“Flamurtari” – 100 vitet e para”, 100 vjet histori e lavdishme!
“Flamurtari” i Vlorës ka qenë dhe mbetet një nga emrat e klubeve më të mëdhenj në Shqipëri
Nga Ergys Alushi
“Flamurtari” – 100 vitet e para” – Dy libra – 800 faqe – një histori 100-vjeçare. Futboll dhe shumësportësh
Nga emri “Jeronim De Rada” në vitin 1921 tek emri “Vlora” më 27 mars 1923, për të vazhduar në vitin 1935 me emrin “Ismail Qemali” dhe për të ardhur tek emri “Flamurtari” në qershor të vitit 1946, emrin “Puna” në vitet 1950-1957 e për t’u rikthyer përsëri tek emri “Flamurtari” në vitin 1958.
Që nga viti i krijimit në 1923 e deri në vitin 1991, “Flamurtari” i Vlorës në futboll ka dalë 6 herë nënkampion dhe e ka fituar vetëm 1 herë titullin Kampion Kombëtar (1990-1991). Ka dalë 12 herë në finalen e Kupës së Republikës dhe e ka fituar 4 herë Kupën (1985, 1988, 2009, 2014). Ka fituar 2 herë Superkupën (1991, 1992).
Rrallë ndodh që një qytet i gjithë të jetojë me futbollin. Të jetojë shpirtërisht. Ta fillojë e ta mbyllë ditën me emocionet që të jep ky sport kaq magjik e popullor. Vlora ishte një nga këto qytete. Ishte krijuar një lidhje e çuditshme midis vlonjatëve dhe futbollit. Një lidhje qysh kur ky sport u luajt për herë të parë në qytet. Një lidhje që trashëgohej ashtu si trashëgohen edukata, kultura, zakonet. Ekipi i futbollit në qytetin bregdetar ishte kthyer gati në një simbol. Ndikonte deri në shëndetin e humorin e vlonjatit.
Madje, në raportimet që kryenin në ato vite ndërmarrjet në qytet, në shumë raste realizmin e planit e lidhnin me sukseset e dështimet e ekipit nga njëra ndeshje në tjetrën. Ishte me të vërtet një lidhje e çuditshme me futbollin. Sporti më i bukur në botë. I ardhur nga deti në Vlorë. Andej, si çdo e mirë dhe e keqe që i ka ardhur këtij qyteti. Ndoshta kanë qenë marinarët e shumtë të ekuipazheve të anijeve që ankoroheshin në gjirin e Vlorës ata që e kanë sjellë për herë të parë këtë lojë në qytet.
Të lodhur nga udhëtimi i gjatë në det, shumë prej tyre kanë zbritur në tokë për të “shpirë këmbët”, duke vrapuar të gjithë pas një topi të rrumbullakët. Dhe, ndërsa të huajt janë larguar përsëri me anijet e tyre, duke marrë me vete edhe sferën e lojës, vendasit kanë sajuar si sferë një “shuk leckash”, dy gurë për porta dhe loja e re është përhapur në të gjithë qytetin. Ka shumë gjasa të ketë ndodhur kështu, kur mëson se Vlora ka pasur një traditë të hershme për zhvillimin e lojërave të ndryshme.
Asnjë ekip tjetër shqiptar nuk kishte arritur të kalonte në turin e tretë të Kupave të Evropës. Ndeshjen e parë “Flamurtari” e kishte humbur 1 me 0 në Gjermani edhe pse kishte zotëruar lojën për 70 minuta. Stadiumi i Vlorës atë ditë të 4 nëntorit 1987 do të ishte plot e përplot. Më shumë se 13 mijë vlonjatë ishin në stadium. Një qytet i gjithë e kishte zemrën aty. E gjithë Shqipëria ishte sy e veshë nga Vlora. Futbolli shqiptar kishte arritur një sukses të madh, pikërisht në Vlorë.
Një tjetër fakt që vlen të theksohet është ai që rezultatet e larta të “Flamurtarit” në atë edicion bënë që Shqipërisë t’i rritej ndjeshëm koeficienti i pikëve të UEFA-s dhe ajo të renditej për herë të parë ndoshta në historinë e vet, e 14-ta në Evropë, duke lënë pas shtete të tilla me futboll të madh, si Danimarka, Jugosllavia, Zvicra, Greqia, Norvegjia, Austria, Polonia, Bullgaria. Ishte një renditje historike për Shqipërinë dhe futbollin e saj.
“Flamurtari” ishte në kulmin e tij. Ishte skuadra e parë shqiptare që kishte kaluar në turin e tretë të Kupave të Europës. Ishte skuadra që synonte çdo vit titullin kampion, por tolerimet e ekipeve të provincave ndaj ekipeve të “Tiranës” dhe ndëshkimi i arbitrave, nuk e lejonin ta fitonte atë. Kishte fituar dy Kupa Republike për 3 vjet.
E “shqyenin” nëpër dogana kur kthehej triumfator nga ndeshjet ndërkombëtare jashtë Shqipërisë. Por, kaq nuk mjaftonte. “Çunat e Vlorës” nuk përmbaheshin edhe pas këtyre masave. Duhej gjetur një zgjidhje për ta ndëshkuar ekipin e “Flamurtarit” Dhe në Tiranë, e vranë mendjen dhe e gjetën. T’i dënonin lojtarët për shfaqje të huaja gjatë një udhëtimi për në Poloni.
Dhe në çastin final, kur “Flamurtari ”zgjaste dorën për të marrë kupën, e pengonin gjyqtarët e njëanshëm. Ia punonte me hile edhe ndonjë ekip rrethi, që duke hapur portën e vet, bëhej lake i ndonjë ekipi kryeqytetas. Por “Flamurtarin” e shpartallonin edhe nëpër dogana, ndonëse i kthehej i lavdishëm nga veprimtaritë ndërkombëtare. E shpartallonin për dy lecka, me urdhër të po atij funksionari që sillte nga jashtë shtetit çfarë të donte e pa kufizim. Duhej të vinte viti 1991 që edhe “Flamurtari” më së fundi të merrte atë që meritonte.
“Flamurtari”, ky ekip simpatik, i njohur për vlerat e tij brenda e jashtë vendit, sidomos gjatë dhjetëvjeçarit 80-të e në këtë fillimi të viteve 90-të, shpallet kampion vetëm në vitin e parë të demokracisë. Ja, pra, që edhe në sport u dashka demokracia”. Vetëm 4 mijë vlonjatë në ditën më të bukur të “Flamurtarit”, të Vlorës, të historisë, të vetë vlonjatëve. Vetëm 4 mijë në ditën e realizimit të ëndrrës së madhe, të sa e sa brezave vlonjatësh e futbollistësh. Sa pak kur kujton se më shumë njerëz se kaq vinin në stadium në seancat stërvitore apo ndeshjet e kontrollit të ekipit. Sa pak kur kujton se më shumë njerëz se kaq e ndiqnin ekipin kur luante jashtë fushës së Vlorës. Vetëm 4 mijë vlonjatë. Një titull, me njërën këmbë në diktaturë e me këmbën tjetër në demokraci. Një titull i fituar në një moment të vështirë për Vlorën e Shqipërinë.
Në librër shkruhet për një kompozitor-futbollist, për një tifoz vlonjat të vdekur në stadium gjatë një ndeshje, për një mësues fizike, trajner, që bëri epokë në basketbollin shqiptar, për një kampione në not që punonte në “Frutore”, për vajzat me çitjane të volejbollit të Vlorës që sollën në qytet kupën e parë të Kampionit, për atletin-kampionin e Ballkanit që nuk e lanë ta përqafonin disa kosovarë në Greqi, për futbollistin që ditën e dasmës mbas ceremonisë, shkoi e luajti futboll, për basketbollisten që brenda ditës përcolli babanë e shkoi të luante ndeshjen e radhës, për ushqimet që solli me vete “Barcelona” e për shumë e shumë kampionë e ngjarje të tjera…Këto janë disa nga historitë e librit “Flamurtari” – 100 vutet e para”
Personazhet kryesore në libër janë vetë sportistët, kampionët, rezultatet e tyre, jeta sportive, kujtimet, fotot, garat, miqësitë sportive, trashëgimitë e titujve kampionë. Personazhet e këtij libri, janë personazhet më të bukur në botë, me jetën e kujtimet që deri edhe të tronditin. Ata nderonin qytetin edhe pse sistemi nuk i nderonte, i përcillnin prindërit, shokun e skuadrës, para fillimit të një ndeshje, të cilën nuk mund ta linin dot pa e luajtur, etj si këto.
“Flamurtari” i Vlorës ka qenë dhe mbetet një nga emrat e klubeve më të mëdhenj në Shqipëri për nxjerrjen e talenteve në çdo fushë sporti, ndërsa ka vite që shumica e sporteve kanë mbetur jashtë vëmendjes së pushtetit vendor. Për të ngjallur nostalgjinë e kampioneve dhe të sporteve të sukseshëm, ndoshta libri do të jetë një dokument me vlera historike me qëllim kthimin e vëmendjes tek disa sporte që Vlora i ka patur traditë e të sukseshme si futbolli, basketbolli, noti, mundja, peshëngritja, qitja e volejbolli.
Në libër paraqitet se si është zhvilluar jeta sportive në Vlorë në periudha të ndryshme, për të treguar rritjen e cilësisë sportive. Dhe të mendosh që gjithçka që u bë e bukur në vitet në vazhdim do të niste në këndin “Spartak”. Këndi i ngritur pranë teatrit të Vlorës, mund të konsiderohet “Olimpi” i kampionëve të Vlorës të atyre viteve, bashkë me këndin tjetër pranë tij “Eftiqi Baka”.
Historinë e një qyteti që mblidhej i gjithë fillimisht në këndet sportive të qytetit “Eftiqi Baka” dhe “Spartak” e në vazhdim në pallatin e sportit, brenda dhe jashtë tij, duke qarë nga gëzimi i fitoreve, duke u dridhur nga fitorja me koshin e fundit, pikën e fundit, tuçin e fundit, boksimin e fortë, rekordet në shtangë. Duke brohoritur spektaklin e vajzave e djemve të Vlorës, duke përkëdhelur sedrën vlonjate me fitoret përballë “17 Nëntorit”, “Dinamos” e “Partizanit”, duke duartrokitur edhe Fahrie Hotin, Faruk Kalleshin, Teodor Jankun, Edra Alibegajn e të tjerë kampion nga Shqipëria.
Duke u mbledhur gati të gjithë në sheshin e Flamurit e para “Kapeles” për të pritur deri vonë në agim kthimet fitimtare të ekipeve të futbollit e basketbollit të femrave nga fitore historike e kupash, jashtë e brenda vendit.
Duke kërkuar e kujtuar momente që i kisha përjetuar në fëmijërinë e rininë time, kuptoja se më kishte marrë malli për atë kohë, për atë atmosferë, për atë histori. Në këndin “Spartak” mblidhej i gjithë qyteti dhe kishte sytë e veshët e gjithë Vlora.
Mall e nostalgji ndeshja me këdo që i flisja dhe i tregoja për kërkimet e mia për përgatitjen e një libri me Kampionët e Vlorës.