Presidenti Begaj pranon Letrat Kredenciale nga Ambasadori i ri i Nigerisë
Presidenti i Republikës pranoi Letrat Kredenciale nga Ambasadori i ri i Republikës Federale të Nigerisë
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj, pranoi Letrat Kredenciale nga Ambasadori i ri i Republikës Federale të Nigerisë, zoti Mfawa Omini Abam, me rezidencë në Romë.
Presidenti Begaj vlerësoi interesin e përbashkët për t’i nxitur e gjallëruar marrëdhëniet midis dy vendeve, veçanërisht në fushën e ekonomisë dhe të shkëmbimeve tregtare dhe shprehu besimin se akreditimi i Ambasadorit të Nigerisë në Shqipëri, do t’i japë një shtytje të re në këtë drejtim.
Ndërsa, duke iu referuar faktit që të dy vendet janë të pasura me burime natyrore, Presidenti Begaj, nënvizoi se së bashku duhet të bëjmë më shumë për të identifikuar dhe nxitur bashkëpunimin në fusha të caktuara, me interes të ndërsjellë, përfshirë edhe mundësinë e investimeve reciproke.
Kreu i Shtetit vlerësoi, gjithashtu, kontributin e të dy vendeve për paqen dhe sigurinë dhe luftën kundër terrorizmit, jo vetëm në rajonet ku ato bëjnë pjesë por edhe në nivel ndërkombëtar, duke evidentuar në mënyrë të veçantë rolin që Shqipëria po luan në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara si anëtare jo e përhershme.