Xhaçka: OSBE është një histori suksesi në Shqipëri!
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka takim me Sekretaren e Përgjithshme të OSBE, Helga Schmid
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka ka zhvilluar sot një takim me Sekretaren e Përgjithshme të OSBE, Helga Schmid.
Pas takimet ministrja Xhaçka dhe Schmid zhvilluan një konferencë të përbashkët për shtyp.
Xhaçka theksoi se, OSBE mbetet një partner i besuar dhe i rëndësishëm për Shqipërinë.
“OSBE ka një histori të gjatë në Shqipëri, që fillon në vitin e mbrapshtë 1997, por ajo mbetet ende sot, edhe pse Shqipëria është një realitet krejt tjetër nga ai i 97, një partner i besuar dhe i rëndësishëm për Shqipërinë që jep një kontribut të rëndësishëm në një sërë kauzash e reformash në vendin tonë”, tha ministrja.
Xhaçka informoi se, një nga temat kryesore të bisedës tonë ishte agresioni i paligjshëm rus kundër Ukrainës.
Ministrja u shpreh se, “konfirmuam edhe një herë qëndrimin e Shqipërisë ndaj agresionit të paligjshëm të Rusisë kundër Ukrainës. Ndamë pikëpamjen e përbashkët se sot më shumë se kurrë, OSBE nevojitet në Ukrainë. Në këtë kontekst, i jemi bashkuar edhe Programit të Mbështetjes së OSBE-së për Ukrainën sepse ajo që ndodh në Ukrainë, ka pasur implikimet e saj në të tre dimensionet e Organizatës”.
Xhaçka theksoi se, Shqipëria ka luajtur një rol të rëndësishëm diplomatik në Këshillin e Sigurimit dhe kudo që ka pasur një zë, për të mbështetur Ukrainën e për të izoluar Rusinë.
“Ne jemi anëtarë aktivë të grupit të Miqve për Llogaridhënie në Ukrainë, dhe kemi mbështetur e financuar “Mekanizmin e OSBE-së për Moskën”, si instrument i rëndësishëm në dokumentimin e provave, për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë në të ardhmen”, u shpreh ministrja.
Xhaçka tha se, këtë vit rajoni ynë ka një rol të posaçëm në OSBE pasi Maqedonia e Veriut është kryesuesja e radhës e OSBE-së për vitin 2023, çka padyshim e sjell rajonin dhe zhvillimet në të, në fokusin e Organizatës edhe më shumë se zakonisht.
Very glad to start my visit to??by meeting FM @xhacka_olta again
As former chair of 2020, Albania is a very active&trusted partner in @OSCE
?for Albania’s &your personal engagement on promoting regional cooperation& security
Looking forward to continue excellent cooperation? pic.twitter.com/7FgFAkBKU4
— Helga Maria Schmid (@HelgaSchmid_SG) March 24, 2023
Në fund ministrja i shprehu Schmid vlerësimin për kontributin që ajo dhe organizata nën drejtimin e saj kanë dhënë në avancimin e barazisë gjinore dhe të Axhendës Gratë, Paqja dhe Siguria.
Ajo tha se, këto tema janë edhe prioritete të Shqipërisë në politikën e saj të jashtme dhe gjatë mandatit të saj në Këshillin e Sigurimit.