Dy ushtarakë shqiptarë në operacionin e NATO-s në Irak
Misioni i ushtarakëve është këshillimi i institucioneve të sigurisë së Irakut, në lidhje me menaxhimin e burimeve njerëzore
Këshilli i Ministrave vendosi në mbledhjen e sotme dërgimin e dy ushtarakëve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në shtabin e koalicionit FOB UNION III, në operacionin e NATO-s në Irak (NMI), në Bagdad, Irak.
Misioni i ushtarakëve është këshillimi i institucioneve të sigurisë së Irakut, në lidhje me menaxhimin e burimeve njerëzore, analizimin e trajnimeve të nevojshme dhe identifikimi i mangësive, si pjesë e mësimeve të nxjerra.
Kohëzgjatja e këtij operacioni është deri në 3 vjet, afat i cili llogaritet nga data e dërgimit të ushtarakëve të parë në operacion. Periudha e qëndrimit është me sistem rotacioni në çdo 6 muaj, periudhë së cilës i shtohen edhe ditët e qëndrimit për ndërrimin me kontingjentin e radhës (marrjen dhe dorëzimin e detyrës, vonesa të transportit strategjik).