Padi penale ndaj ish-Presidentit Trump, javën e ardhshme pritet dorëzimi i tij para autoriteteve

Një juri e madhe e Nju Jorkut votoi të enjten pro ngritjes së një padie penale ndaj ish-Presidentit Donald Trump


Një juri e madhe e Nju Jorkut votoi të enjten pro ngritjes së një padie penale ndaj ish-Presidentit Donald Trump. Akuzat nuk janë bërë publike, por hetimet janë përqendruar në pagesat e bëra gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016, për të blerë heshtjen e ish-aktores së filmave pornografikë Stormy Daniels, për një marrëdhënie seksuale që ajo pretendon se ka patur me zotin Trump. Kjo shënon herën e parë në historinë e vendit që një ish-president akuzohet për kryejen e një vepre penale. Ish-Presidenti Trump e cilësoi vendimin një gjueti shtrigash, dhe persekutim politik.

Padia penale ndaj ish-presidentit u ngrit nga Prokurori i Qarkut të Manhatanit Alvin Bragg dhe u mbështet nga juria e madhe. Por akuzat do të bëhen publike vetëm kur zoti Trump të paraqitet para një gjykatësi, pasditen e së martës. Ekspertët besojnë se zoti Trump mund të akuzohet për falsifikimin e të dhënave të biznesit. Pagesa prej 130 mijë dollarësh bërë ish-aktores se filmave pornografike Stormy Daniels, nga avokati i zotit Trump, Michael Cohen, iu rimbursua këtij të fundit nga Organizata Trump, e më pas u regjistrua si shpenzim ligjor i kompanisë.

Ish-Prokurori federal Neamah Rahmani e sheh aktpadinë si një zhvillim historik. Ish presidenti është duke u hetuar edhe për raste të tjera.

“Kjo është hera e parë që një ish-president akuzohet për një krim. Është e pashembullt. A do të ndjekin edhe prokurorët e tjerë, si Prokurori i Posaçëm Jack Smith, apo Prokurorja e Qarkut të Atlantës Fani Willis, të njëjtin shembull dhe ta akuzojnë Donald Trump-in për krime më të rënda”, thotë zoti Rahmani.

Në një postim në internet zoti Trump, i cili kandidon sërish për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, e quajti aktpadinë një persekutim politik dhe ndërhyrje në zgjedhje.

Dy hetime të mëparshme rreth pagesës për ish aktoren e filmave pornografikë nuk përfunduan në ngritje akuzash. Prokurorët federalë që i filluan hetimet, ia përcollën çështjen ish-Prokurorit të Manhatanit, Cyrus Vance, i cili po ashtu nuk vendosi të ngrejë akuza. Por Prokurori aktual Alvin Bragg, i zgjedhur në nëntor të vitit 2021, i rihapi hetimet dhe mendon se ka prova të mjaftueshme për padi penale.

“Ky ishte një rast për të cilin Prokurori i Qarkut të Manhattan Alvin Bragg mendoi se kishte baza të forta ligjore ku mund të mbështeste akuzën e tij. Michael Cohen, u dënua për të njëjtën gjë nga prokurorët Federale. Njerëzit menduan në atë kohë se çfarë e bën Donald Trump-in të ndryshëm, pse ai duhet t’i shpëtojë ndjekjes penale në një kohë kur ka qenë i përfshirë në të njëjtën skemë?”, thotë zoti Rahmani.

Në një intervistë për rrjetin televiziv ‘Fox News’ Senatori republikan Lindsey Graham i doli në mbrojtje zotit Trump. Ai e krahasoi çështjen e tij, me seancat për konfirmimin në Senat të anëtarit të Gjykatës së Lartë Brett Kavanaugh, i cili u emërua nga zoti Trump dhe u përball me akuza për ngacmim seksual.

“Demokratët u përpoqën të shkatërronin Brett Kavanaugh sepse donin kandidatin e tyre në Gjykatën e Lartë. Ata po përpiqen të shkatërrojnë Donald Trumpin, sepse i frikësohen rezultatit që ai mund të sigurojë në zgjedhje”, tha ai.

Analistja politike Sherry Bebitch Jeffe mendon se kjo lëvizja e prokurorit demokrat mund të ndihmojë zotin Trump në përpjekjet e tij për t’u bërë zyrtarisht kandidati i republikanëve për zgjedhjet presidenciale.

“Mbështetësit e tij do të zemërohen dhe nuk do ta pranojnë aktakuzën. Është ende herët, por nëse zemërimi vazhdon deri në zgjedhjet paraprake, brenda partive, ata do të jenë votuesit me pjesëmarrjen më të lartë”, thotë ajo.

Megjithatë zonja Jeffe thotë se aktakuza do ta dëmtojë zotin Trump në zgjedhjet presidenciale, duke i kushtuar atij votat e amerikanëve të pavarur.

Pas njoftimit për ngritjen e padisë penale mbështetësit e ish-Presidentit Donald Trump u mblodhën të enjten në mbrëmje jashtë rezidencës së tij në Mar-a-Lago të Floridës.

John Skeadas, nga Nju Jorku, por pronar i një shtëpie në Florida, e sheh rastin si një përpjekje për të persekutuar zotin Trump, e që vë në rrezik të drejtat e të gjithë amerikanëve.

“Nëse nuk ngrihemi për atë që është e drejtë, atëherë nuk jemi më të mirë se Venezuela, nuk jemi më mirë se Kuba, Afganistani, apo Kina. Ndaj unë jam këtu si amerikan dhe mbështes demokracinë tonë”, thotë ai.

Ndërkohë ish-Prokurori federal Neamah Rahman i druhet pasojave afatgjata që mund të sjellë aktpadia ndaj ish-presidentit.

“Si një ish-prokuror, besoj se askush nuk është mbi ligjin, madje edhe një ish-president. Por ajo që ngre si pikëpyetje është: a po hapim një kuti politike të Pandorës. Nëse republikanët rimarrin kontrollin e Shtëpisë së Bardhë: A do të ndjekin ata penalisht individë si Hunter Biden, Joe Biden apo Hillary Clinton? A është ky një hap i paprecedentë që do të dëmtojë sistemin tonë të drejtësisë penale dhe demokracinë tonë?”, pyet ai.

Prokurorët kanë thënë se po punojnë për të koordinuar dorëzimin e zotit Trump, gjë që mund të ndodhë në fillim të javës së ardhshme. Ekspertet thonë se pritet të zhvillohet një seancë e shkurtër, ku ai do të njihet me akuzat, do t’i merren shenjat e gishtrinjve, do të fotografohet dhe më pas të lirohet.

Ende nuk dihet nëse gjykatësi do t’i pranojë si të vlefshme akuzat penale të Prokurorit Bragg, për të zhvilluar një proces gjyqësor, apo do t’i hedhë ato poshtë. Në kushtet kur bëhet fjalë për një ish-president, autoritetet po marrin masa sigurie në Nju Jork, për të shmangur cdo lloj incidenti.

Ekspertët kushtetues thonë se pavarësisht ngritjes së akuzave penale, kjo nuk do ta ndalojë zotin Trump të kandidojë për president, madje edhe në rast dënimi të tij, thonë ata, ai do ta merrte sërish detyrën, nëse fitonte.

Lexo më shumë nga

Rama: Të parët në rajon për rritjen e prodhimit të brendshëm për frymë

Kryeministri Edi Rama duke folur sot gjatë bashkëbisedimit me shqiptarët në Londër, e vuri theksin te nevoja për votën e…

Global 360

COP29 – Dhjetëra liderë botërorë fillojnë fjalimet dhe negociatat për ndryshimet klimatike

Dhjetëra liderë do të mbajnë sot fjalime në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike, që po zhvillohet në Azerbajxhan duke…

Diplovista

Çështja e emigracionit, Rama për ‘Il Giornale’: Evropa duhet bashkohet rreth një plani të qartë strategjik

Kryeministri Edi Rama ka dhënë një intervistë për median italiane “Il Giornale”. Ai komentoi marrëveshjen për emigrantët me Italinë si…

Gjeopolitika

Pika të zeza apo të ndritshme?

Viti 2024 duket që do të shënjohet nga luftrat dhe zgjedhjet, të cilat do të ndikojnë në fatin e një…

OPED

Bektashizmi dhe Shqipëria!

Historia e Bektashinjve është historia e qëndresës ndaj dhunës, gjatë pushtimit fatal të Perandorisë Turke

Profil

Një Lider i ri në Diplomaci dhe Fuqizimin e Rinisë

Ambasador Rinor i NATO-s për Shqipërinë, Ambasador Global për Paqen për Kombet e Bashkuara dhe Këshilltar Rinor për OSBE-në

Masmedia

Rama: Të parët në rajon për rritjen e prodhimit të brendshëm për frymë

Kryeministri Edi Rama duke folur sot gjatë bashkëbisedimit me shqiptarët në Londër, e vuri theksin te nevoja për votën e…