Xhaçka: Integrimi i rajonit rrit besueshmërinë e BE
Ministrja e Jashtme mori pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka, me ftesë të homologut italian Antonio Tajani, ka marrë pjesë në takimin e ministrave të Jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, organizuar në Romë, nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Republikës së Italisë.
Gjatë fjalës së saj, ministrja Xhaçka u shpreh se, lufta në Ukrainë duket se e ka vetëdijësuar BE për faktin që siguria dhe stabiliteti i bllokut është i lidhur në mënyrë të pandashme me sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.
BE po tregon një qasje më strategjike ndaj rajonit dhe s’ka asnjë dyshim që besueshmëria e perspektivës europiane është një faktor kyç në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit të Ballkanit Perëndimor dhe vetë BE, u shpreh ajo.
Ministrja Xhaçka nënvizoi po ashtu frymën e re të bashkëpunimit rajonal dhe mundësitë e mëdha për bashkëpunim ekonomik e investime strategjike, veçanërisht në sektorin e energjisë që ekzistojnë sot në rajon, ku Italia pa dyshim mund të luajë një rol të rëndësishëm e të mirëpritur.
Ajo falënderoi zëvendëskryeministrin Tajani për angazhimin e tij ndaj Shqipërisë e rajonit dhe shprehu vlerësimin e Shqipërisë për rolin e rëndësishëm që Italia luan në zhvillimet në rajon.
Në takim, merrnin pjesë edhe Komisioneri për Zgjerimin e BE, Oliver Varhelyi, ministrat e Jashtëm të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Malit të Zi, Bosnjë-Hercegovinës dhe Suedisë, Tobias Billström, vend i cili mban Presidencën e radhës së Këshillit. Në takim u trajtuan çështje të bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit, por edhe me Bashkimin Evropian, veçanërisht në kontekstin e zhvillimeve aktuale gjeopolitike në Evropë dhe në botë.
Në fokus ishin çështje që kanë të bëjnë me energjinë, sigurinë kibernetike, politikën e jashtme dhe të mbrojtjes, migracionin, si dhe me procesin e integrimit evropian të vendeve të rajonit. /ATSH