Xhaçka: Karta SHBA-Adriatik (A5) i ka shërbyer bashkëpunimit rajonal në fushën e sigurisë!
Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, mori pjesë në punimet e Ministerialit SHBA-Karta e Adriatikut (A5).
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, gjatë vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut, ka marrë pjesë në punimet e Ministerialit SHBA-Karta e Adriatikut (A5).
Ministrja Xhaçka theksoi se Karta SHBA-Adriatik (A5) i ka shërbyer procesit të integrimit euroatlantik dhe forcimit të bashkëpunimit rajonal në fushën e sigurisë, teksa nënvizoi nevojën për rritjen e mëtejshme të këtij bashkëpunimi, veçanërisht në situatën aktuale të rajonit pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës.
“Për të qenë plotësisht e suksesshme, Karta duhet të respektojë plotësisht formatin e saj të pakufizuar. Kjo nënkupton zgjerimin e Kartës me ato vende të rajonit që janë politikisht të gatshëm t’i përmbahen nismës sonë. Që nga viti 2014, kur Kosova zyrtarisht aplikoi për anëtarësim në Kartë, kjo ka qenë një nga pikat e dobëta të kësaj iniciative të suksesshme. Pra, ne besojmë se në mënyrë që iniciativa jonë të mbetet e shëndetshme dhe e qëndrueshme, nuk mund ta lejojmë të mbetet peng i pozicioneve bllokuese”, tha ajo.
Kryediplomatja shqiptare theksoi nevojën për rritjen e bashkëpunimit rajonal që synon sigurinë energjetike, duke e cilësuar këtë të fundit si një element thelbësor të qëndrueshmërisë rajonale dhe kombëtare.
“Shqipëria mund të kontribuojë në diversifikimin e furnizuesve të energjisë në rajon dhe në Evropë duke sjellë një kontribut të rëndësishëm në çlirimin e saj nga varësia e Rusisë. Jemi të bindur plotësisht se rruga e integrimit euroatlantik është rruga e duhur për Ballkanin Perëndimor. Integrimi evropian është veçanërisht i rëndësishëm për demokratizimin e mëtejshëm, konsolidimin e institucioneve dhe veçanërisht forcimin e shtetit të së drejtës. Këto, si dhe respektimi i plotë i të drejtave të njeriut dhe të pakicave, janë vlera themelore që Shqipëria mbetet e vendosur për t’i ruajtur dhe mbrojtur”, u shpreh ministrja Xhaçka gjatë fjalës së saj.
Punimet e nismës SHBA-Karta e Adriatikut (A5) u zhvilluan në tre sesione të ndryshme, të fokusuara kryesisht në forcimin e bashkëpunimin rajonal, mbështetjen ndaj Ukrainës, si dhe sfidat aktuale të sigurisë dhe ekonomisë në rajon