretërve, nënështetasit kundër autoriteteve, fëmija kundër prindërve të tyre dhe e tërë qënia jerëzore do të hyjë në luftëra vëllavrasëse.
“Do të vazhdojë kështu gjer më 1938 kur do të pëlcasë luft e përbotëshme, e cila do të rrezikojë tërë krijimin. Çkatërimi dhe tmeri do të bjerë mi vende të tërë. Qytetet më te mëdhenj dhe ‘më kryelartër do të bëhen hi dhe do të bëhen vënde shkretëtire.

“Më 1986. më në funt paqja do të rivëndoset. Vitet që do të pasojnë, feja do të zbatohet në mijra forma..

……..dhe fillimi i fundit

Pastaj kronika përshkruan pamjen e botës përpara prishjes së saj. Më 1987 dhe 1988 do të shohim, po t’i besojmë profetit pollones, eklipse të plotë, daljen e kometeve dhe përmbytjen e fushave të tëra: më 1996, një lëkundje tërmeti do të përpijë peninsulën iberike. Më në funt, viti 2000 do të shohë ditën e Gjykimit të Lartër.

Yj dhe komete do të bijen mí tokë duke e djegur. Kështu do të çduket planeti ynë, pikërisht 6.000 vjet pas krijimit të tij.

Mënyra q’i ka lejuar priftit të çaktojë moshën e Tokës ësht fare e thjeshtë: Ungjilli thotë se kur u lint Moisiu, planeti ynë ish 2000 vjetsh. Që nga lindja e Moisiut dhe gjer te Krishti, kaluan dymijë vjet të tjerë. Një periode e tretë prej një kohe po aqe të gjatë duhet, sipas profetit, të ndajë ardhjen e Birit të Perëndisë nga fundi i botës.

E terë pjesa mi fundin e botës, pa dyshim ësht hartuar më tepër prej traditës se sa prej parashëkimeve të tij.

Profetit e tij me gjith atë përbëjnë një dokument të vetëm, që na le të ëndërrojmë.

Dr. Paul Linchtenegg
BOTA

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Sejko-Gonzato: BE, asistencë teknike në fusha të ndryshme të bankingut qendror

Hapja zyrtare e negociatave për grup-kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), shënon një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë…