Vincent van Gogh dhe tablotë Luledielli!

(Me rastin e datëlindjes së meteorit në historinë e artit)


Nga Dr. Bledar Kurti

“Dhoma u mbush me qetësinë e thellë të netëve të Overit.
Aty nga ora dy, Vinsenti ktheu lehtë kokën mënjanë dhe belbëzoi:
Tani, Teo, do të desha të vdes.
Aty e pas pak minutash mbylli sytë.
Teoja e ndjeu se i vëllai po e linte, po e linte përjetë.
Teoja shkoi në Paris. Po helmi për vdekjen e të vëllait e hante, e brente pareshtur ditë e natë, çdo orë, çdo çast.
Truri i tij s’e duroi dot tërë atë hidhërim ….
Dhe plot gjashtë muaj nga vdekja e Vinsentit, ja dhe Teoja vdiq.”

Kjo ishte mbyllja e romanit Etja Për Jetë, e Irving Stoun, e botuar në shqip në vitin 1988, një vepër e cila gjatë frymëmarrjes së fundit të regjimit komunist, na mundësoi edhe ne fëmijëve, e padyshim edhe prindërve, ende nën shtetrrethimin ndaj universit të artit, të mësonim më shumë për jetën dhe veprat e Vincent van Gogh (1853-1890). Ky roman me ilustrime na mahniti me riprodhime të veprave të tij. Përmes tyre u trishtuam me Ngrënësit e Patateve, u identifikuam me Fshatare Duke Korrur, u yshtëm nga qielli vorbullues i Udhë Pranë Nuenenit, u prekëm nga Dhoma e Vinsentit në Arl, qamë kur menduam se artisti kishte pikturuar këpucët tona të grisura tek vepra Këpucët, u ndriçuam në kthinat e thella të frikës diktatoriale nga hëna dhe yjet vezullues tek tabloja Natë Me Yje, dhe u prekëm, me një ndjesi të pa përjetuar, me veprën Luledielli.

Dhjetë vjet më vonë, teksa ecja në korridoret e rënda të Galerisë Kombëtare në Londër, edhe pse kaloja përmes Leonardos, Michelangelo, Raphael, Renoir, Picasso, e shumë mjeshtra të tjerë të artit, këmbët më nxitonin për nga ajo: Luledielli. Përjetimi im i parë me veprën që më kishte magjepsur që në fëmijëri.

E verdhë. Diku edhe më e verdhë. Një sfond i verdhë. Petale të verdha. Boçe me të verdhë të errët, në okër. Vazo e verdhë. Nënshkrimi me blu, e ca njolla jeshile për ta bërë të verdhën të duket edhe më e verdhë. Ndjesi e verdhë. Dritë. Diell. Jetë.

Vincent van Gogh pikturoi dymbëdhjetë të tilla. Në dukje të ngjashme por të ndryshme në përmbajtje e në trajtim. Ai nuk i titulloi kurrë tablotë si luledielli, por ne i njohim si të tilla duke i dalluar sipas vendit ku janë të ekspozuara, si Luledielli i Londrës, Amsterdamit, Mynihut, Tokios, dhe Filadelfias.

Van Gogh nisi të pikturonte vonë. Ai ishte tridhjetë vjeç kur nisi të ndiqte rrugën e pikturës. Por, u nda nga jeta tridhjetë e shtatë vjeç, duke patur kështu vetëm shtatë vjet krijimtari, por falë së cilës la një trashëgimi të jashtëzakonshme në art, dhe një stil të patjetërsueshëm.
Van Gogh konsiderohet si një meteor në botën e artit, u duk vetëm për pak kohë por me një rrezatim të madh.

Deri në moshën tridhjetë vjeçare Van Gogh ishte një dështim i gjallë. Nuk arriti të kishte sukses në asgjë që bënte. Bir i një pastori protestant, edhe vetë ai synonte të bëhej i tillë, e madje punoi si pastor jo profesionist në Angli dhe Belgjikë, mes minatorëve. Ai vendosi të bëhej piktor. Vëllai i tij i vogël, Theo, i cili punonte në një dyqan veprash arti e njohu me piktorët impresionistë. Veprat e tij të para janë të errëta, plot shpirt por pa ngjyrë. Me të shkuar në Paris, Van Gogh u njoh me impresionistët dhe kuptoi diçka që sot mund të mendohet si e paimagjinueshme dhe e thjeshtë, por për kohën ishte revolucionare: forca e ngjyrave. Për herë të parë bojërat nisën të shiteshin me tubeta, dhe me një shumëllojshmëri nuancash. Ndaj Van Gogh ashtu si Claude Monet dhe të gjithë impresionistët e tjerë, i përdori të gjitha lirshëm dhe guximshëm.

Bojërat me tubeta ishin produkt i industrializimit. Ideja lindi nga një piktor i panjohur amerikan John G. Rand i cili jetonte në Londër në vitin 1841. Ashtu si të gjithë piktorët Rand përpiqej të ruante bojërat nga tharja përpara se mund t’i përdorte sërish. Në atë kohë, ruajtja më e mirë e bojës ishte fshikëza e derrit e mbështjellë e mbyllur me spango; artisti do e shponte fshikëzën me një thumb për të marrë bojën. Por nuk kishte asnjë mënyrë për ta mbyllur krejtësisht vrimën më pas. Dhe fshikëzat nuk ishin të rehatshme për të udhëtuar, e shpeshherë shpërthenin. Ndaj Rand i lindi një ide revolucionare: tubi i bojës. I bërë nga kallaji dhe i vulosur me një kapak vidhosës, tubeta e shpikur nga Rand ruhej gjatë, nuk rridhte dhe mund të hapej e mbyllej në mënyrë të përsëritur.

Kjo shpikje i mundësoi artistëve të dilnin në natyrë e të pikturonin, duke udhëtuar në vende të ndryshme, e duke përshkruar tematika të ndryshme, dhe padyshim që Van Gogh e shfrytëzoi këtë mundësi në mënyrën më të mirë duke pikturuar peizazhe të jashtëzakonshme, nën qiell e nën diell, në fusha e rrugina, ditën edhe natën.

Van Gogh dëshironte shpirtërisht një art të pa koklavitur që t’i jepte ngushëllim e gëzim çdo qenieje njerëzore. Ai përdorte pikat dhe vijat me ngjyra të papërziera, për të përcjellë gjendjen e tij shpirtërore të trazuar. Asnjë artist tjetër nuk e kishte përdorur gjendjen shpirtërore si një mjet me një koherencë dhe efekt të tillë. Veprat e tij shpalosin trazim. Në to, qielli nuk është kurrë i qetë por vorbullues e dinamik; bari është në lëvizje sikur po vallëzon me erën; lulet duken sikur çelin përpara syve të shikuesit; nata rrezaton porsi dita, e dita duket më e dielltë sesa vetë dielli. Edhe figurat njerëzore duken në lëvizje edhe kur qëndrojnë ulur, sikur gjaku e vetë jeta refuzon të qëndrojë e vdekur dhe frigjide si tek modelet ashtu edhe tek sytë e shikuesit të tablove.

Ka ballo e gosti ngjyrash në pikturat e Van Gogh, por ka edhe vallëzim të një ngjyre të vetme, siç e shohim në tablotë e mrekullueshme të Luledielli. Tonalitete dhe festë e së verdhës. Jetë që buron nga lule të vdekura. Jetë vdekje. Vetëm Van Gogh mund ta arrinte këtë koncept paradoksal duke e bërë të pranueshëm për sytë e njerëzimit.

Sa herë që flitet për luledielli, apo nëse syri shikon luledielli, mendja menjëherë të shkon tek Van Gogh, dhe sigurisht nisim e buzëqeshim me zemër, shtyrë nga pasioni jetik që transmetojnë tablotë e tij të luledielli, por rrallëherë njerëzit kuptojnë se ato lule janë të vyshkura, dhe në vetvete subjekti është vdekja. Dhe pavarësisht se në dukje tablo të tilla duken thjesht si natyrë e qetë, ato përmbajnë bindje të thella. Dhe tablotë Luledielli të Van Gogh mbartin bindjen e thellë, besimin, dijen dhe botëkuptimin e artistit mbi njeriun.

Van Gogh ishte bir i një pastori protestant kalvinist, dhe vetë ai ishte i tillë. Kalvinistët e kanë në kredon e besimin atë që njihet si “prishja totale” që nënkupton se njeriu është qenie e vdekur, mëkatare, e paaftë të shpëtojë veten, dhe pa ndërhyrjen hyjnore të Perëndisë humbet në terrin e përjetshëm. Por nga kjo qenie e prishur, e shkatërruar dhe e vdekur, me prekjen hyjnore mund të ndriçojë jeta, e cila si në çdo gjallesë të botës vjen nga dielli, ndaj edhe nga lulet e vdekura të Van Gogh ne shohim një rrezatim jete. E gjithë seria e tablove Luledielli përçojnë jetë nga një subjekt i vdekur. Ato shpalosin historinë e shpëtimit të njeriut.

Van Gogh krijoi dymbëdhjetë të tilla, dhe kjo nuk është rastësore, pasi dymbëdhjeta përfaqëson numrin e apostujve dhe numrin e orëve të ditës me diell.

Cili arrin ta shikojë që jeta jonë në fëmijëri, rini dhe burrërinë e hershme, jeta e kënaqësive dhe kotësive të botës, është tharë e fishkur, ashtu siç duhet të vyshket e vdesë – dhe kështu do të ndodhë, ashtu si lulet bien nga pemët – e cili arrin ta shohë që ne marrim një jetë të re, me plot forcën e vet, një jetë e mbushur me dashurinë e Krishtit dhe me një trishtim që nuk i shkakton pikëllim askujt, një lloj trishtimi hyjnor.

Dhe janë këto fjalë të Van Gogh në letrën drejtuar të vëllait, Theo, që japin interpretimin më të mirë të tablove Luledielli. Trishtim hyjnor, shprehet ai, dhe ne arrijmë ta shohim e ndiejmë këtë.
Një besimtar i devotshëm, Van Gogh kalonte netët duke lexuar Biblën, por duke shmangur socializimin me njerëzit, ai nisi të tregonte një personalitet të vështirë shoqëror me miqtë e paktë dhe bashkëpunëtorët e mëvonshëm.

Ndryshe nga Rembrandt i cili nuk la asgjë të shkruar dhe përdori autoportretet si biografi, Van Gogh na ka lënë sot mbi tetëqind letra të cilat bëjnë të njohur më së miri natyrën dhe personalitetin e tij, komente për veprat që pikturonte, dhe histori e aspekte nga jeta e tij që nuk do kishim patur mundësinë kurrë t’i mësonim. Ne sot arrijmë ta njohim Vincent van Gogh me fjalë dhe imazh, pasi letrat dhe veprat e tij e shpalosin artistin ashtu siç ai ishte në të vërtetë.

Në një nga letrat e tij ai shprehet se “mendoj se piktura e fshatarëve duke ngrënë patate … është më e mira nga veprat e mia.” Dhe, padyshim ajo është një vepër e shquar por madhështia e tablove Luledielli lë disi në hije veprat e tij të mëparshme. Van Gogh pikturoi luledielli për të zbukuruar dhomën e mikut të tij Paul Gauguin. Van Gogh ishte shumë i dhënë pas artit japonez dhe me idenë e kolonisë së artistëve japonezë të cilët sipas tij udhëtonin së bashku e pikturonin së bashku, u shpërngul në Arl, në jug të Francës, duke u bërë ftesë të gjithë artistëve të shkonin në shtëpinë e tij, e njohur si Shtëpia e Verdhë, për të pikturuar së bashku. Teksa priste Gauguin, ai ngjyrosi me të bardhë muret e dhomës ku do qëndronte Gauguin dhe për ta zbukuruar atë Van Gogh pikturoi dy versione të Luledielli.

Ardhja e Gauguin në Arl është historike. Jo vetëm për ndikimin artistik dhe prodhimin e veprave por edhe nga aspekti personal. Gauguin qëndroi vetëm tre muaj dhe për të ishte një përvojë e tmerrshme pasi të dy kishin pëlqime të ndryshme, dallonin në stilin e pikturës, dhe ishin tërësisht dy personalitete të ndryshme. Dhe, një incident i tmerrshëm do ndryshonte rrjedhën e jetës së Van Gogh, i cili më 23 dhjetor 1888, në prag Krishtlindje, preu veshin e vet, e më pas shkoi në një bordello, dhe llapën e prerë të veshit, të mbuluar me një shami, ia dha një prostitute. Me t’u kthyer në shtëpi ai humbi ndjenjat. Policia e gjeti aty dhe e dërgoi në spital. Që nga ajo kohë dy artistët nuk u takuan më kurrë. Por, vite më vonë, teksa jetonte larg, në Paqësorin e Jugut, vetë Gauguin bëri disa piktura të lulediellit, si homazh i qartë ndaj mikut të tij të dikurshëm.

Dr. Bledar Kurti dhe tabloja më e njohur e Vincent van Gogh

Pas incidentit me prerjen e llapës së veshit me brisk, Van Gogh pikturoi një autoportret me veshin e fashuar, tablo e cila gjendet sot në Courtauld Gallery, Londër.

Pas daljes nga spitali Van Gogh nisi të vuante nga paranoja dhe u spitalizua sërish. Tashmë Van Gogh konsiderohej zyrtarisht “i çmendur.” Pas një periudhe paqëndrueshmërie mendore dhe emocionale, Van Gogh u kthye në Paris në dukje i shëndetshëm dhe në formë. Por pas një ndërprerje së pikturuari për shkak të luhatjeve mendore ai vendosi të shpërngulej në Auvers, një qytezë në rrethinat e Parisit, një vend i qetë dhe i përshtatshëm për të. Aty ai u njoh me doktor Gachet tek i cili ai gjeti një shpirt të ngjashëm, të ndjeshëm dhe miqësor, dhe i bëri dy portrete. Në Auvers, Van Gogh pikturoi 80 tablo brenda dy muajsh, më shumë sesa një në ditë. Në to dallohet një qasje më vrojtuese dhe e afërt e natyrës, duke theksuar aspektin e bukur të gjërave.

Në verën e vitit 1883, Van Gogh shkroi një letër profetike drejtuar të vëllait të tij, ku theksonte se i kishin mbetur edhe gjashtë deri në dhjetë vite jetë:

Unë jo vetëm që nisa të pikturoj relativisht vonë, por përveç kësaj nuk e besoj se kam edhe shumë vite jetë përpara meje …
Ndaj, për sa i përket kohëzgjatjes së punës që më pret në të ardhmen, unë besoj se mund të them pa e ekzagjeruar: se trupi im do të durojë edhe pak, për një numër të caktuar vitesh – rreth gjashtë deri në dhjetë vjet më shumë.

Dhe kështu ndodhi vërtetë. Saktësisht shtatë vite më vonë, më 27 korrik 1890 Van Gogh qëlloi veten me revolver. Doktor Gachet nuk mund t’ia hiqte plumbin për shkak se do vdiste me siguri ndaj vetëm sa mbeti në pritje të një mrekullie. Dhe, pavarësisht refuzimit të Van Gogh, doktori njoftoi të vëllain Theo, i cili me të mbërritur të nesërmen e gjeti artistin të shtrirë qetësisht në shtrat. “Sa do doja që të përfundonte gjithçka tani,” i tha Vincent.
Vincent van Gogh vdiq më 29 korrik e u varros të nesërmen. Emile Bernard, një piktor impresionist dhe mik i Van Gogh në një letër të tij e përshkruan kështu varrimin:

Vëllai i tij, Theodore van Gogh ishte aty së bashku me Dr Gachet… Arkivoli ishte tashmë i mbyllur, e unë arrita shumë vonë për ta parë përsëri njeriun që, katër vjet më parë, më kishte lënë me pritshmëri të mëdha …
Në dhomën ku ishte vendosur trupi i tij, të gjitha pikturat e tij të fundit ishin varur në mure si një aureolë për të, dhe madhështia e gjeniut që rrezatonte prej tyre e bënte atë vdekje edhe më të dhimbshme për ne artistët që ishin aty. Arkivoli ishte i mbuluar me një rrobë të thjeshtë të bardhë dhe mbi të kishte shumë lule, luledielli që ai i donte aq shumë, gjeogjina të verdha, e lloj-lloj lulesh të verdha gjendeshin kudo. Siç duhet ta mbash mend, ajo ishte ngjyra e tij e preferuar, simbol i dritës që ai ëndërronte, si në zemrat e njerëzve, si dhe në veprat e artit.
Pranë tij në dysheme, përballë arkivolit, ishte kavaleti, stoli portativ, dhe penelët e tij.

Vincent van Gogh dhe vëllai i tij Theo, mbetën të pandarë edhe në vdekje. Nga dhimbja dhe trishtimi, Theo vdiq gjashtë muaj më vonë. Bashkëshortja e Theo, tashmë vejusha Jo, mbeti e vetmja familjare e cila bëri të mundur që veprat e Vincent van Gogh të njiheshin në mbarë botën. Dhe suksesi që ajo arriti, sigurisht, sot ka hyrë në histori.

37 vjeçar, i shuar nga jeta në të njëjtën moshë me mjeshtrin e Rilindjes, Raphael, Vincent van Gogh, simbol i post-impresionizmit, meteori i artit botëror, gjatë jetës nuk arriti të kishte famën dhe njohjen që meritonte. Nga mbi 900 vepra ai shiti vetëm një tablo, Vreshtat e Kuqe në Arl, e cila gjendet në Muzeun Pushkin në Moskë. Sot, veprat e tij janë më të shikuarat, admiruarat, e vlerësuarat në mbarë botën, dhe tablotë luledielli vazhdojnë të mahnitin njerëzimin me trishtimin e tyre hyjnor, të cilat reflektojnë gjendjen vdekatare të njeriut, të sjellë në jetë nga Hyji përmes diellit, drita jonë e përjetshme, e të dhuruar ndaj nesh përmes artit.

Integrimi në BE, Hasani: Shqipëria në fazë të avancuar, të ruhet ritmi

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, priti në një mëngjes pune përfaqësuesit e vendeve të formatit “Miqtë…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Integrimi në BE, Hasani: Shqipëria në fazë të avancuar, të ruhet ritmi

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, priti në një mëngjes pune përfaqësuesit e vendeve të formatit “Miqtë…