Vera Vasia sjell “Sikur”, një roman për ëndërrat e grave të vetmuara!
Vera Vasia është autore e 8 romaneve, 5 vëllimeve me tregime dhe 2 novelave
Nga Bujar Qesja, “Mjeshtër i Madh”
Vera Vasia një emër dhe mbiemër i njohur për mua. Jemi moshatarë, kolegë në publiçistikë, por edhe të punësuar në një organizatë në fillimet tona të para. Koha, jeta, mundësitë e përshtatjes, na dhanë drejtime të ndryshme, por ruajtëm miqësinë dhe shoqërinë e pastër të rinisë. Krejt rastësisht u takuam me Verën dhe vëndin e përshëndetjes, e zuri botimi i një libri.
-Ta kam ruajtur librin “Sikur” që është një roman ese, rrëfenjë për ëndërrat e grave të vetmuara. Po pate, kohë hajde më shoqëro që ta dhuroj.
Jeta ime është krejt ndryshe. Por edhe e Verës krejt ndryshe. Por kur takohemi, jemi të ndjeshëm në respektin e ruajtur ndaj njëri tjetrit dhe biseda e pak minutave na shlodh dhe na hedh në krahët e shoqërisë së hershme, kur emrat tanë po zinin vënd në faqet e gazetave. Por Vera është me hapa më të hedhura, në atë që quhet krijimtari letrare. Shkruante poezi. Por edhe prozë jo pak.
Urtësia e shoqes time, ishte si një kohë pa erë dhe mbetej pak si e hermetizuar në botën e saj. Zoti i dha katër fëmijë si yje të shndritshëm. Dhe kjo më gëzon. Irida, Denisi, Klodiani dhe Flonia. Irida mbaroi në Rumani dhe u specializua për gazetari, Denisi me dy fakultete Akademinë e Rendit dhe Juridik, Klodiani edhe ky me dy fakultete shkencat sociale dhe Juridik dhe Flonia arkitekturë.
Dhe m’u kujtua një frazë e njohur: “Familja nuk është burri, por fëmijët”. Jam gëzuar shumë për këtë Verë të fortë në jetë dhe sidomos për kryeveprat e saj katër fëmijë të mrekullueshëm, të ndjekur me nipër dhe mbesa. Krijimtaria mbetet fëmija i pestë i Vera Vasisë. Është ëndërra e saj. Është pasioni dhe vullneti më i formuar dhe më i qendrueshëm.
Me shaka i fola:” Pa bukë mund të qendrosh Vera, por pa shkruajtur jo”.
Dhe mora librin e 15-të të Vera Vasisë “Sikur” roman –ese. Verën e njoh mirë në vitet e shkollës, të ulët, të mesme dhe të lartë. Në gazetë ku punuam së bashku dhe më tej në atë organizatë të masave. Por kisha mbetur larg krijimtarisë së saj, veshur me magjinë e një shpirti të pastër e zemër të ndjeshme. Nuk jam unë që përcaktoj, aq më pak të bëj edhe renditje. Por siguria fle brenda meje dhe ma lëviz mendimin m’u në atë që quhet ndjesia ime, se Vera Vasia është zëri më aktiv i zonjës së lartësuar nga krijimtaria goditëse, me avantazhin dhe përparësinë që ia dhuron aftësia e saj.
Nuk dua të mbetem absolut, por ma do mëndja se Vera Vasia me 15 librat e botuara, është e para që troket me muzën e saj, duke hedhur gjithashtu e para hapin në hapësirën stërmadhe të frymëzimeve durrsake dhe mbase jo vetëm këtu.
Vera Vasia është autore e 8 romaneve: “Një skenar për Entin”, “Asgjë zonja Antonetë”, “800 euro urrejtje”, “Letra nga Qielli”, “Nusja e Këmbanës”, “Rruga e ujit”, “Yjet janë larg”, “Sikur”, të 5 vëllimeve me tregime: “Vallëzimi i gjethes”, “Fustani i Polinës”, “Disko në kohë lufte”, “Të vrasësh një grua”, “Qershitë e Dimërit” dhe të 2 novelave: “Pesë ditët e Najas” dhe “Peshkaqeni i natës”.
Këto nuk i dija. I mësova dhe jam i ngacmuar, t’i ndaj së bashku me ju. Pas kësaj, do të merrem me romanin më të fundit të Verës “Sikur”, që mbetet shumë i veçantë në llojin e vet. Është shprehje e fuqisë, apo potencës krijuese, befasuese të kësaj Vere ende të fortë për të na dhënë atë që nuk e dimë, duke e barazuar me freskun joshës në ditët përvëluese të verës.
Romani “Sikur” e Vera Vasisë, është rrëfenjë për ëndërrat e grave të vetmuara. Nga mënyra se si është konceptuar dhe realizuar kjo vepër letrare, avancon pozicionet krijuese të kësaj autoreje, duke i vendosur në lartësi befasuese. Ajo ndërton në imagjinatë burrin e ëndërrave, që do ta dëshironte çdo grua, qofshin edhe ato të martuara. Dhe më duhet të marrë që në fillim të shkrimit një pasazh, ku lexuesi ti ofrohet sadopak konceptit logjik dhe përfytyrues të Vera Vasisë.
“…Fytyra jote është më e re se e imja, e megjithatë më pëlqen që më sheh. Më krijon një ndjesi të ëmbël, të mirë dhe pse jemi shumë larg njëri tjetrit.
As të njoh dhe as më njeh.
Jam mësuar të të shoh çdo ditë.
Tani mëngjesi nuk më vjen i vetmuar, sepse rruga ime ecën në rrugën ku je ti…ku do të jesh nuk e di se sa, sepse je në shërbim të dikujt, je pa vendndodhje.
Nuk do t’a mendoj ikjen tënde, por do të më vijë keq.
Gjithsesi do të mbetesh tek unë.
Po shkel tokën dhe s’të njoh.
Unë kam veshur një këmishë të verdhë.
Syri im s’të ndesh dhe marr një kthesë të vogël, të vogël,
Aq sa për të dalë, në zhurmë mëngjesore të rrugës së madhe”.
Vera sikur të merr për dore dhe t’i ndjek ecuinë e një gruaje, në përmbajtjen e jetës së saj, në përditshmëri apo vijimësi.
Dhe Vasia nënvizon:” Me vete them: Unë jam dashuruar me rininë time”. Është modeli që kërkohet, apo tjetër qasje që ti ofrohet me se mundet. Në shtëpi, në treg teksa psonis, në shëtitje kur është me shoqet, në biseda, në kafenë e mëngjesit, në gjumë, kur ngrihet nga shtrati, kur udhëton me urban, i bëhet se e ndjek imazhi i përkryer i burrit që do të donte.
“Nuk e di emrin tënd dhe as ti nuk e di emrin tim”. Mbetet anonim ky burrë, veçse imagjinata, trilli lëviz në kufijtë e realitetit, të të prekshmit, të personit që ka në dorë ti japë jetë jetës së një gruaje. “Unë kam nevojë të më dojë dikush”. Është më se e natyrshme të ndodhë kjo. Ja që në përditshmëri, mangësia është e dukshme.
Hapsira imagjinare e Vera Vasisë, është e pa cak. Bota është e saja në mënyrën se si e vendos dashurinë, si simbolikë dhe si realitet i argumentimit. Figuracionet për të mbajtur në këmbë mesazhet humane dhe njerëzore që hedh në këtë vepër Vasia, janë klasi i konfirmimit të vlerave artistike dhe krijuese të kësaj zonje të thekur të letërsisë.
Vasia ndërton një lloj absurdi, që në filozofi i referohet konfliktit, midis prirjes për të kërkuar vlera dhe kuptimit të qenësishëm në jetë dhe të paaftësisë njerëzore për t’i gjetur ato. Këtu i shtohet paksa edhe abstraksioni i autores, dëshira ndoshta e parealizuar por e kërkuar me ngulm, për burrin që t’i plotësojë gruas atë që është më e bukura, më e kërkuara, pse jo dhe më idealia. Dhe pozicioni i Vasisë mbetet pak stepës, me përmasat e ngurrimit dhe të frikës, por pa e zbehur dëshirën duke joshur sentimentin.
“Frika është ndjesi.
Frika bëhet e vërtetë kur mendojmë ndryshe, jo se s’jemi, por se jemi.
Nuk të kam parë disa ditë.
Malli rritet më shumë se frika.
Malli i ngjan një lypësi, që kërkon si lëmoshë njeriun.
Jam veshur me ca rroba si krahët e fluturës, që u mbut në gjethet e luleve.”
Figuracionet e rralla dhe më lëng, shprehjet e ndërtuara mbi baza artistike të avancuara, duke të nxitur kërshërinë për të lënë pas, rradhë të lexuara me shpejtësinë më të mundshme. Romani “Sikur” për nga abstrakti i temës, ka nxitur jehonën në lexuesin selektiv, që janë kategoria e grave të vetmuara, mbase edhe të grave të braktisura, mbase edhe të grave që e kanë bashkëshortin, por jo shumë këtu se sa në ato dy të parat. Nuk kalohet lehtë kjo vepër në lexuesin me shtrirje horizontale, pra gjithëpërshirëse. Vera Vasia e “ndan” lexuesin, për vetë kufizimin tematik që merr përsipër krijesa letrare.
“Gjumi me zë, në qetësinë e tij të lodhur”. Është tjetër goditje dhe surprizuese e figuracionit të gjetur, e veshur me fuqinë e shkëlqimit të frazës, që e bën Vasinë të rritë konkurencën në terrenin e krijimtarisë së mirëfilltë, ku në krye dalin mëndimet e sprovuara të narracionit.
“Gratë e mira, që lotin e nxjerrin nga gjaku i tyre… “. Kalojmë nga faqja në faqe dhe mbajmë frymën. Lotët të dala nga gjaku! Brenda këtyre 19-të gërmave është dhënë shumë, shumë më shumë nga ç’mund të mendohet. Befasi, fantazi krijuese, abstraksione që tentojnë me sa mundin të fusin në kurth edhe realitetin. Frymëzimi i Vera Vasisë vjen i pandalshëm, i fuqishëm, si “ujëvara që këndon e lumtur, kur përqafohet me lumin”.
“Pakti im është ndryshe.
Gabon kur tregon gjëra që duhen harruar…
Ai që harron fiton, ai që humbet,
Nuk duhet të kujtojë.”
Kalon si një prozë poetike jo në pak raste, rrëfenja e fundit e Vasisë. E formuar artistikisht, por edhe si moshë e tejrrahur me vështirësitë, duke kaluar jo pa sukses pusitë e jetës, Vera Vasia jep shembullin e kalimit të lavdëruar, të labirintheve delikate dhe shumë të vështira të krijimtarisë.
“Një re mori pamjen e syrit,
Ndërsa harku i qiellit, u bë si vetull.”
Goditje të tilla janë pa fund, në romanin prej 130 faqesh “Sikur” të Vera Vasisë . Shpalos kjo autore e regjur dhe robinë prej më shumë se 50 vitesh e letërsisë, kurajo, forcë logjike, argumentime të parrëzuara, abstraksione që e tentojnë realitetin. Dhe mbi gjithçka figuracione të rralla, me lëng të magjishëm, marrë nga mjalti i talentit të saj të fuqishëm. Ja disa:
“ Vullkani mban brenda tij një llavë të nxehtë, pafundësisht të fuqishme. Kjo është gruaja”. “Dashuria e një gruaje nuk është histori, tradhëtia e një burrri tregohet si histori.” “Fantazinë e përdor për të treguar, jo për të dashuruar”. Të lesh vetëm një grua, është njësoj si të lesh vetëm një fëmijë”. “E vetmja që vdes nga rasti, është dobësia”.
Janë faqe të “Sikur”, që nuk mund t’i kalosh lehtë. Janë nga ato faqe, kur mendon se i ke lënë pas, rikthehesh, pasi të duhet të ndalesh tek mesazhet, t’i prekësh dhe t’i kuptosh ato. Jam i ndjeshëm nga ato që lexova tek “Sikur” dhe pa e tepruar në atë që shprehem, më është dashur me laps në dorë të bëjë jo pak për të mos thënë shumë nënvizime. Është nga librat e rrallë që kam inventarizuar në kujtesë, që nga faqja e parë e deri tek e fundit, nuk e kam ndarë lapsin nga dora.
Lexoja, ndalesha dhe më dukej se Vera Vasia më shikonte për të më thënë:
-Si të duket libri i shoqes tënde dhe të ma tregosh këtë pa më të voglin favorizim?
Eh Vera, sa kohë më paska kaluar pa u ndeshur, me këtë surprizë të merituar! Sa e thjeshtë dhe modeste ke qenë dhe vazhdon të mbetesh! Sa e nevojshme është kjo krijimtaria jote në këtë shoqëri, që e quajmë të lirë! Sa ndihmesë të madhe ke dhënë me “Sikur” për gratë, e theksoj për gratë në tërësi, por ato të vetmuara nuk diskutohet më shumë!
Nuk mund të ndaj edhe frymëmarrjen tënde, për ta patur motiv kryesor në këtë roman, pavarësisht se nuk është marrë si indicie e jetës që ke konsumuar, kur shkruan dhe nënvizon:
“…Ky është një motiv që ta dhuroj me zemrën time në zemrën tënde, pa fustanë e këpucë luksi, pa bileta avionësh për udhëtime turistike, pa vlerën e asgjëje, që është, por që je ti. Nuk të njoha kurrë, ashtu si duhet dhe përsen nuk njoh. Mbete një ëndërr për mua…ashtu si gjithmonë prapa xhamit. Por , mos m’u largo!”
Dhe kalon tek tjetër gjykim i fuqishëm: “Është prani tejet e madhe, vetja jote.” Fatlumtur ajo ditë, që më dhurove “Sikur-in” tënd mahnitës. I gëzuar jo vetëm që e lexova pa e ndalur frymën, por i lumtur veçanërisht, që kalova në publik mendime për këtë libër të 15-in tënd.
Dua ta mbyll këtë shkrim, shumë i veçantë në krijimtarinë time, me shprehjen e çiltër të një gruaje, për t’ë patur dashurinë më të bukur, më ëndërruese, më të kërkuar:
“Kur të ngrihesh mund të pish edhe çajin tim. Unë jam duke fluturuar fushës, për të soditur zgjimin e diellit. Jam më mirë, se nga çdo ditë tjetër.”
——————
Durrës: 30 mars 2023