Jetimja e harruar!

Historia që 20 vjet më parë, më nxiti të ideoj dhe të nxis në Kuvendin e Shqipërisë, nismën për të shpallur dhe jetësuar 20 Majin si “Dita Kombëtare e Jetimëve”


Nga ILIR ÇUMANI

– Historia që 20 vjet më parë, më nxiti të ideoj dhe të nxis në Kuvendin e Shqipërisë, nismën për të shpallur dhe jetësuar 20 Majin si “Dita Kombëtare e Jetimëve” –

“Padashur pashë emrin tënd të shkruar/, Në gurin e një varri të vithisur/, Nga mendja ime ishe krejt i shuar/, Si një qiri i vjetër i braktisur…/”.

Nuk e di përse këto vargje të poetit të madh Dritëro Agolli më erdhën ndërmend, tek po meditoja i përhumbur me dhimbje, pranë një varri të ndodhur në periferi te Sarandës, qyteti më jugor i Shqipërisë.

Në pjesën veriperëndimore, ndodhen varrezat e këtij qyteti të vogël bregdetar. Aty është edhe varri i nje vajze jetime, historia e të cilës është tejet e dhimbshme.

Quhej Xhuliana Luli. Ajo, kurrë nuk e pati fatin të rritej si të gjithë bashkëmoshatarët e tjerë.

Papritmas, jeta e saj u këput në mes, aty ku sapo kishte nisur te çelë. Mes ëndrrash dhe një bote të trazuar keq, mes dhimbjesh, brengash dhe dëshirash të paplotësuara ndonjëherë. I vetmi “mëkat” i saj ishte se ajo erdhi fillikate në këtë jetë.

E braktisur nga dy njerëz që e lindën, e që më pas, do t’a “pagëzonin” me një emër: “Jetime”. Dy njerëz që edhe sot e kësaj dite nuk dinë asgjë për fatin e kësaj krijese të harruar, edhe aty ku ajo prehet.

E harruar së pari prej atyre që e lindën dhe e sollën në jetë, për t’a braktisur dhe lënë në mëshirën e fatit.

E harruar edhe nga ata që e rritën me “atribute prindërore”, atje, në institucionin e Shtëpisë së Fëmijës në Sarandë. Gjithsesi, historia e kësaj jetime fatkeqe flet shumë.

Ajo e ka fuqinë të na shfaqet edhe sot pas 40 vjetësh, edhe në kohët që do të vinë. Në çdo kohë, në çdo çast…

Sa herë që indiferentizmi, padrejtësia dhe pabarazia shoqërore do të ngrejë krye si një fantazmë e frikshme, sa herë që dyfytyrësia të mbizotërojë me maskën ANTINJERI, me hipokrizinë dhe kryeneçësinë e saj vrastare.

Autori Ilir Çumani

 

Dikush, sot mund t’a quaj këtë histori një ndodhi të zakonshme të së shkuarës, një harresë të kohës, mbase edhe indiferencë…

E ç’rëndësi ka kjo…!? Xhuliana Luli nuk jeton më. Ajo është e fshirë në memorien e të gjithëve, edhe të atyre që e lindën dhe e sollën në jetë.

Për këtë, flet varri i saj i braktisur që ndoshta poeti mund ta ketë shkruar enkas elegjinë e dhimbjes për vogëlushen e mjerë, mbase edhe për dikë tjetër që ka patur fatin e Xhulianës.

Por, sido që të jetë, historia e Xhuliana Lulit është historia e një jetimeje të harruar.

Në rrethana të tjera, ndoshta edhe mund të jetonte, të kishte si të gjithë të tjerët jetën e saj normale, megjithë kushtet jonormale që ju ofruan.

Mbase, po të ishte gjallë, sot do të ishte 52 vjeçe. Do të kishte familjen e saj që i mungoi aq shumë në fëmijërinë e trazuar e plot andralla.

Ndryshe nga prindërit që e lindën, ajo sot do të ishte një bashkëshorte dhe nënë e denjë për fëmijët e saj. Ç’them kështu!?

Mbase, vërtet nuk jam në vete!? Po si mundet ta rikthej në mes nesh nga ajo kohë e largët Xhulianën e harruar?!

Të gjitha këto s’janë gjë tjetër, veçse iluzione të kota, mendime e dëshira të parealizuara, imagjinata utopike të rreme…

Mbase është një mënyrë ngushëllimi e shfajësimi për pamundësinë dhe pafuqinë tonë për ta shpëtuar asohere, sepse në fakt, Xhuliana Luli ka 40 vjet që nuk jeton më.

Emri i saj figuron vetëm mbi pllakën e atij varri të vithisur. Ai emër, figuron edhe në librin themeltar të institucionit të Shtëpisë së Fëmijës në Sarandë. Në një kolonë të rregjistrit të institucionit, janë shënuar të dhënat autobiografike dhe gjeneralitetet e saj.

Aty ndodhet edhe një fotografi e Xhulianës së vogël. Biografia e saj është e përfshirë në një fjali të vetme: “E braktisur….”.

Anash, në një kolonë të veçantë të rregjistrit, shquhen dy gërma kapitale të njëjta me inicialet:“N.N”, që kanë kuptimin se ata që e sollën në jetë “Nuk Njihen”, (këto ishin shenjat dalluese që në atë kohë mbanin të gjithë fëmijët e braktisur në jetimore).

Qysh kur prindërit e saj anonimë e braktisën, ajo u dërgua në Befotrofin e Vlorës.

Aty qëndroi derisa mbushi 6 vjeçe. Më pas, u vendos në Shtëpinë e Fëmijës Shkollore në Sarandë.

Atje nisi edhe klasën e parë, në ciklin e ulët të shkollës 8-vjeçare “9 – Tetori”. Por, cila është historia e vërtetë e Xhulianës që sot nuk jeton më!?

40 vjet më parë, në sallën e reanimacionit të qytetit të Sarandës shuhej jeta e një vajze jetime 12 vjeçare. Ishte një ditë e bukur Maji me diell, dhe pemët sapo kishin çelur sythet e para.

Zogjtë, kishin paralajmëruar ardhjen e pranverës. Atë pasdite, vajza me emrin Xhuliana, pasi mbaroi orët e mësimit, u shkëput nga shokët e saj me të cilët jetonte në jetimore.

E kishte marrë shumë uria dhe ngjitet majë një pishe për të shijuar kokrrat e pjekura të boçeve të kësaj peme.

Në ngjitje e sipër, në lartësinë e 9 metrave, dega në të cilën kishte mbështetur njërën këmbë thyhet, dhe ajo rrëshet e rrëzohet me kokë në asfaltin e një rruge automobilistike që ndodhej përballë spitalit të qytetit.

Aksidenti ishte fatal.
Vajza kaloi në gjendje koma pa shenja jete. Megjithë ndihmën e shpejtë dhe ndërhyrjen kirurgjikale qe i’u bë,

Xhuliana e vogël nuk kishte më shpresa të jetonte. Ishte dëmtuar rëndë në tru dhe pati hemoragji e cila i shkaktoi vdekjen e menjëhershme klinike.

Por gjithësesi, zemra vazhdonte t’i rrihte. Atë ditë, Xhulianën e kishin ndëshkuar në Shtëpinë e Fëmijës. Ishte nisur në shkollë pa ngrënë.

Lajmi se një vajzë e jetimores rrezikonte jetën, tronditi jo vetëm personelin e jetimores, por edhe ish zyrat në aparatin e Komitetit të Partisë së Punës të rrethit.

Madje, ky shqetësim ishte ndjerë edhe në Tiranë, në Ministrinë e Arsimit.

– “Dreqi ta marrë këtë punë, edhe kjo na duhej…”, – dëgjohej të shfrynte e të belbëzonte nëpër dhëmbë ndonjë zyrtar partiak nga zyrat e Komitetit të Partisë të kohës.

– Kushedi, ç’do të thonë njerëzit kur ta marrin vesh. Do thonë : “…vdiq një fëmijë, një jetime e pafajshme…”

Nuk munguan as presionet ndaj mjekëve që ajo vajzë të shpëtonte me çdo kusht, përndryshe, do të krijohej një imazh jo mirë për njerëzit e pushtetit, për partinë në radhë të parë që i konsideronte këta fëmijë si “bijtë e saj”. Interesimi për të ishte aq i madh, sa me urdhër nga udhëheqja qëndrore e kohës mbërritën me urgjencë nga Tirana mjekë të specializuar.

Në ankthin e atyre ditëve, brenda mureve të heshtura e të frikshme të sallës së reanimacionit, aty ku ndodhej vogëlushja Xhulianë e cila merrte oksigjen pothuajse e vdekur, hynin e dilnin të shqetësuar njerëz civil e të kollarisur, të veshur me kostum e pardesy.

Të heshtur, ata shihnin njëri tjetrin të hutuar, ndjeheshin të frikësuar për gjëndjen e rënduar të saj, e cila mbahej artificialisht në jetë përmes tubave të oksigjenit.

Në shtratin e Xhulianës, veç mjekëve dhe ndihmësmjekëve, nuk shikoje askënd nga njerëzit e afërt që ajo mund të ketë patur.

Si për ironi të fatit, jashtë mureve të spitalit, në bulevardin e qytetit, njerëzit ecnin të shkujdesur, qeshnin dhe gëzoheshin të lumturuar, bënin shaka, ndërsa fëmijët, bashkëmoshatarët e jetimes së gjorë ishin rrëmbyer pas lodrave.

Megjithatë, askujt nuk i shkonte ndërmend se ato ditë, brenda mureve të atij spitali, në atë sallë ku vdekja kërcënonte jetën, po shuhej një jetë, po vdiste një fëmijë e pafajshme.

Për pesë ditë e netë me radhë, tepër të shqetësuar, mjekët jepnin edhe merrnin duke i qëndruar në kokë Xhuliana Lulit, vajzës jetime, që ndoshta edhe vetë ajo nuk e mësoi se në ç’rrethana kishte ardhur në jetë, aq më keq, në ç’rrethana po largohej kaq shpejt prej saj.

Ndoshta, më tepër se presionet që vinin nga lart, ishte kjo një arsye më shumë që bëri ti kalonte kufijtë e përpjekjeve mbinjerëzore të bluzave të bardha.

Së bashku, ata luftuan çdo çast e sekondë deri në fund për ta rikthyer në jetë vajzën jetime e cila lëndoi zemrat e të gjithëve ditën kur ajo vdiq.

Në ceremoninë mortore të Xhulianës mori pjesë i gjithë qyteti. Gjatë përcjelljes për në banesën e fundit, i madh e i vogël e qau Xhuliana Lulin, jetimen 12 vjeçare, këtë viktimë të fatit të saj.

Tashmë, ajo prehet në një nga varrezat e qytetit më jugor të Shqipërisë, atje kur dikur quhej lagja “Limjon”.

Përmes varreve të shumtë ku zbardhojnë parcelat e mermerta në “mbretërinë” e qiparisëve hijerëndë, ndodhet edhe një varrosh.

Me vështirësi, në mënyrë të padukshme dhe gati misterioze, mund të pikasësh vendprehjen e braktisur të vogëlushes Xhulianë, mbi të cilin, mjerisht, kurrkush nuk ka vënë dorë.

I vetmi kujtim përmes indiferencës së heshtur, ka mbetur një pllakë mbishkrimi e mbuluar nga një shtresë e vjetër myshku si një relike lashtësie, nga ku mund të lexohet me shumë vështirësi emri, mbiemri, dita e lindjes dhe ajo e vdekjes.

Por, ndryshe nga mbishkrimet e tjera, aty është shkruar me gërma kapitale si “epitaf” i nisur dhe i pambaruar fjala: “JETIME”.

Një emër i trishtë, i rëndë si plumbi, që padrejtësisht e shoqëroi vogëlushen e pafat që për së gjalli, dhe që ende vazhdon ta mbaj si një peng edhe në botën e përtejme.

Mbi atë pllakë, ka zënë vend një masë e madhe shkurresh e ferrash. Ato, duken sikur duan t’ia përpijnë edhe atë pak vend ku e vogla e pafat gjen prehjen e saj. Sot, pas 40 vjetësh, ajo është mbuluar nga pluhuri i harresës.

Dhe mua, shkruesin e këtyre radhëve, si dëshmitar dhe shok fëmijërie i bankës në një klasë me Xhulianën, bashkëkohës dhe bashkëvuajtës me të në ato kohë të vështira e të trishta, kujtimet me çojnë larg, në ato vite.

Duke medituar me dhimbje mbi varrin e saj, sërish më vijnë si një refren vargjet – elegji të poetit Dritëro:

“Padashur pashë emrin tënd të shkruar/, Në gurin e një varri të vithisur…/, Me kockat je harruar nëpër pluhur/, Se rrugën nëpër pluhur pate nisur….”.

Ndoshta, jeta e Xhulianës ishte vërtetë e tillë. Ashtu si nisi edhe u shua. Ishte një ikje pa kthim. Me dhimbje, sigurisht! Gjithsesi, ajo është aty për të dëshmuar se nuk i përket më kësaj bote, por një tjetër kohe.

Nuk ka forcën të bërtasë si Cukalina e kohëve të shkuara, shumë më herrët se kaq, duke na apeluar dhe kujtuar për të qenë më të paqtë, më njerëzor, sepse në fund të fundit askush nuk është i përjetshëm në këtë botë.

Duke ju rrëfyer këtë histori të dhimbjes njerëzore, mendoj e them me vete: Drama si kjo e Xhuliana Lulit sot ka shumë në Shqipërinë tonë të pagjumë, të trazuar e të brengosur prej pesimizmit, të vrarë nga mungesa e shpresës dhe e prespektivës për të sotmen dhe për të ardhmen.

Jetojmë në një vend me paradokse të mëdha, nga më absurdet, ku në mënyrë të frikshme mbretëron si një artific “bashkëjetesa” joorganike e luksit të shfrenuar e një pakice dhe mjerimi ekstrem e masiv i shumicës.

Shembujt i ndeshim pafund në realitetin shqiptar. Ato janë të tjetërsuara, të frikshme, përçudnuese e fantazmagorike.
Shfaqen në forma të paimagjinueshme e të paperceptueshme, siç është edhe braktisja e fëmijëve, shfrytëzimi i të miturve, trafikimi, dhuna fizike e psikologjike, abuzimi seksual që ushtrohet ndaj tyre, indiferentizmi dhe përjashtimi social së pari nga familja, shteti dhe shoqëria.

Në gjithë këtë tabllo të shëmtuar sociale, përfshihet në mënyrë të paskrupullt, të pandjeshme e të pamoralshme, në një konflikt të hapur mediatik edhe pjesa amorfe dhe aksidentale e politikës, me simptoma të qarta destruktive, meskine e nekrofile, e cila, për qëllime utilitare të ditës ka qenë dhe mbetet shkaktarja kryesore e dramës tonë kolektive, ajo që ka mbajtur dhe mban peng të ardhmen e vendit, të ardhmen e fëmijëve tanë.

Ky është realiteti më i dhimbshëm, më tragjik në kohën e sotme për shoqëritë ekstra moderne, ku nuk bën përjashtim edhe shoqëria jonë, e ndodhur në udhëkryq, e lodhur nga konfliktet e shumta sociale përmes krizash të ricikluara në proceset e zgjatura tranzitore në tre dekadat fundit.

Dhe kjo ka ndodhur për faktin sepse, në emër të moralit të një pushteti politik të pamerituar, të fitimit, grykësisë dhe pangopjes mbi fatkeqësinë e më të dobëtit, gjithmonë na ka munguar zbatimi i barazisë para ligjit mbi pakicën sunduese dhe mbi shumicën e pambrojtur, duke viktimizuar përherë të pambrojturit, pa kursyer as fëmijët, shpatullat dhe trupin e tyre të brishtë.

Pa marrë parasysh se ata kanë ardhur në këtë botë të jetojnë në paqe, me pafajësinë dhe dëlirësinë e moshës, me ëndrrat e tyre të bukura, të pastra dhe të çiltërta.

Ndodh shpesh që ne, më të rriturit, me dashje dhe pa dashje, me egon dhe sedrën e sëmurë i lëndojmë fëmijët tanë, u’a vrasim ëndërrat, dëshirat, shpresat, gëzimin fëminor…

Sa shumë po humbasim nga vetja!? Çdo ditë, çdo orë e minutë. Po thahemi dita ditës çdo çast, pak e nga pak, si lulja në shkretëtirë.

Kjo shpirtharrje, produkt i botës së shterpëzuar komerciale në degradim e sipër, duket se na ka prekur rëndë të gjithëve si shoqëri.

Dhe kjo do të jetë fatale, një kosto të lartë dhe e parikuperueshme për të ardhmen e vendit, nëse do të vazhdojmë të bëjmë sikur nuk shohim dhe ta lëmë situatën të na ikë prej duarsh.

Shpresojmë të mos ndodh kështu… (!)

Historia e Xhuliana Lulit, është një copëz nga jeta tragjike e një individi që jetoi në një kohë absurde dhe në rrethana absurde, që për fat të keq, episode dhe fragmente të ngjashme si kjo na shfaqen frikshëm si një reminishencë e së kaluarës deri në ditët e sotme….

Ajo mbart në vetvete dramacitetin e dhimbjes njerëzore të vajzës jetime 12 vjeçare ciila nuk jeton më, por që në fakt na kujton, na dëshmon, na akuzon dhe na paralajmëron… (!!!)

Kujtimit të saj, i dedikova 20 Majin, si “Dita Kombëtare e Jetimëve”.

Një Ditë Kujtese, që na apelon të gjithëve për të reflektuar, për të qenë më njerëzor, më të drejtë, për tu bërë më të mirë si individë dhe si shoqëri në tërësi.

Për ta bërë Shqipërinë një vend më të dashur dhe më të mundur, të jetueshme dhe të begatë për të gjithë….!

P.S
Pasi u interesuam pranë Bashkisë së Sarandës, me një vendim të Këshillit Bashkiak, u mundësua bërja e varrit e jetimes Xhuliana Luli.

* Drejtor i Përgjithshëm i Institutit Kombëtar i Integrimit të Jetimëve Shqiptarë

Lexo më shumë nga

Dumani: Sky ECC dhe Encrochat ekspozuan lidhjet e krimit me politikën, drejtësinë dhe Policinë

Aplikacionet Sky ECC dhe Encrochat ekspozuan lidhjet e krimit me politikën, drejtësinë dhe Policinë.

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Dumani: Sky ECC dhe Encrochat ekspozuan lidhjet e krimit me politikën, drejtësinë dhe Policinë

Aplikacionet Sky ECC dhe Encrochat ekspozuan lidhjet e krimit me politikën, drejtësinë dhe Policinë.